BIRN: PS shkel ligjin, fushatë me paratë e shqiptarëve

Më 30 mars, gati një muaj e gjysmë përpara zgjedhjeve lokale, një grup banorësh në fshatin Shalës të Cërrikut u mblodhën në një rrugë ende të paasfaltuar për të pritur deputetin socialist, Damian Gjiknuri dhe kryetarin e bashkisë, Andis Salla.

Sipas një videoje të publikuar në Facebook, Gjiknuri dhe Salla folën për suksesin e shtrimit të rrugës dhe premtuan projekte të reja të qeverisë në funksion të banorëve të zonës.

“Mua më vjen mirë që Andi ka hap një sërë kantieresh këto kohë, po bën punë të mira. Jo se dua t’i bëj qejfin, por nuk është rastësi pse ne e rizgjodhëm kandidat për të drejtuar bashkinë e Cërrikut..,” tha Gjiknuri gjatë takimit me banorët.

Por ajo që ndoshta nuk dinin banorët është fakti se Gjiknuri dhe kandidati socialist për Bashkinë e Cërrikut e zhvilluan këtë aktivitet në shkelje të një vendimi të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, që e kishte klasifikuar atë si “të ndaluar”.

Më 28 mars, Celibashi vendosi të ndalojë katër aktivitete publike të raportuara nga Bashkia e Cërrikut me folës kryesorë Gjiknurin dhe Sallën, pasi vlerësoi se këto aktivitete binin ndesh me Kodin Zgjedhor dhe mund të përbënin “keqpërdorim të burimeve shtetërore”.

BIRN verifikoi se të paktën njëri prej aktiviteteve ishte zhvilluar, pavarësisht ndalimit të KQZ-së.

Ky nuk është rasti i vetëm kur funksionarë të lartë të Partisë Socialiste në pushtet dhe kandidatët e tyre për kryebashkiakë injorojnë detyrimet e Kodit Zgjedhor dhe vendimet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të ndaluar përdorimin e fondeve publike për qëllime elektorale.

Të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se nga 18 aktivitete publike të ndaluara deri tani nga KQZ, tetë prej tyre ose gati gjysma janë zhvilluar gjithsesi dhe janë publikuar në faqet e zyrtarëve socialistë në rrjetet sociale.

Aktivitetet e ndaluara përfshijnë bashkitë e Lushnjes, Korçës, Gjirokastrës, Cërrikut, Memaliajt dhe Kavajës. Përveç Cërrikut, BIRN verifikoi përmes rrjeteve sociale se aktivitetet janë zhvilluar edhe në bashkitë e Gjirokastrës, Korçës, Kavajës me pjesëmarrjen e zyrtarëve të lartë socialistë.

Gjiknuri nuk iu përgjigj një kërkese për koment për shkeljen e vendimit të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve për takimin në fshatin Shalës, ndërsa kryebashkiaku Andis Salla nuk ishte i arritshëm për koment.

‘Ndaluar nga KQZ’

Kodi Zgjedhor, i miratuar me konsensus politik, detyron çdo institucion publik, vendor dhe qendror, që 4 muaj para zgjedhjeve të raportojë aktivitetet publike me qëllim parandalimin e përdorimit të fondeve publike për qëllime politike dhe elektorale.

Në funksion të monitorimit të aktiviteteve, Komisioneri Shtetëror për Zgjedhjet ka miratuar edhe një udhëzim, përmes së cilit detajohen edhe më tej aktivitetet e ndaluara.

Në një dalje për mediat, Celibashi sqaroi se udhëzimi ka si synim qartësimin e institucioneve publike se çfarë është një veprimtari publike institucionale dhe çfarë është veprimtari politike elektorale.

“Nëse një kryetar bashkie bën një inspektim, nuk duhet të marrë deputetë e as funksionarë të tjerë politikë të partisë, duhet të kenë enturazh vetëm nëpunësit e administratës,” sqaroi Celibashi.

“Kjo paqartësi ekziston, edhe pse në shumicën e rasteve ata e kuptojnë shumë mirë, por përpiqen të gjejnë mënyrat që të kënaqin interesin e tyre politik,” shtoi ai.

Mes 18 aktiviteteve të ndaluara deri më tani nga Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, 11 janë argumentuar me pjesëmarrjen e figurave të larta politike në aktivitetet institucionale dhe 7 të tjerat për shkeljen e afatit 5 ditor të raportimit të aktivitetit në KQZ.

Bashkia e Gjirokastër rezulton se ka zhvilluar disa aktivitete publike me praninë e përfaqësueses politike, Mirela Kumbaro, ndërkohë që ato rezultojnë si “ të ndaluara” në ndërfaqen e raportimit të veprimtarive publike.

Kryebashkiaku Flamur Golemi i tha BIRN se arsyeja e ndalimit kishte qenë mosrespektimi i afatit në raportim dhe se për këtë arsye, aktivitetet ishin shtyrë në kohë.

“Ishte parashikuar një inspektim investimesh në fshatin Zhulat, që nuk është bërë, është shtyrë,” tha Golemi, ndonëse në faqen e tij në Facebook është publikuar një foto e takimit me banorët e këtij fshati në krah të ministres Kumbaro.

Megjithatë, Golemi tha se si individ nuk e kishte të ndaluar të kryente aktivitete politike pas orarit zyrtar të punës.

Kryebashkiaku i Korçës, Sotiraq Filo mori pjesë më datë 1 prill në aktivitetin “takim prezantues me asamblenë e zgjeruar”, i raportuar në KQZ nga bashkia Korçë si një aktivitet publik.

Urdhri i Celibashit për ndalimin e këtij aktiviteti argumentohej me pjesëmarrjen e personave politikë, mes të cilëve i deleguari socialist për qarkun, Niko Peleshi dhe deputetë të zonës.

Kryebashkiaku Filo nuk iu përgjigj një kërkese për koment, ndërsa një zëdhënës i Peleshit i tha BIRN se aktiviteti ishte tërësisht politik dhe ishte raportuar gabimisht nga bashkia si veprimtari publike.

“Pranë KQZ-së janë dërguar sqarimet për rastin,” tha zëdhënësi.

Në shumë raste në publikimet në rrjetet sociale të zyrtarëve vendorë, aktivitetet përshkruhen me përmbajtje të ndryshme nga titulli i raportimit të tyre në KQZ, edhe pse duket se bëhet fjalë për të njëjtat aktivitete.

Bashkia e Lushnjes ka pesë aktivitete të ndaluara nga Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, një pjesë e të cilave janë argumentuar me pjesëmarrjen e të deleguarit politik për qarkun, Taulant Balla.

Ndërkohë, kryetarja e Bashkisë së Lushnjes, Eriselda Sefa shfaqet shpesh në Facebook në krah të Ballës ndërsa kryen inspektime investimesh, por pa specifikuar detaje të aktivitetit. Ndonëse aktivitetet kanë natyrë të njëjtë, BIRN nuk mundi të verifikonte nëse bëhej fjalë specifikisht për ato që ishin ndaluar ose jo nga KQZ.

Një tjetër aktivitet i ndaluar për Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale që parashikonte “inspektim në Spitalin Qendror në QSUT-organizim i punës së urgjencës” është publikuar në faqen në Facebook të ministres Ogerta Manastirliu.

Por Ministria e Shëndetësisë i tha BIRN përmes një zëdhënëseje se rasti në fjalë kishte lidhje me afatet e raportimit dhe se ky institucion “i respekton me përpikmëri rregullat dhe afatet e vendosura në Kodin Zgjedhor”.

“Aktiviteti për organizimin e punës në urgjencë… nuk është zhvilluar ditën e hënë me datë 27 mars, por është zhvilluar ditën e martë me datë 28 mars, pasi u plotësua afati 5-ditor, në rakordim të plotë me KQZ,” tha Ministria e Shëndetësisë.

Ndëshkime minimale

Përdorimi i burimeve njerëzore dhe fondeve publike për fushatë është një nga sëmundjet e hershme të proceseve zgjedhore në Shqipëri. Por pavarësisht ndalimeve me ligj, partia në pushtet është kritikuar vazhdimisht në raportet e vëzhguesve ndërkombëtare se ka përdorur asetet publike në funksion të fushatës partiake.

Edhe në prag të zgjedhjeve të 14 majit, përdorimi i investimeve publike për llogari të fushatës elektorale është i gjithë-përhapur përmes faqeve në rrjetet sociale të përfaqësuesve politikë dhe kandidatëve bashkiakë.

Megjithatë, vetëm pak prej këtyre rasteve diktohen nga KQZ, dhe aq më pak ndëshkohen.

Pas shkeljes së vendimit për të ndaluar aktivitetet e 30 marsit në bashkinë e Cërrikut, Komisioneri Celibashi i propozoi të mërkurën Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve një masë administrative.

Por gjoba e propozuar është në masën e 5 mijë lekëve dhe nuk i drejtohet dy organizatorëve të aktivitetit, Gjiknuri dhe Salla, por personit përgjegjës në bashkinë e Cërrikut për raportimin e aktiviteteve në KQZ.

Sipas organizatave të shoqërisë civile që monitorojnë procesin zgjedhor, masa të tilla janë të pamjaftueshme dhe nuk parandalojnë shkeljen e ligjit në vijim.

“Problemi është që amnistohen titullarët e lartë dhe drejtuesit e institucioneve dhe gjobat shkojnë për zyrtarë të dorës së dytë dhe në bashki të vogla,” tha Rigels Xhemollari, drejtor ekzekutiv i “Qendresa Qytetare”.

“Kjo sjellje e KQZ-së tregon se ka presion dhe influencë nga ministrat dhe drejtuesit e lartë për të shmangur gjobat dhe ndëshkimet, sidomos përpara fushate dhe përpara vëzhgimit të ndërkombëtarëve,” përfundoi ai.

About Redaksia

Check Also

Berisha thirrje policisë: Mos prekni protestues paqësorë se nuk mund t’i imagjinoni ato që do të pësoni!

Kryetari i PD, Sali Berisha, gjatë fjalës së tij nga dritarja e banesës, pasi falënderoi …

Leave a Reply