Presidenti i nderit i Dhomës Amerikane të Tregtisë, Mark Crawford, në një intervistë bombastike për gazetarin amerikan, Zev Shalev, thotë se Edi Rama dhe Charles McGonigal punuan për t’u hequr fushat e naftës në Shqipëri nga duart e biznesit amerikan dhe për t’i kaluar ato te bizneset ruse të Gazprom.
Në rrëfimin e tij të fortë, thuhet se qeveria shqiptare ndryshe hiqet me amerikanët, por ndryshe vepron. Ai citoi rastin e Damian Gjiknurit, i cili deklaroi në Kongresin e SHBA se duhet pasur kujdes me rusët, ndërsa ua dha fushat e naftës rusëve të lidhur me McGonigal.
I pyetur nga gazetari Shalev nëse është pyetur nga FBI për këtë mega-skandal, ai thotë se nuk e ka pyetur kush, madje lëshon një ‘thumb’ edhe ndaj ambasadës amerikane në Shqipëri, duke thënë se ata mund ta kontaktojnë nëse kanë pyetje.
Crawford thotë se SHBA ka bërë një sy qorr ndaj shkeljeve që ka kryer Edi Rama, por tani është koha për t’i dhënë mjaft pasi zullumi është trashur shumë.
“Shqiptarët dhe Shqipëria janë një aleat. Por qartësisht ka elementë të pushtetit që thonë një gjë dhe bëjnë diçka tjetër. Shqipëria ka ndihmuar SHBA, për disa raste kur unë mendoj se ka pasur gabime politike në SHBA, si ajo e të burgosurve të Guantanamos, me rastin e armëve kimike, me çështjen e muxhahedinëve. Tani pyetja që ngrihet është se këta po na ndihmojnë kur kemi nevojë, dhe më pas dëgjojmë zëra për korrupsionin dhe mbyllim një sy, dëgjojmë zëra për trafikun e drogës dhe mbyllim një sy, dëgjojmë zëra për pastrim parash dhe mbyllim një sy.
Papritur kemi zëra për agjentë të FBI të korruptuar për interesa ruse dhe të gjithë thonë: uau, nga doli kjo. Kjo nuk doli nga askund, kjo erdhi hap pas hapi, sepse të gjithë po mbyllnim një sy para problemeve të dukshme në këtë vend. Dikush duhet të thotë mjaft, le ta pastrojmë këtë, të mos hiqemi sikur gjërat janë mirë, kur nuk janë edhe aq mirë. Tani pyetja është se çfarë duhet të bëjmë për këtë. Ka edhe të tjera vrima lepuri në këtë histori. Sepse personi B është i lidhur me këtë çështje, është i lidhur me fushat e naftës, por edhe me kinezët, edhe me naftën atje. Është i lidhur edhe me djem që janë fotografuar me djalin e presidentit Biden. Është një rrjetë shumë interesante intrigash dhe ka shumë gjëra për të gërmuar,” tha Crawford.
A ka folur FBI me ju për hetimin e tyre për këtë çështje, a ka folur me ju se cili mund të ketë qenë implikimi i McGonigal?
Nuk kam folur me ta për këtë.
Asnjë prokuror nuk ka qenë në kontakt me ju për këto marrëveshje, askush nuk ka folur me ju për këtë?
Jo, ajo që unë bëj është se Dhoma Amerikane e Tregtisë ka tendence të jetë shumë publike, ajo që unë di nuk është e klasifikuar. Nëse dikush të kërkojë për mua në Google apo YouTube, do gjejnë më shumë se 200 dalje publike, kur unë kam qenë në media dhe kam thënë atë që mendoj dhe shpesh e bëj në shqip. Kështu që nuk është sekret ajo që di, sepse unë dal publikisht dhe e them. Ajo që mendoj dhe që nuk e kam thënë së fundmi është se mendoj se ne kemi disa çështje dhe nuk i di të gjitha përgjigjet, por sigurisht si amerikanë ne duhet të pastrojmë shtëpinë tonë përpara se të fillojmë të kërkojmë nga të tjerët që të pastrojnë shtëpitë e tyre.
Nuk jam i vështirë për t’u gjetur. Nëse ambasada ose nëse dikush ka pyetje për mua, sigurisht mund të më kontaktojë. Por kam dëshmuar përpara Kongresit amerikan më përpara për çështje taksash për njerëzit jashtë vendit, ata e dinë se kush jam. Jo, nuk e kam diskutuar këtë çështje me FBI-në apo me ndonjë prokuror.
Ata thonë se kanë bërë një hetim shterues dhe e dinë se deri në çfarë shkalle është përfshirja e McGonigal, por nuk mund të kenë bërë një hetim shterues për shkak se nuk kanë mbuluar të gjithë gjërat që kanë ndodhur në Shqipëri në ndonjë nga këto padi, dhe fakti që nuk kanë qenë në kontakt me ju ose ndonjë tjetër të përfshirë në palën shqiptare, mund të jetë një sfidë e inteligjencës se po flasim për një kundërshtar të SHBA, po flasim për Rusinë, po flasim për përpjekjet për shmangie sanksionesh nga një ish-agjent i FBI. Kjo është domethënëse dhe duhet të hetohet. Palët e interesuara nuk mund të kenë bërë një hetim shterues nëse nuk i dinë gjithë këto gjëra dhe nuk kanë folur me ju dhe palë të tjera.
Unë supozoj se kanë bërë një hetim shterrues. Supozoj se ata nuk e kanë publikuar të gjithë informacionin. Nisur nga pyetjet që ke ngritur, Senati po heton me një senator nga Rhode Island, Jim Jordan nga Ohio po heton për këtë. Nuk jam i sigurt nëse ky është fundi i investigimit të tyre, pres që të jetë ky fillimi i hetimit.