Kandidati i PS në Vlorë, reagon dega e PD: Rama vendosi një anonim, s’e njeh as partia e tij

Partia Demokratike i cilësoi farsë zgjedhjet që Edi Rama bëri në Vlorë, ku anëtarësia votoi mes dy emrave për kryetar bashkie, atë të Fate Velajt dhe Ermal Dredha, ku ky i fundit u shpall dhe fitues.

Sipas Partisë Demokratike në Vlorë, Ermal Dredha është kandidat anonim, i sjellë nga shkretëtirat arabe. Këto deklarata i bëri Rezenbrik Serjani, Sekretar për Transparencën në PD VLorë.

Deklaratë e Partisë Demokratike Vlorë

Dje, vetë Ai, Lideri global, kryetari i sektit, Ai që di gjithçka, Ai që është çdo gjë, Ai që bën drejtorin, kryetarin e bashkisë, ministrin, kryeministrin, nëpunësin, komunalin e bahçevanin, e lloj e soj gjërash për të mbajtur me dorë të hekurt pushtetin e korrupsionit, ishte në Vlorë.

Në sallën e teatrit “Petro Marko”, i cili ishte vendosur, që pas rikonstruksionit të mos jepej për evente apo organizime politike, vetë kryetari i sektit Rama, bashkë me shpurën e tij servile, aktroi keq shfaqen më të shëmtuar të qytetit. Bëri sikur votoi kandidatin për kryetar bashkie të Vlorës.

Akti i djeshem, skenari i regjisorit Rama, e kryeaktorit, ishte hedhja në votim e dy emrave, ku njeri prej tyre do të duhej të dilte kandidati i sektit në Vlorë.

Përveç se një farse, përveç se një gënjeshtër e madhe, përveç se një shëmtim i shenjtërisë së votës, përveç se një pseudovotim, ajo e djeshmja nuk ishte asgjë tjetër.
Piktori i dështuar Rama, me aktin e djeshëm, me aktrimin e tij, bëri thjesht një karikaturë të votës dhe demokracisë.

Kujtojmë se për sektin fjala votë është koncept i panjohur, sepse vota sipas tij është Ai vetë, është Ai që voton, Ai që ul e ngre emra e mbiemra në çdo nivel kandidimi apo në post drejtimi.

Është Ai që ka deformuar demokracinë, pluralizmin dhe votimin e lirë, sepse në konceptin e tij autokrat Vota nuk ka vlerë. Rama vetem dikton. Rama vetëm sundon. Ai vetëm komandon !

Ditën e djeshme për Vlorën dhe vlonjatët, por edhe për të majtët e socialistët e ndershem, që Rama dhe deformimet e tij i kanë lënë gardheve, u performua një akt i shëmtuar, mesazhi i të cilës tregoi qartazi se mendja e sëmurë e psiqike e sektit Rama nuk njeh asnjë princip demokracie, Ai njeh vetëm veten në pasqyrë !

Askush nuk u zgjodh dje me votë, ajo e djeshmja tregoi se një tjetër pako kandidimi na erdhi nga larg për Vlorën, kësaj radhe na erdhi nga shkretëtira e largët arabe , pasi sipas tij vetëm vlonjatët që gëdhihen e ngrysen në këtë qytet nuk mund ta drejtojnë atë, sepse ai e urren këtë qytet dhe qytetarët e tij.

Rama për këtë qytet kandidon njerëz e emra që t’i kontrollojë vet, sepse ai do t’i bëjë të gjitha, sepse ndoshta ka qenë një shlyerje borxhi e dikujt ndaj dikujt.

Pakua e kandidimit që erdhi dje në Vlorë, një emër që nuk e njeh as partia e tij, përveç se e kanë parë në foto instagrami e facebuku, nuk kanë qoftë edhe një kontakt me të.

Pakua e djeshme, në fakt nuk ishte një surprizë, pasi emrin e tij e kishte prej kohësh në xhep, duke e nxjerrë si prestigjator cirku.

Ështe një njeri-pako që hallet e Vlorës nuk i njeh por akoma më shumë Vlora nuk e njeh atë.

I kujtojmë kryetarit të sektit, kryeaktorit,kryeregjisorit, Rama se Pakon që solli dje për Vlorën do e marri mbrapsht në 14 maj!

About Redaksia

Check Also

Brain Gain si kthim doktrine për Kombin!

Nga Blerim VAKAJ  Jetojmë në një kohë kur pak kush pyet për doktrinën, filozofinë apo …

Leave a Reply