Berisha: Më 14 maj janë zgjedhjet e jetës sonë!

Kryetari i PD, Sali Berisha tha nga Dibra se, më 14 maj janë zgjedhjet e jetës sonë, çdo dibran dhe çdo shqiptar, me votën e vet, vendos, firmos fatin e Shqipërisë, vendos të ardhmen e Shqipërisë! Ai tha se, duhet të ndalim shpopullimin.
“Të mos harrojmë se me 14 maj janë vërtet zgjedhjet për qeveritarët vendore, por me 14 maj janë zgjedhjet e jetës sonë.
Më 14 maj, çdo dibran dhe çdo shqiptar, me votën e vet, vendos, firmos fatin e Shqipërisë, vendos të ardhmen e Shqipërisë.
Nëse analizojmë situatën tonë, ne jemi në një rrokullisje që nuk mbahet mend.
Dibra po pakësohet dhe shkretohet me një shpejtësi të rrufeshme. Po kështu Shqipëria. Kurrë ndonjëherë në historinë e këtij kombi, nuk janë larguar në 8 vite, 35 përqind e shqiptarëve.
Asnjë luftë, asnjë betejë, asnjë fatkeqësi, asgjë nuk ka përzënë shqiptarët nga trojet e tyre sa ka zënë ky regjim në 8 vite.
Po pse, çfarë ndodh?
Në rrafshin politik ka ndodhur një mynxyrë e vërtetë. Në Shqipëri është vendosur monizmi. Edi Rama kontrollon sot çdo pushtet në vend, përveç bashkisë në Shkodër. Edi Rama kontrollon sot 10 përqind më shumë pushtet se Ramiz Alia në vitin 1991.
Rama kontrollon çdo pushtet dhe i përdor ato në shkelje flagrante të ligjeve dhe të Kushtetutës.
Në rast se ju bëni këtë analizë, atëherë për çdo shqiptar është e qartë, monizmat në histori kanë qenë dramat më të mëdha të kombeve.
Ky monizëm i dytë po na përzën nga trojet. Po në përzë në një mënyrë të pamëshirshme.
A do vazhdojmë ne ta braktisim këtë vend, i cili ka çdo pasuri, i cili ka kapacitete dhe pasuri për 10 herë më shumë shqiptarë sa ç’janë sot.
A është kjo një thirrje që vjen nga thellësitë e kësaj toke? Sikur Shqipëria të ishte zë, a nuk do ushtonte në katër anët me thirrjen: pse po braktisni, pse po largoheni?
Nëse në 8 vite u larguan 1 milionë, çfarë do ndodhë me ne pas 8 vitesh të tjera, pas 16 vitesh?
Si mund të pranojmë ne një situatë të tillë? A duhet ne të blejmë dhe shesim vota apo duhet të përzëmë këtë regjim monist, i cili po sillet me shqiptarët më keq se çdo pushtues. I cili po përzënë shqiptarët sa asnjë pushtues tjetër.
A mundet ne të rrimë soditës? A mundet ne të vazhdojmë të përgjumur? A mundet ne të vazhdojmë të shesim votën me 100 euro apo 300 euro? Ne nuk mund të mashtrohemi nga njerëz pa moral.
A duhet të flasim me veten tonë të gjithë se cilat janë përgjegjësitë tona? A duhet të ndalemi pak te detyrimet që kemi ndaj fëmijëve tanë?
Koha thërret çdo shqiptar, t’i dëshmojë një grimë dashuri Dibrës dhe Shqipërisë. Se meriton shumë më tepër. Fajin e ka regjimi i Edi Ramës, faj kemi edhe ne nëse nuk e ndëshkojmë me votën tonë.
Të mos bëhemi bashkëfajtorë në këtë dramë kombëtare”, u shpreh Berisha.

 

About Redaksia

Check Also

Berisha paralajmëron Ramën: Javët që vijnë…

Gjatë fjalës së mbajtur para gazetarëve, kryedemokrati Sali Berisha ka paralajmëruar Edi Ramën, që të …

Leave a Reply