“Jo!” goditjes me plumb ndaj fjalës së lirë!

Nga Bujar LESKAJ

Sulmi i natës së kaluar ndaj godinës së televizionit kombëtar Top Channel, përfaqëson një goditje të eger ndaj demokracisë, lirisë së fjalës dhe mendimit të lirë në Shqipëri, e realizuar nga krimi i rrugës ose nga krimi i organizuar.

Policia dhe prokuroria, autoritetet ligjzbatuese duhet të veprojnë me përgjegjësi dhe tempizëm maksimal, për të zbardhur ngjarjen e për të çuar drejt hekurave dhe dënimit shembullor penal autorët e këtij akti të dhune ekstreme, që synon të traumatizojë dhe të frikësojë median e lirë.

Kurrë më parë krimi tek ne nuk ka patur kurajon të godase me plumba një institucion të fjalës së lirë. Ky është një atentat që i bëhet jo vetëm një televizioni kombëtar, por të gjithëve Ne që e duam Shqipërinë demokratike dhe pa shtet të kapur.

Sulmi i një natë më parë i mori jetën një njeriu të pafajshëm dhe hallexhi, një përfaqësuesi të shtresave në nevojë, të cilave shteti dhe qeveria u ka shumë borxhe për mos mbështetjen dhe mungesën e ndihmës për një jetesë dinjitoze.

Duke i shprehur ngushëllimet familjes së të ndjerit punonjës të sigurisë që dora e krimit e ndau nga familja e tij, kërkoj me forcë sjelljen përpara drejtësisë të autorëve të këtij akti kriminal.

Solidarizohem me të gjithë punonjësit e Top Channel, televizionit më të madh të vendit, por edhe me të gjitha mediat e lira që sot provojnë sulme, goditje selektive dhe kërcënime nga shumë segmente të këtij shteti të kapur, si News 24, Gazeta “Panorama”, Balkan web, apo dhe televizione të vendosura nën trysni si Syri TV, etj.

Të gjithë qytetarët e këtij vendi presin nga organet ligjzbatuese kapjen jo vetëm të autorëve, por edhe ideatorëve të këtij sulmi të pashembullt. Ne duhet t’i themi “JO!” goditjes me plumba ndaj fjalës së lirë! Shoqëria jonë duhet të jetë e gjitha e bashkuar përpara ofensivës së krimit mbi median.

Sulmi ndaj medias është sulm ndaj vetëdijes sonë sociale. Nuk ka pasiguri dhe errësim më të madh për ndërgjegjen e një kombi dhe Shteti, se sa goditja e stilit mafioz mbi institucionet e fjalës së lirë.

Plumbat mbi Top Channel përbëjnë një këmbanë alarmi edhe ndaj rasteve të fundit të goditjes selektive të qeverise ndaj mediave kritike ndaj saj dhe pronarëve të tyre.

About Redaksia

Check Also

Kur mediat nuk kanë interesin publik primar, por pagesat nga inceneratorët…

Nga Adriana KALAJA Sot gjithë mediat që paguhen nga inceneratorët, dhanë lajmin e dosjes së …

Leave a Reply