Dave Gahan paraqet albumin e ri, turin e ri, të parat pa Fletch, që ka ndërruar jetë një vit më parë. «Memento Mori këndon pashmangshmërinë e vdekjes dhe, për pasojë, nevojën e dhënies së maksimumit duke e ditur se do të ketë një fund».
Dave Gahan shëtit në plazhin Montauk. Është dimri pandemisë dhe këngëtari i Depeche Mode është në strehim midis privatësisë luksoze të vilave dhe natyrës së pandotur të dunave të Oqeanit Atlantik në pikën lindore të Hamptons. «Në këtë periudhë kaloja shumë kohë i vetëm. Bëja shpesh shëtitje të gjata dhe meditoja mbi jetën tonë në atë moment dhe mbi çfarë do të mund të bëhej. Aty kam filluar të mendoj për fundin. Kuadri i përgjithshëm është se ajo është një temë mbi të cilën nuk kemi asnjë mundësi zgjedhjeje. A nuk është ky kuptimi i jetës? Mendojmë se kemi kontrollin mbi gjithçka, por shpesh nuk është kështu». Një kërcim përpara në kohë. Bashkë me grupin e tij, Gahan është në Festivalin e Sanremo si super i ftuar. Është një disk i ri i Depeche Mode, i pari pas vdekjes së papritur së tastieristit Andy Fletcher më 26 maj të vitit të kaluar, quhet Memento Mori (del të premten, më 24 mars) dhe ajo ndjenjë fundi filtrohet në tekste, midis fantazmash, engjëjsh që po japin frymën e fundit, errësire e lotësh dhe në atmosferën muzikore të këngëve të reja. «Disqet më të mira janë ato që të çojnë diku dhe edhe ky album të bën të bësh një udhëtim, të fut diku dhe në fund të çon në një drejtim tjetër. Fillohet me My Cosmos Is Mine ku është një personazh kërkues, i tipit “kjo është bota ime”, por që në fund bën pyetje, thotë “se nëse ka diçka më të madhe se ky univers më bëni të kuptoj se çfarë mund të bëj”», rrëfen Dave, xhup lëkure, bluze e NY Knicks në versionin e zi dhe me gishtat me unaza, në suitën e një hoteli.
Është midis dunave të Montauk që është thënë për herë të parë «Memento Mori» (motoja latine që nënkupton kujtohu se duhet të vdesësh)?
«Ideja e titullit i ka ardhur Martin (Gore, kitarist dhe autor i grupit, shënim im.), ndërsa fillonim të punonim për këngët e reja. Po shkëmbenim demot, ai më dërgonte një këngë dhe unë e karikoja në kompjuter, vija kufjet dhe mbyllesha në banjë, e them seriozisht këtë, e këndoja në celular dhe i dërgoja inçizimin».
Atëhere nuk është një legjendë e «music business» ajo sipas të cilës banjot duhet të kenë një akustikë të shkëlqyer…
«Për mua është kështu, por inxhinieri i zërit që ka punuar me diskun nuk është dakord… Unë në ato regjistrime dëgjoj një tingull të çuditshëm që më kujton disqet e para e Joy Division».
Duke u kthyer tek titulli…
«Kur jemi ndodhur në shtëpinë e Martin në Los Angeles me producentët James Ford dhe Marta Salogni, ai më ka thënë për idenë e titullit. Kisha dëgjuar këngët e tij, dinte ato që kisha shkruar unë dhe më dukej se kishte një fill përçues, siç ndodh gjithmonë në disqet e Depeche Mode. Kur më ka shpjeguar se memento mori përkthehet me “kujtohu se duhet të vdesësh” kam menduar se në fund të gjitha këngët dukeshin se flisnin për vdekjen, se donin ta jetonin jetën në maksimum duke e ditur se do të ketë edhe një fund. Janë këngë mbi “çfarë dreqin bëjmë këtu?”— nganjëherë intim, nganjëherë tokësorë».
Mendimi juaj lidhur me vdekjen ka ndryshuar në kohë?
«Patjetër. Kemi humbur Fletch gjatë regjistrimit të këtij disku. Ai është një njeri me të cilin kam kaluar pjesën më të madhe të jetës time të rritur dhe Martin akoma më shumë, besoj se e ka njohur qysh kur ishte 10 vjeë, një jetë të tërë. Kjo gjë na bashkonte dhe që është hequr krejtësisht ka pasur një impakt. I kishim shkruar tashmë të gjitha këngët, kishim filluar të regjistronim dhe Fletch do të na bashkohej shpejt për të dëgjuar atë që kishim bërë dhe për të na thënë, si gjithmonë, të tijën: “Kjo më pëlqen dhe kjo jo” ose “Pse kaq shumë gjëra lidhur me vdekjen?”».
Nuk keni menduar ndonjëherë të ndaheni?
«Pas vdekjes së Fletch, Martin dhe unë qemë dakord: vazhdojmë. Në procesin e punës mungonte gjithmonë diçka, kishte një si ndjenjë humbjeje. Është pjesë e jetës, është e vështirë për t’u pranuar dhe unë vetë nuk e kam pranuar në fund. Ndodh kështu kur të vdes dikush që e ke afër… dhe në pandemi më ka ndodhur disa herë. Besoj se është e vështirë për këdo të kuptojë se çfarë do të thotë, është diçka definitive. Fundi do të vijë për të gjithë. Është diçka që na përbashkëson».
Kush i dëgjon këngët e diskut të ri do të imagjinojë se të gjitha referimet dark në tekstet dhe në tinguj ka një mënyrë për ta treguar përpunimin tuaj të zisë…
«Do ta vendosin ata… Por këngët qenë tashmë të shkruara, titulli ishte; pastaj ka ardhur lajmi i tmerrshëm. Natyrisht që kjo e ka influencuar vazhdimin e punës, mënyrën time e këndimit të këngëve. Edhe fakti që ai nuk ishte në studio e ka pasur një impakt. Më shumë nga sa imagjinohet. Më ka munguar. Ka gjëra që ti i merr si të mirëqena, gjëra të vogla, por është kur nuk janë më që ua ndjen mungesën. Pastaj është edhe humbja për familjen tënde, fëmijët dhe grua, miqtë e tu. Në fund të gjithë kësaj ndjenje ti vë në provë vdekshmërinë tënde. E gjitha kjo që më ka rënë përsipër në mënyrë kaq intensive sepse Fletch ka ikur shumë i ri dhe aq shpejt sa askush nuk e imagjinonte. Është misteri i jetës».
Ai e kishte vënë në provë vdekshmërinë tuaj në të kaluarën, ka qenë afër fundit më shumë se një herë. Qenë ndryshe mendimet e tuaja atëhere?
«Vdekja e Fletch ka qenë e papritur: ne nuk e mendonim dhe vetë ai mezi priste momentin të vinte në studio, të zgjidhte syzet e diellit speciale që përdorte nëpër koncerte dhe të gjitha gjërat që bënte… Nuk mund të krahasohej e gjitha kjo me atë kur ishte më i ri, kur ishte në kapërcyellin midis 20 dhe 30 vjeçëve. Atëhere gjendesha në një rrugëtim ndryshe, ajo ishte një zgjedhje e imja: kisha vendosur të merrje përsipër rreziqe që në fund është kuptuar se nuk bënin mirë, por që në atë kohë me dukeshin të mira. Drogat e ndryshojnë mënyrën e të ndjerit dhe unë doja të ndihesha ndryshe. Drogat të bëjnë të ndjeheshe kështu, por është diçka e përkohshme, nuk mund ta bësh përgjithmonë dhe këtë e kam zbuluar shumë shpejt».
Më 23 mars fillon nga Sacramento turi juaj botëror që do të kalojë nëpër Itali me tre data në stadiume: Roma (12 korrik), Milano (14) dhe Bologna (16). Keni mbetur ju dhe Martin. E keni imagjinuar tashmë të lëvizni në skenë dhe të mos kryqëzoheni me shikimin e Fletch?
«Po e provojmë… Gjatë performancës tonë live, e dija se ai qëndronte prapa shpatullës time të majtë dhe tani nuk do të jetë më. Kemi menduar për një skenografi ndryshe: idea është se Martin dhe unë jemi përpara gjithmonë. Kemi projektuar një skenë që të shtyn të mendosh në këtë mënyrë, të shoh forcën time dhe atë të Martin bashkë, pastaj do të jenë edhe Peter Gorden dhe Christian Eigner që janë me ne prej vitesh».
Ka ndryshuar edhe raporti juaj. Si është ekuilibri dysh në vend të ekuilibrit tresh?
«Mbetja dysh më ka shtrënguar mua dhe Martin të komunikojmë më shumë bashkë, më shumë sesa të tërhiqemi në drejtime të kundërta. Rezultati është edhe një album më bashkëpunues».
E kujtoni herën e fundit në të cilën keni parë shokun e larguar nga jeta?
«Hera e fundit ka qenë në dhjetorin e 2021 në prezantimin e diskut të projektit tim Imposter në Westminster Hall të Londrës. Përpara shout menaxheri im po më bënte të shikoja bukuritë e Parlamentit dhe prapa një dere të vogël u shfaq papritmas Fletch… Jemi përqafuar dhe më ka thënë se vinte nga pabi ku kishte takuar fansat. Jemi llafosur pak dhe qysh atëhere nuk e kam parë më, as nuk u dëgjuam bile».
Po të parën? Ishit në Basildon të Essex, nga ku ka filluar gjithçka në 1980?
«Atë herë e kujtoj fare mirë… Bënim provat në një vrimë pas një kishe që prifti na e kishte lënë ta përdornim në këmbim të një shume të vogël. Pastaj merrnin autobusin për t’u kthyer në shtëpi. Kujton se i patëm hipur një ditë teksa Fletch dhe Vince (Clarke, themeluesi që e la grupin pas albumit të parë, shënim im.) po diskutonin. Ndoshta Vince po i kërkonte llogari për paratë e autobusit që ia kishte huazuar një mbrëmje më parë, diçka të tipit “më detyrohesh 5 peni…”, dhe kjo ka vazhduar gjatë. Fletch ishte një njeri kategorik, dinte se çfarë shkonte dhe çfarë jo. Nga ana tjetër ishte i hapur, i pëlqente të ishte ai që në bar flet me të gjithë dhe që i bën të gjithë të ndjehen mirë. I pëlqente edhe të diskutonte; kemi diskutuar shumë unë dhe ai, por ai ka qenë edhe personi që më ka mbështetur më shumë. Nëse më ndodhte diçka teksa ishim on the road, nëse humbisja zërin apo tjetër, ishte i pari që telefonoja “Hej Dave, mos e vrit mendjen, do të rregullohet gjithçka” (imiton aksentin elegant të ish shokut tim, shënimi im.) dhe kur grindeshim ishte i parë që më telefononte për ta lënë aty».
Tek «My Favourite Stranger», një prej këngëve të diskut të ri, zbulojmë se e huaja e titullit jemi vetë ne që shihemi në pasqyrë…
«Ajo këngë flet të kesh një hije, dikë që të ndjek në çdo çast dhe të thotë gjëra. Dëgjon gënjeshtrën apo të vërtetën? Një këngë argëtuese dhe paksa e rrezikshme. Me muzikën ke nevoj të transportohesh në vende të ndryshme, nganjëherë janë vende që i ke përpara syve, në raste të tjera janë hapësira të hapura. Kjo është një këngë direkte, tip Suicide, Alan Vega, ka një ide pank të viteve ’70 njujorkeze».
Por nëse jemi i huaji juaj i preferuar, a mund të jemi edhe të jemi «Personal Jesus» ynë, për të cituar një prej hiteve tuaja më të famshëm?
«Nuk jam njeri fetar, aspak. Personal Jesus vinte nga një gjë që Martin po lexonte, një libër të Priscilla Presley ku ai e quante Elvis si Jezùsin personal. Pastaj është interpretuar në mënyra të ndryshme, siç ndodh me këngë të mira që bëhen ajo që të japin dhe për mua My Favourite Stranger dhe Personal Jesus provokojnë gjëra të ndryshme».
«Soul With Me» është një këngë që ju e këndoni me «faqe finale». Si do ta donit të ishte shkruar në faqen e fundit të Depeche Mode?
«Për momentin di se kemi përpara vetes këtë punë të madhe të diskut dhe një tur që do të ecë përpara, përfshi një seri datash që nuk janë lajmëruar akoma në Azia e Australi, deri në pranverën e 2024. Ja ajo që kam përballë tani, por nuk më vjen mirë t’i lë mendimet e mia shumë përpara në kohë, përndryshe më largojnë nga vendi ku jam. E di se është një gjë që u ndodh të gjithëve, por megjithatë kërkoj që ta jetoj monentin. Miku im Victor më thotë gjithmonë: “Bëji gjërat dhe gëzoji sikur të jetë hera e fundit që i bën”. Thjeshtë, por është një filozofi e mirë jetese».
Nganjëherë më duket në fakt se nëse jetojmë të famshmen, humbasim në ekranet e celularëve tanë…
«Fatkeqësisht, po… dhe unë jam fajtor siç jemi të gjithë. Ndodh që je i ulur dhe merr në dorë celularin, pa e ditur as pse-në. Më ndodh shpesh. Kështu që kam vendosur ta lë në shtëpi nëse dal të shëtis. Në këtë mënyrë kërkoj ta kuptoj në themeë atë që më ndodh përreth. Duket se po bëhet një gjë e së kaluarës ky qëndrim, nëse shikoj atë që ndodh në botën e vogël që është ekrani i një smartfoni. Atëhere zbulon bukurinë, dashurinë, por edhe mizori, urrejte, dhimbje, frikë… Ja se çfarë mendoj kur bëj muzikë apo kur jam në skenë».
(nga La Lettura)
Përgatiti
ARMIN TIRANA