Kryetari demokrat, Sali Berisha, tha në seancën e sotme në Kuvend, se po miratohet një ligj ndëshkues për profesionet e lira, që do nxisë shpopullimin nga shtresa e mesme.
“Kjo seancë kushtuar ujit është një turbullirë e vërtetë. E përdor ujin si një mjet ndëshkimi ndaj qytetarëve.
Në aktin e parë, ia rritën çmimin me 40 përqind, në një kohë kur Shqipëria në rajon, është vendi më i pasur me ujëra. Në ligj dhe moral, ujit duhet të shkojnë duke ia ulur çmimin deri në dhënien falas, për shkak të rezervave natyrore që kemi.
Ju e rritët çmimin me pretendimin se duhet të garantojmë ujë 24 orë. Por Ujësjellësi i Tiranës garanton humbje 62 përqind sipas raportit të Entit Rregullator të Ujërave. I Durrësit, për të cilin u investua një kredi shumë e madhe e Bankës Botërore, ka humbje sot 71 përqind. Ju i dërguat drejt falimentimit të vërtetë këto sipërmarrje të mëdha,” tha Berisha.
“Por në kuadrin e të këqijave që mbillni çdo ditë në këtë vend, kjo është një e keqe që po harrohet, në kuptimin se ju kaloni sot një ligj ndëshkues për profesionet e lira. Një ligj që krijon kushte të kalkulueshme për shpopullimin e Shqipërisë. Krijimi i kushteve të kalkulueshme vlerësohet nga OKB si akt gjenocidal.
Keni përzënë në 8 vite 35 përqind të shqiptarëve, por ju nuk jeni të ngopur. I jepni goditje fatale edhe shtresës së mesme, ekzistenca e të cilës është jetike për Shqipërinë.
Qytetarët shqiptarë kanë nevojë jetike për stomatologun, kontabilistin, avokatin, pra për të gjithë ata që quhen profesione të lira. Ju me një të rënë të lapsit, doni t’i përzini ata nga Shqipëria.
Unë dënoj miratimin e këtij ligji si një ligj që krijon kushte të kalkulueshme për largimin e ekspertëve nga Shqipëria dhe shkatërrimin e shtresës së mesme, shtresë që nuk u përshtatet, nuk ndjek politikat tuaja, përkundrazi ajo i denoncon çdo ditë ato,” theksoi kryetari demokrat.