Skandali/Po zhvendosen 35% e zgjedhësve, Rama po përsërit manipulimin si 20 vite më parë

DEKLARATË PËR MEDIA E SEKRETARIT PËR ÇËSHTJET LIGJORE NË PD, IVI KASO

Ministria e Brendshme ka manipuluar listat, duke zhvendosur, jo pak por 35% të zgjedhësve të 14 majit. E thënë në numra të saktë: plot 1,276,418 zgjedhës janë zhvendosur në adresa që i di qeveria, por jo qytetarët. Edhe pse Auditi i Komisionerit Zgjedhor e ka zbuluar dhe theksuar këtë shkelje të rëndë, që minon zgjedhjet, Ministria e Çuçit dhe Ramës, vazhdon me të njëjtin plan që do ta kthente 14 majin, jo në ditë zgjedhjesh, por në një Google Maps që ka marrë virus.

Ky është skenar i njëjtë me të vitit 2003, ku zgjedhësve u ndryshohej qendra e votimit pa kërkesën, apo miratimin e tyre. Edi Rama po përsërit teknologjinë e manipulimit të para 20 viteve, kur qeveria manipuloi listat që të zgjidhej ai në krye të Bashkisë. Është një fushë që e njeh, dhe e vetmja fushë ku ai fiton është hilja. Por ky nuk është vetëm shpikje dhe problem i Ramës. Nëse vazhdohet në këtë rrugë do të jetë një gozhdë e re në arkivolin e procesit zgjedhor të 14 majit.

Raportet audituese të ekspertëve zgjedhorë nxjerrin në pah se Çuçi e ka futur në kaos regjistrin e zgjedhësve me qëllim që të frustrojë zgjedhësit, dhe ata të mos votojnë më 14 maj.

Kodi Zgjedhor parashikon qartë procedurat e publikimit dhe njoftimit me shkrim të zgjedhësve, për qendrat e votimit në njësitë përkatëse vendore. Ndryshimi i qendrave të votimit cënon rëndë parimin e sigurisë juridike të zgjedhësit, dhe ndikon direkt në të drejtën e votës. Zgjedhësit janë njoftuar njëherë më parë për qendrën e votimit, dhe vetem kur të paraqiten në atë qendër, do te mësojnë se u është ndryshuar. Kjo do të krijojë radhë dhe pështjellim gjatë procesit të votimit dhe, sigurisht, do të ketë efekt duke e vështirësuar apo penguar ushtrimin e të drejtës së zgjedhjes.

Kjo do të ndodhë sepse është përpjekje për të nxjerrë nga loja sistemin e identifikimit biometrik i cili do të përmbytet nga kerkesat per votim ne qendren e gabuar.

Ligji e thotë qartë: Asnjë ndryshim nuk bëhet pa kërkesë e zgjedhesve në zyrën e Gjendjes Civile. Kjo që ka ndodhur është shtrembërim i listës duke manipuluar rregjistrin e gjendjes civile.

Partia Demokratike dhe koalicioni “Bashkë fitojmë”, kerkojnë qe listat të kthehen, siç ishin para këtij manipulimi. Çdo veprim që minon një nga të drejtat themelore kushtetuese të shqiptarëve do të përballet me përgjegjësi penale.

Ne nuk do ta lejojmë që kjo të ndodhë, dhe u kërkojmë organeve ligjzbatuese që ta ndalin këtë masakër mbi procesin zgjedhor.

Ne do të informojmë ODHIR, dhe të gjitha organizmat e monitorimit të zgjedhjeve, të cilëve u bëjmë thirrje që sot, para se të jetë vonë, që të shpëtojnë zgjedhjet në Shqipëri nga manipulimi i radhës në shkallë industriale.

About Redaksia

Check Also

Qeveria Rama do të japë prokurimin publik me prokurim publik, Bozdo: Shqiptarët do paguajnë 170 mln euro më shumë

DEKLARATË PËR MEDIA ANËTARI I KRYESISË SË PD, ENO BOZDO Qeveria Rama ka vendosur të …

Leave a Reply