Konstatimi i fortë i BIRN: PS, makineri krimi në Durrës

Partia Demokratike në opozitë e ka kontrolluar për herë të fundit Bashkinë e Durrësit në vitin 2000. Socialistët e morën pushtetin në qytetin e dytë më të madh të vendit, fillimisht me mjekun Miri Hoti në vitin 2000 e më pas, me Lefter Kokën, aktualisht ish-ministër në pritje të gjykimit për korrupsion dhe pastrim parash. Demokratët humbën shansin e tyre më të mirë në vitin 2007, kur Vangjush Dako mposhti kundërshtarin me vetëm 300 vota më shumë.
Socialistët krijuan pas kësaj një makineri të stërmadhe elektorale në qarkun Durrës, ku përfshihen edhe lidhjet famëkeqe me elementë të krimit të organizuar, falë të cilave ishin në gjendje të përmirësonin rezultatin e tyre zgjedhor, veçanërisht në zgjedhjet bashkiake.
Rezultatet kanë qenë më mikse në zgjedhjet parlamentare. Në vitin 2005, deputetët e fituar në përballjet për qarkun Durrës ishin instrumentale në sigurimin e shumicës parlamentare të Partisë Demokratike, ndërsa ish-komunat përbërëse të bashkisë së re votuan demokratët më 2007 me rezultat të thellë dhe me rezultat më të ngushtë në vitin 2011.

Në zgjedhjet e vitit 2021, Durrësi ishte shumë i rëndësishëm për socialistët, të cilët vendosën kryetarin e tyre në listat e këtij qarku, por rezultati nuk ishte aq i thellë. Socialistët fituan vetëm 3 mijë vota më shumë në një bashki, ku votat e “të tjerëve”, pra partive të vogla dhe votat e djegura nga votuesit si të pavlefshme, ishin 7,500. Durrësi pati zgjedhje të pjesshme në vitin 2022, ndërsa kryebashkiakja e mëparshme dha dorëheqjen pas tërmetit të 26 nëntorit 2019. Emiriana Sako, kryebashkiakja aktuale, fitoi ato zgjedhje në të cilat morën pjesë vetëm 26% e votuesve, përballë dy kandidatëve të PD-së së përçarë.

Me një fjalë, gara për Durrësin nuk duket kurrsesi e mbyllur. Socialistët kanë hasur telashe të vazhdueshme me politikanët e tyre në qark. Përveç Kokës, i cili është aktualisht në burg dhe që ishte faktor i rëndësishëm në zgjedhjet e vitit 2021, ish-kryebashkiaku jetëgjatë Vangjush Dako është shpallur “i përfshirë në korrupsion madhor” nga Departamenti Amerikan i Shtetit dhe i është ndaluar të hyjë në SHBA, njësoj si drejtuesit të opozitës, Sali Berisha.
Durrësi ka 266 mijë votues sot dhe numri i votuesve të regjistruar është rritur me mbi 51 mijë nga viti 2011. Durrësi është gjithashtu një bashki që historikisht ka pasur pjesëmarrje shumë të ulët në zgjedhje, duke sugjeruar se votuesit në këtë qytet nuk binden dot kollaj për të dalë të dielave në votime. Ndërsa numri i zgjedhësve është rritur me 51 mijë, numri i qytetarëve që kanë marrë pjesë në votime është rritur me vetëm 14 mijë mes zgjedhjeve të vitit 2011 dhe atyre të vitit 2021. Socialistët kanë shtuar 8 mijë vota, ndërsa kundërshtarët e tyre, PD dhe LSI të marra sëbashku, kanë shtuar 4,400. Diçka më shumë se sa kaq janë shtuar në kategorinë “të tjerë”, vota të hedhura për partitë e vogla apo vota të pavlefshme.

Banorët e Durrësit pritet të votojnë më 14 maj për të zgjedhur nëse do t’ia lënë bashkinë kryebashkiakes aktuale, Emiriana Sako, një arkitekte që garon për Partinë Socialiste, apo do të ndryshojnë krah për herë të parë në shumë kohë për të zgjedhur kandidatin e opozitës, ish-deputetin Igli Cara. Ai ka qenë deputet më parë dhe ka studiuar biokimi.
Në garë për 51 postet e këshillit bashkiak janë dymbëdhjetë parti me 730 kandidatë në listat e tyre të mbyllura.

Bashkia e Durrësit ka një sipërfaqe prej 338 kilometrash katrore dhe shtrihet përgjatë bregdetit të Adriatikut në një zonë fushore dhe kodrinore në Shqipërinë qendrore. Kjo bashki përbëhet nga gjashtë njësi administrative, të cilat janë: Durrësi, Sukthi, Ishmi, Katundi i Ri, Rrashbulli dhe Manëz.
Durrësi është porti kryesor i vendit nga ku kalon pjesa dërrmuese e tregtisë së jashtme, si për importe ashtu edhe për eksporte. Durrësi shtrihet nga Shkëmbi i Kavajës në jug deri në Kepin e Rodonit në veri dhe përfshin resortin më të madh turistik të vendit në Gjirin e Durrësit dhe në Gjirin e Lalëzit, ku gjatë viteve të fundit janë zhvilluar shumë fshatra turistike.

Ekonomia në Durrës përfshin një bazë jo të vogël industriale, përfshirë industrinë fason si dhe aktivitet të shërbimeve të marketingut Call Center, krahas sektorit të ndërtimit. Durrësi ka gjithashtu portin më të madh të peshkimit në vend. Bashkia e Durrësit numëron gati 1700 të punësuar.

Problemet kryesore të qytetit lidhen me një krizë kronike në menaxhimin e mbeturinave urbane, veçanërisht gjatë sezonit turistik, dhe një krizë të vazhdueshme në furnizimin me ujë. Ujësjellësi i Durrësit është borxhliu më i madh në Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike./BIRN

About Redaksia2

Check Also

Plas në PS, sherr mes Belindës dhe Spiropalit, akuzat…

Mbledhja e sotme e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste nuk ishte ashtu siç e përcolli …

Leave a Reply