Berisha: Shqipëria na fton të votojmë ndryshimin, unë kam besim të madh se ju do bindni çdo qytetar

FJALA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA NË PREZANTIMIN E KANDIDATIT NË CËRRIK, SERVET DUZHA
Të dashur qytetare dhe qytetarë, banorë të Cërrikut, vëllezër dhe motra, zonja e zotërinj, një përshëndetje të përzemërt për këtë takim fantastik, superentuziastë.
Përshëndetje gjithashtu banorëve e qytetarëve të Cërrikut, kudo që ndodhen sot, në këtë rreth, në këtë bashki, emigracion dhe diasporë.
I dashur zoti Flamur Noka, sekretar i Përgjithshëm i PD-së dhe drejtues politik për qarkun e Elbasanit. E dashur zonja Nadire Asllani, kryetare e PD-së dega Cërrik.
I dashur zoti Servet Duzha, kryetari ynë i ardhshëm i bashkisë së Cërrikut, qytetar i parë i ardhshëm i kësaj bashkie.
Të dashur miq, Arbiola, Hiqmet dhe të gjithë sa jeni këtu në këtë sallë.
Është nder dhe kënaqësi për mua të paraqes para jush, kandidat për qytetar të parë të Cërrikut, Servet Duzhën. Servet Duzha është një nga veprimtarët më të përkushtuar të PD-së, sikundër edhe njëri prej qeveritarëve vendorë më të suksesshëm që kjo parti ka patur, qeveritarin vendor të Bashkisë Cërrik.
Më 14 maj, ju ftoj të votoni Servet Duzhë, të cilin ju e njihni në të gjitha aspektet. Njihni vlerat e tij menaxhuese, vlerat e tij drejtuese, vlerat e larta familjare dhe morale, ndjeshmërinë, dhembshurinë dhe dashurinë që ka për ju, për Cërrikun, transparencën e tij, përkushtimin e madh që të ndryshojë me të gjithë mundësitë për mirë, jetesën tuaj dhe gjendjen në Cërrik.
Serveri dhe tani, këtë radhë, të gjithë kandidatët tanë për kryetar bashkie kanë edhe një veçanti tjetër. Ata nuk janë më kandidatë të kryetarit apo kryesisë së partisë, por janë kandidatë të vullnetit tuaj, të besimit tuaj, të votës tuaj, janë kandidatë të lirisë. Dhe kjo ju garantoj ju është një arritje e madhe, është një respekt, një përmbysje e praktikave të mëparshme të përfaqësimit tuaj.
Në rast se deri dje ai që ju përfaqësonte ju sygjerohej nga kryetari apo kryesia, sot ai varet direkt nga ju, nga vota juaj dhe ai e di se duhet të

derdhë djersë, të punojë me përkushtim që përsëri ta meritojë këtë votë. Dhe kjo është forma më e shkëlqyer e përfaqësimit të qytetarëve dhe përgjegjësia më e lartë ndaj tyre.
Miqtë e mi!
Më 14 maj jeni të ftuar të votoni Servet Duzhën, të votoni ndryshimin në mënyrë që të gjithë potencialet e kësaj bashkie, të gjitha të ardhurat, resurset, mundësitë, të ju rikthehen ju në shërbime, të rikthehen në punësim, mbështetje, zhvillim.
Pra, ky ndryshim është një ndryshim shumë i madh, krahasuar me qeverisjen aktuale, e cila është një klonim, një klonim i qeverisjes qendrore, një qeverisje pa transparencë, qeverisje në të cilën taksat tuaja, paratë tuaja, shpërdorohen nga një grup i ngushtë familjarësh, të afërmish të qeveritarëve vendorë, njëlloj siç shpërdorohen në Tiranë nga një grup i ngushtë i klientelës dhe të afërmve të Edi Ramës.
Ju dëgjoni se kreu aktual i bashkisë shpërndan tendera për familjarët e tij. Ky imiton Edi Ramën. Baxhanaku i Edi Ramës ka fituar qindra tendera, në një kohë kur ligji e përjashton atë nga tenderat.
Familjarët e kryeministrit nuk mund të marrin pjesë në tendera. Në asnjë tender publik nuk mund të marrë pjesë një familjar i kryeministrit. Kjo nuk ndodh në një vend demokratik, sepse ai përdor influencën e njeriut të tij kryeministër për të fituar me të padrejtë, ndaj dhe ligji i përjashton ata. Ligji quhet ‘ligji i konfliktit të interesit’. Ky ligj nuk ekziston për Edi Ramën. Fangu i tij, që quhet baxhanaku, fiton direkt me dhjetëra e dhjetëra tendera. Thjeshtra e tij, dhe unë e di që e ëma revoltohet me mua kur ja përmend, dhe unë nuk dua të ja përmend, se nuk dua të përmend një vajzë, por i them zonjës, hiqe të mos marrë pjesë në tendera.
Nuk i takon thjeshtrës së kryeministrit të fitojë shumicën e tenderave për projektimet. Por këta nuk kanë kod, nuk ndjekin asnjë kod, asnjë ligj dhe në këtë mënyrë, ka një vjedhje e shpërdorim të papërmbajtur të fondeve publike. Ndaj dhe ky ndryshim me 14 maj, është i rëndësishëm për shoqërinë shqiptare, për Cërrikun, siç është ajri për zogjtë.
Ne po zhytemi çdo ditë e më shumë në skamje, varfëri dhe unë deklaroj këtu, çdo qytetar i Cërrikut, çdo qytetar shqiptar që ndjehet më mirë se 8 vite më parë të mos votojë ndryshimin, të votojë për vazhdimësinë. Por u bëj thirrje shqiptarëve të cilët e ndjenjë veten se këto 8 vite, siguria e tyre nuk është kurrë ajo që ka qenë, mirëqënia e tyre ka ardhur në rënie. Me rrogat dhe pensionet e tyre, blejnë shumë më pak se 8 vite më parë, se biznesi i tyre është kufizuar, të votojnë ndryshimin.

Përndryshe, vitin tjetër dhe çdo vit ne do të shkojmë thellë e më thellë në dramën tonë.
Në datën 14 maj ne vërtetë votojmë për qeveritarët tanë vendorë, votojmë për kryetarin e bashkisë, por këto zgjedhje janë, zgjedhjet e jetës tonë. Janë zgjedhjet më të rëndësishme që kemi bërë nga viti 1992 e deri më sot.
Në 1992 me votën tonë, ne paqësisht u ndamë me sistemin monist, me sistemin e diktaturës më staliniste në Europë dhe nisëm rrugën e re. Në këtë rrugë ne që ishim njëri nga 3 kombet më të varfra të planetit me vetëm 204 dollarë për frymë, arritëm në 2008 të rreshtohemi me kombet me të ardhura të mesme të larta.
Arritëm të jemi të parët në rajon për rrogat mesatare. Të marrim rrogat mesatare më të larta se vendet e tjera, përfshirë bullgarët dhe rumunët, që ishin anëtarë të BE-së. Lumejtë e djersës tuaj ishin ato, por ishte edhe një gjë, ishte edhe një administrim tjetër i parave tuaja dhe një vullnet i hekurt që qeveria të bënte ç’kishte në dorë për të përmirësuar gjendjen tuaj ekonomike, për të lehtësuar varfërinë tuaj, për të bërë që ju dhe bizneset të mëkëmbeni gjithnjë e më shumë.
Në ato vite përsëri shqiptarët lëviznin, por nga viti 2007-2014, numri i popullsisë në Cërrik, Elbasan, Shqipëri u rrit çdo vit. Nuk ishim të pasur, por varfëria që kishim, ishte një varfëri në zvogëlim. Kishte shpresë, çdo njeri e shikonte se vitet po vinin gjithnjë e më të mira në tërësi. Dhe kjo kishte një shkak themelor, sepse të ardhurat tuaja ju ktheheshin ju. Të ardhurat tuaja, ktheheshin në rroga, pensione, në rrugë, në shkolla, në kanalizime, në ujësjellësa, dhe kishte shpresë.
Shqipëria ka potenciale të jashtëzakonshme kudo. Ky është një vend, pothuajse parajsë tokësore. Por çfarë ndodhi këto vite. Pse këto vite u larguan nga Shqipëria nga 2014 deri në vitin e kaluar, vetëm në hapësirën e BE-së, 937 mijë shqiptarë, kurse në të gjithë botën, më shumë se 1.1 milionë. Pse në 8 vite u largua 35% e popullatës.
Lufta që ka dëmtuar më shumë shqiptarët, ka qenë lufta e parë botërore dhe luftërat ballkanike që e shoqëruan. 7 fuqi të huaja kanë shkelur në trojet tona, 10 e popullatës u pakësua, u zhduk apo u largua. Kurse në këto 8 vite, asnjë fuqi e huaj nuk ka shkelë në këtë tokë dhe nga ky regjim është larguar 35% e popullatës. Secili nga ne ka 1/3 e njerëzve të tij të dashur më pak në Shqipëri. Kështu i ka edhe shoqëria shqiptare.
Çfarë ndodhi? Duhet të ja shtrojmë këtë pyetje vetes, duhet të ndalemi. Sikur Shqipëria të kishte gojë, vetëm këtë kërkesë do shtronte ndaj nesh; Pyesni njëherë pse ikin në këtë mënyrë shqiptarët?

Shqiptarët po ikin sepse buxheti i tyre, pasuritë e tyre janë shndërruar në një mallkim për ta. Se Shqipëria, Cërriku, nga një vend i bekuar janë shndërruar në një vend të mallkuar. Po, qytetarët shqiptarë duhet ta dinë se ata janë njerëzit më të vjedhur në Europë dhe botë sot.
Kontrolli i lartë i Shtetit, vitin e kaluar ka gjetur zyrtarisht se qeveria vodhi dhe shpërdoroi 122 miliardë lekë. 122 miliardë lekë janë 1.1 miliardë euro. Në 9 muaj, 1.1 miliardë euro janë 130% fondi i përgjithshëm i pagave në Shqipëri. Me aq sa janë vjedhur, nëse qeveria do të kishte vullnet, mund të dyfishonte çdo vit rrogat.
Qeveria jo vetëm që nuk i dyfishoi rrogat, përkundrazi rriti çmimet. Në kapitalizëm nuk janë kurrë qeveritë që rrisin çmimet, çmimet i rri tregu, i rrit kërkesa, ka një mekanizëm krejt tjetër. Në Shqipërinë e Edi Ramës, çmimet i rritën bordet, caktoi bordet. Çfarë ndodhi? Mblodhi 520 mln euro më shumë taksa. Që të gjitha qindarkë për qindarkë paratë tuaja, sepse çdo gjë që bletë në dyqan e bletë me çmimet e bordeve dhe natyrisht, TVSH-ja e të gjitha gjërave që blihen u rrit në proporcion me çmimin.
Çdo qeveri që ka dhembshuri, ka ndjeshmëri ndaj shtrëngicës ekonomike të qytetarëve, ato do ti kthente 1 për 1 tek qytetarët. Dhe këtë e bënë të gjitha qeveritë. E bëri dhe Kosova. Iu dha pensionistëve 100 euro, ua shtoi pensionin. Ua shtoi 100 euro sepse çmimet po u rritën, vështirë që ulen ato, ligj i tregut ky. U dha studentëve 100 euro, rrogëtarëve 120 euro. Ato që mblodhi i shpërndau.
Me këto që mblodhi Edi Rama mund të rriste rrogat 70 %, por të themi rroga e pensione me 40%. Përkundrazi, asgjë, përkundrazi sot blihet me rrogën 30% më pak se sa blihej në vitin 2013.
Çfarë ndodh me pasuritë publike. Pasuria më e madhe publike sot, është porti i Durrësit për shqiptarët. Nëse e nxjerr në tregun botëror, Porti i Durrësit, vlera e tij me truallin përreth 800 mijë metra katrorë, me portin në det e të gjitha shkon miliarda e miliarda. Çfarë ndodh me portin? Ka gjetur një arab miliarder dhe tani ky do të bëhet si arabi miliarder dhe hajde ndajmë portin.
Shpiku pasaportën e artë, do marrin pasaportë të artë ata që do të blejnë apartamentet e Ramës dhe Alabarit në Durrës. Po ka vjedhje më monstruoze se kjo. Më kujtohet njëherë një avokat i madh amerikan të cilin presidenti Xhorxh Ë. Bush e kishte mik dhe e emëroi ambasador të SHBA në OSBE.
Erdhi dhe vizitoi Shqipërinë dhe më tregon; gjatë karrierës time kam pasur disa miliarder klientë, që ishin me procese gjyqësore, por problemi im me ta ishte se asnjëri nuk ishte nga ata që të mos donte të vidhte edhe një miliardë

tjetër. Oreksi vjen duke ngrënë, i tillë është edhe Edi Rama, kalon nga një aferë në tjetër.
Merrni djegësat. Djegësat 420 mln euro, që të gjitha vepër e tij personale. Po, ju e keni dëgjuar që për djegësin e Elbasanit janë përgatitur brenda 24 orëve 17 dokumente nga të gjitha institucionet, rast i jashtëzakonshëm. Se burokracia nuk është kurrë e rrufeshme. Sikur të ishte një emergjencë kombëtare.
Arben Ahmeti e tha; nuk e kam lëvizur unë qeverinë, qeverinë e ka lëvizur ai. Sigurisht e ka lëvizur Edi Rama dhe firmosi në kundërshtim flagrant me ligjin, i cili nuk lejon firmosje kontratash me negociata të mbyllura, kurrë. Një kryeministër kurrë nuk mund të firmosë një kontratë për të cilën, enti shtetëror i specializuar që është agjencia e prokurimeve publike, thotë me shkrim, se kjo është e kundraligjshme.
Kryeministri mund të shkojë në parlament dhe të ndryshojë ligjin, por kryeministri atë kontratë pa ndryshuar ligjin nuk e firmos kurrë. Atë kontratë e firmosi Edi Rama sepse sipërmarrja ishte e tij, sepse sipërmarrja e Fierit, e Tiranës është e tij.
Dhe keni parë ju, arrestuar ky filani, etj., me radhë, por djegësat nuk janë konfiskuar. Çdo ditë u jepen djegësve nga 100 mijë euro. Çdo ditë, qytetarët e Tiranës dhe gjithë qarkut paguajnë për një ton plehra, 28 euro. Çdo ditë të gjitha mbetjet që prodhohen duhet të derdhen në Sharrë, në minierën e floririt të Edi Ramës dhe Erion Veliajt.
Po të rrimë të ndalemi në historitë e vjedhjeve të tyre nuk ka fund. Vetëm tendera sekretë, që janë të ndaluar me ligj, lejohen vetëm për SHISH dhe për Prokurorinë e Përgjithshme sepse ata mund të blejnë gjëra që u duhet të mos bëhen publike blerja e tyre. Askujt tjetër, sot vetëm AKSH-i, agjencia që varet direkt nga Edi Rama ka firmosur 250 prokurime sekrete.
Çfarë ndodh? Kush futet aty në mënyrë sekrete te paratë tuaja. Nuk janë paratë e Edi Ramës ato, aty futet baxhanaku i tij, klientela dhe paratë zhduken. Paratë tuaja, borxhi që merret për tu paguar po nga qytetarët, shkon për të pasuruar qëveritarët dhe klientelën e tyre.
Nëse kjo qeveri do të kishte dëshirë dhe ndjenja për të ndihmuar qytetarët, vetëm me borxhin që ka marrë prej 5 miliardë Euro, mund të kishte rritur rrogat e shqiptarëve, 6 herë, mund të kishte rritur pensione dhe rroga 3 herë. Asgjë të tillë nuk e ka bërë. Tani si një njeri që nuk njeh ligj, që nuk përfill ligj, normë e asgjë, thotë se do të ju japë pensionistëve, në kundërshtim flagrant me kodin, 50 mijë lekë, u premtoi 80 mijë.

Çdo pensionisti i them ti gëzoni ato, pavarësisht se ai njeri nuk ka ligj e moral, por ju ti gëzoni dhe ju garantoj ju se në aktet e para të qeverisë së ardhshme do të jetë dyfishimi i rrogave dhe pensioneve dhe më shumë dhe se Shqipëria dhe shqiptarët, do të ngjiten përsëri në krye të rrogave dhe pensioneve në rajonin tonë. Sepse Shqipëria dhe shqiptarët kanë një vend më të pasurin në këtë rajon.
Pasuritë përrallore të Shqipërisë nuk i ka asnjë vend tjetër dhe kjo mjafton që këto pasuri të shfrytëzohen, të kthehen në mirësi për qytetarët e vet.
Çfarë ndodh me fermerët shqiptarë. Ua them këtu, qëndrimi që mban qeveria ndaj fermerëve, është absolutisht më i keq, më i lig se sa po të ishte një pushtues i egër. Në kushtet e tregut, çdo vend, çdo qeveri, subvencionon prodhimin bujqësor, subvencionon për sipërfaqe, subvencionon për prodhim, subvencionon për përpunim. Asnjë vend nuk humbet nga kjo, përkundrazi, të gjithë fitojnë. Subvencioni në bujqësi është; fitore për të gjitha palët. Çfarë ndodh në Shqipëri, vjet e kishte 5.1 miliardë lekë, sivjet e ka zbritur në 3.2 miliardë lekë.
Nga këta 3.2 miliardë lekë i ka përcaktuar për ngritjen e tregjeve shtetërore, dmth; shteti i jep para shtetit. Çfarë ndodh në Kosovë, Maqedoni, Serbi, Mal të Zi, nuk po ndalem në Europë unë, në BE. Kosova për çdo hektarë grurë jep subvencionin për sipërfaqe, subvencionin për plehra, subvencionin për kilogram prodhim. Së bashku kalon mbi 400 euro hekrati/
Çfarë ndodh në Kosovë, çdo hektarë sera subvencionohet me 1000 mijë euro, çdo hektarë zarzavate në fushë subvencionohet me 500 euro. Patatja dhe grosha çdo subvencionohen me 800 euro. Çdo lopë subvencionohet me 90 euro. Çdo dhi, dele, derr subvencionohet me 25 euro, çdo bletë me 25 euro. Po sa e ka buxheti Kosova thoni ju, gjysmën e buxhetit të Shqipërisë, 2 miliardë, 4 e kemi ne.
Por qeveria e Kosovës paratë nuk i përdor për të fluturuar kryeministri 137 herë me avion me dhomë gjumi si sulltan dhe pa pyetur se të rinjtë marrin gomonet dhe largohen nga Shqipëria. Qeveria nuk i lejon vetes kurrë te blejë jnë vazo për oborrin e pasëm të zyrave të tij, 4 mln euro vazon e drurit. Pse e bën këtë, e bën këtë si cinizëm ndaj jush, si një njeri që ka ndjenjat më minimale njerëzore për mundin tuaj, djersë, shpenzimet tuaja, shtrëngicën tuaj, nuk ja lënë vetes kurrë një gjë të tillë. Por ai e konsideron veten një qenie superiore.
A duhet ne pra të vazhdojmë në këtë mënyrë? Nëse ne vazhdojmë në këtë mënyrë, ne bëhemi me indiferencën tonë, promotorë, nxitës të këtij rrënimi të vendit tonë. Ne votojmë për vjedhjen tonë, ne votojmë për varfërimin tonë, ne votojmë për shkretimin e Cërrikut, ndaj dhe duhet të votojmë ndryshimin, duhet të votojmë Servet Duzhën.

Vërtetë këto janë zgjedhje lokale, por janë zgjedhjet e jetës tonë, me të cilat ne i themi kësaj organizate kriminale që përdor paratë tona vetëm për tu pasuruar vetë dhe klientela e tij se; ne nuk u pranojmë më tutje, se ne do të bëjmë gjithçka për të ndryshuar Cërrikun dhe Shqipërinë, se ne nuk na mashtroni dot më.
Çfarë mashtrimesh nuk lëshojnë. Kreu i Bashkisë së Tiranës, kryeqytetit u thotë qytetarëve; e mboll edhe pemën e 1 miliontë. Po a ka paturpësi, çfarë ti thuash. Por 1 mln pemë, po qe se ke mbjellë janë 6 mijë hektarë minimumi se me standarde normale janë 8 mijë hektarë, po ta zemë, 6 mijë. Por 6 mijë hektarë janë dhjetë herë parku i madh i liqenit të Tiranës.
Por çfarë ndodh me 1 mln, vjedh ai, vjedh paratë e fidanëve. Ai thotë mbolla 1 mln, fidanët i ka blerë dhe thotë se i bleva me 20 euro dhe ja ku avullojnë në xhepat e tij dhe klientelës së tij, 20 mln euro dhe tjerët ti thonë, aferim more Erjon se na bëre më pyll, pyll të madh na zgjerove mushkëritë e kryeqytetit. Këta nuk kanë skrupull, as ndjenja nuk kanë.
Shqipëria na fton të votojmë ndryshimin dhe unë kam besim të madh, se ju gjer me datën 14 maj do të bëni gjithçka për të bindur çdo qytetar të Cërrikut, çdo demokrat, socialist, të paparti, të bashkohet me ne. Të firmosë ndryshimin sepse këto janë zgjedhjet e jetës tonë.
Ky është një shans i madh, këto janë zgjedhje për një mision të madh; të rivendosim pluralizmin politik në Shqipëri. Monizmat kanë qenë dramat më të rënda kombëtare për popujt. Ne shqiptarët e dimë më mirë se kushdo tjetër.
Ky monizëm është po aq i zi sa i pari, bazohet në krimin, drogën dhe vjedhjen.
Ky monizëm ka bërë jetën tonë plotësisht të pasigurtë.
Ky monizëm po rrënon çdo ditë buxhetet familjare, bizneset, ka një rrugë dhe kjo rrugë është ndryshimi. Votoni ndryshimin, votoni Servet Duzhën.
Rrofshi ju, rroftë populli i Cërrikut, rroftë Shqipëria!

About Redaksia

Check Also

Berisha: Garantoj çdo prind se do të paguhet për çdo fëmijë në mënyrë që të mos u mungojë më asnjë vakt

Lideri i opozitës, Sali Berisha ka premtuar se me ardhjen në pushtet të Partisë Demokratike, …

Leave a Reply