Tre premtimet e Këlliçit në Kashar

Kandidati i opozitës për Bashkinë e Tiranës, Belind Këlliçi vijoi turin e takimeve me banorë të zonës së Kasharit, ku bisedoi me banorët për programin e tij.

Belind Këlliçi preku disa nga prioritetet, duke vënë theksin te transporti publik falas. Duke u ndalur në një stacion urbani krejtësisht të amortizuar, Belind Këlliçi premtoi që pas 14 majit, urbani do të jetë jo vetëm falas në qytet dhe në fshat, por njëkohësisht ky shërbim do të modernizohet.

“Ky është stacioni më i mirë që ka Kashari dhe shiheni se në çfarë gjendje është. Për një stacion autobusi, me një stol të degraduar edhe gjithçka është e ndryshkur e kalbur, nuk ke asnjë informacion, asnjë tabelë, asnjë orar, asgjë. Pra gjithçka është inekzistente dhe joefiçente se kështu i bën gjithë punët Bashkia e Tiranës. Pas 14 majit, autobusin falas që ne kemi premtuar, do ta bëjmë realitet, në qytet dhe në fshat, në të gjithë fshatrat e Tiranës, përfshirë këtu dhe Kasharin, Yrshekun, Mëzezin, pa diskutim do të jetë autobusi pa pagesë. Do të subvencionojmë 200 mijë qytetarë në ditë, por mbi të gjitha do të modernizojmë stacionet, do të vendosim orare, do ta lidhim me GPS autobusin në mënyrë që dhe qytetarëve t`u dali në tabelë elektronike, që vonon autobusi, vjen për 12 minuta, vjen për 7 minuta…”, tha Këlliçi.

Këlliçi premtoi edhe investime në infrastrukturën rrugore, duke evidentuar amortizimin e aksit dytësor përgjatë autostradës Tiranë-Vorë. Sipas Këlliçit, kjo rrugë do të rikonstruktohet, pasi u shërben banorëve dhe bizneseve të zonës.

“Dhe një nga problemet që kemi pasur, është dhe rruga dytësore në autostradë në fakt, që e kap Kashari, që na ka ardhur si shqetësim, që ka të bëjë me vetë faktin, të gjithë bizneset përgjatë asaj rruge, paguajnë rregullisht taksa, ndihmojnë në ekonominë e qytetit dhe nuk marrin asnjë shërbim. Ajo rrugë është në gjendje katastrofale, është e paimagjinueshme sesi mund të mbahet ajo rrugë në atë gjendje. Por pa diskutim prioriteti i bashkisë do të jetë edhe shtrimi i rrugës dytësore, sepse minimumi që i kemi borxh bizneseve është rruga”, tha Këlliçi.

Edhe në Kashar, mbetjet urbane rrinë me ditë të tëra pa u pastruar. Teksa ironizoi “VIP-at” që bëjnë fushatë për Erion Veliajn, Belind Këlliçi tregoi disa raste ku pirgjet e mbetjeve urbane, ndotin dhe krijojnë probleme për banorët në Kashar.

“Ç`janë këto pamje që i kanë lënë kështu, ç’është ky tmerr? Kapi pak të lutem kamera këtu. Kapi pak këtu, Tiranën kryeqytetin evropian të pastërtisë, kapi pak. Këtu ku rrinë dhe fëmijët e vegjël. Këto janë pamjet e Tiranës dhe këto pamje mbështesin dhe këta artistët e këngëtarët që nuk jetojnë fare në Shqipëri e në Tiranë e që s`kanë lidhje, e që jetojnë nëpër vila private nga 1 milionë euro. Këto pamje mbështesin kur mbështesin kryetarin aktual të bashkisë. Kështu që kjo është një Tiranë që nuk e shohin qytetarët asnjëherë në media, asnjë herë në kamera. Ky që flet për pastërtinë në kryeqytet, ja ku janë fëmijët, ku kalojnë fëmijët e shkretë. Urdhëro ku jetojnë”.

Më tej, Belind Këlliçi foli edhe për programin e tij për fshatin, duke theksuar subvencionet për bujqësinë dhe ndërtimin e tregjeve për fermerët.

“Patjetër do të keni subvencione 70 milionë euro në vit për fermerët, jo vetëm zona e Kasharit por në të gjithë fshatin e Tiranës. Do të kemi 3 milionë euro për huamarrjen, do të kemi 10 mijë euro mbështetje për çdo fermer që do të nisë një biznes të ri, për bazë materiale, dhe do të kemi ngritjen e 15 tregjeve, me produkte bio, organike, të certifikuara, të prodhuara në fshatin e Tiranës, që në tregjet që ne do të vendosim për t’i shitur këto produkte, në momentin që fermeri do të shkojë në këto tregje që përcaktohen nga Bashkia e Tiranës në njësitë e Tiranës, do të kenë zero taksë bashkiake”, tha Këlliçi.

Në një kohë që Erion Veliaj nuk del në përballje me të, edhe në Kashar, Këlliçi u bëri ftesë socialistëve të dalin në takimet e tij, për t`u ballafaquar në lidhje me situatën në Tiranë.

“Dhe kushdo, dhe socialistët, nëse nuk janë dakord me ne me programin tim, të vijnë të na takojnë, dhe të thonë Belind e ke gabim, dhe këtu në Kashar i ftojmë të vijnë ata që na ndjekin, dhe të thonë që këtu në Kashar është bërë ky investim nga Bashkia e Tiranës. Kështu që unë i ftoj të gjithë qytetarët të na ndjekin në rrugëtimin tonë. Të na ndjekin me ato pasqyrime që ne i bëjmë problemeve të qytetarëve, dhe sigurisht të bëhen bashkë me ne në 14 maj për të hapur një kapitull të ri për Tiranën”, u shpreh Këlliçi.

Kandidati i opozitës për Bashkinë e Tiranës premtoi gjithashtu transparencë për përdorimin e buxhetit nga Veliaj gjatë këtyre dy mandateve.

“Taksat tona janë vjedhur. Ju jap fjalën se pas 14 majit në Bashkinë e Tiranës do të bëhet transparencë e plotë, audit i plotë, do të hapen të gjithë dokumentet, në mënyrë që të gjithë qytetarët të kuptojnë se çfarë ka ndodhur me taksat e tyre. Ku kanë shkuar taksat, ku kanë shkuar fondet, dhe ku janë çuar paratë tuaja. Duhet ta dini ne nuk jemi të varfër, ne jemi të vjedhur dhe ky është një realitet i trishtë për të gjithë Tiranën”, tha Këlliçi.

About Redaksia2

Check Also

Korreshi: Gazeta e Meros ngatërron qëllimisht opinionin publik për të justifikuar vdekjen e dy qytetarëve të pafajshëm

Deputeti i PD, Saimir Korreshi ka reaguar pas lajmeve të rreme që ka publikuar mediat …

Leave a Reply