Kryetari i PD, Sali Berisha prezantoi këtë të hënë në Gramsh kandidatin e koalicionit opozitar për kryetar bashkie, Hasim Çekrezi. Në fjalën e tij Berisha tha se vjen me kënaqësi përpara mbështetësve dhe demokratëve të Gramshit për të paraqitur kandidaturën që ata zgjodhën me votën e tyre.
“Të dashur qytetare dhe qytetarë, banorë të Gramshit, mirënjohje të pakufishme për këtë pritje të zjarrtë, ju këtu, e të gjithë banorëve të këtij rrethi kudo që janë, në Gramsh, Elbasan, Shqipëri, emigracion dhe diasporë. Është nder i veçantë, kënaqësi e madhe të flas para jush, të vij këtu, për të paraqitur dhe mbështetur kandidatin tonë, për kryetar të bashkisë së Gramshit, për qytetarin tuaj të parë, Hasim Çekrezin.
Hasim Çekrezi është një nga personalitetet më të shquara të Gramshit, një nga qytetarët më shembullorë, një nga bijtë që don më shumë Gramshin dhe qytetarët e tij. Një njeri që përfaqëson vlerat më të arrira tuaja dhe mbarë qytetarëve të Gramshit.
Por unë vij sot, me krenari të veçantë sepse paraqes para jush, njeriun që ju keni zgjedhur, kandidatin tuaj, kandidatin e votës tuaj të lirë, e ujdisë tuaj të brendshme, e marrëveshjes tuaj me votën, me lirinë. Pra asnjëherë nuk kam paraqitur në këtë rreth dhe askërkund ku do të shkoj, kandidat më dinjitozë se sa paraqesim kësaj radhe.
Të shtunën që kaloi, ne hapëm fushatë elektorale, por madhështia e asaj fushate, ishin përveç dhjetëra e mijëra qytetarë në atë stadium, ishin kandidatët tanë, të cilët shkëlqenin, të cilët të dukej se e kanë të shkrojtur në ballë, kandidatët e lirisë, kandidatët e dinjitetit, kandidatët e besimit të qytetarëve”, u shpreh Berisha.