Në takimin elektoral të zhvilluar sot në Dibër, Kryetari i PD, Sali Berisha tha ky fllad fitoreje e ka tmerruar Edi Ramën, i cili është në kohërat më të vështira të ekzistencës së tij. Berisha u shpreh se, ata kanidatë të cilët kaë dalë nga bodrumi i Ramës nuk ballafaqohen dot me kandidatët rivalë, pasi ata vjedhin dhe largojnë shqiptarët.
Lideri i opozitës, Sali Berisha shtoi në fjalën e tij se, kurrë ndonjëherë ky vend nuk ka pasur një rrezik ekzistencial sa ka në këto zgjedhje më 14 maj. Berisha tha se, Edi Ramën nga njëra anë e pret zemërimi i madh i kombit shqiptar, nga ana tjetër e pret tradhtari i kombit amerikan, McGonigal, në bankën e akuzës. Më tej, Berisha tha se Edi Rama po e ndjen humbjen e tij dhe do të largohet më 14 maj me ceremoni.
FJALA E PLOTË
Të dashur qytetarë edhe qytetar, banorë të Dibrës. Mirënjohjen më të thellë, nderimin më të madh ndaj jush për këtë pritje të zjarrtë. Po fryn flladi i fitores në të katërta anët e Shqipërisë.
Djem dhe vajza, burra dhe gra idealistë, njerëz të cilët besojnë tek Zoti dhe liria janë ngritur në këmbë për të përmbysur më 14 maj monizmin për të përmbysur pushtetin e një njeriu që e përdor atë në të keqen më të madhe të qytetarëve shqiptarë.
Kjo erë shprese, ky fllad fitoreje e ka tmerruar Edi Ramën i cili është në kohërat më të vështira të ekzistencës së tij. Është në kohërat e fundit të numëruara të regjimit të tij despot, monist të përdorur për varfërimin, vjedhjen, largimin e shqiptarëve.
Kjo situatë, ky dëshpërim shprehet me fushatën e tij të bazuar në banalitetin e një njeriu që nuk ia lejon kurrë vetes në publik. Shprehet me zinxhirin e pafund të mashtrimeve. Por shprehet me largimin e e tij dhe të përfaqësuesve të tij që dalin nga bodrumi i Edi Ramës me çdo kusht të ballafaqimit dhe debatit me kandidatët rivalë. Nuk ballafaqohen dot.
Nuk del këtu rivali i tij të ballafaqohet në këtë shesh, në studio televiziove dhe kudo me Ismail Ukën, sepse siç e dini ai është i pesti kandidat, si në asnjë vend tjetër në botë që ndërrohet brenda 4 viteve. Ata ikën njëri pas tjetrit, secili me mungesë të madhe dinjiteti, erdhën, vodhën, dhe ikën. Ndaj dhe nuk vijnë dot të dalin këtu para jush, t’i kthejnë xhepat të tregojnë sesi kanë qeverisur.
Nuk dalin para jush, se ata përfaqësojnë një parti pushtuese. Përfaqësojnë një pushtet pushtues pavarësisht nga etnia e tyre. Të gjithë ata të cilët u marrin lirinë dhe pasurinë qytetarëve janë pushtues, pavarësisht nga etnia e tyre.
Në këtë kontekst, Edi Rama në 8 vite ka vjedhur dibranët ndaj dhe ata nk dalin dot para jush.
Miqtë e mi!
Kur kam ardhur për herë të parë në jetën time në këtë rreth të bekuar, sa kam dal dhe kam parë malet, rrafshnaltat jam dashuruar me Dibrën. Ato njohuri që kisha për historinë, ato njohuri që kisha me dibranët të cilët kisha studiuar dhe kisha njohur, ato u zmadhuan në mendjen time. Sot nga ajo kohë, Dibra ka mbetur për mua një nga rrethet më të dashura, një nga krahinat më të dashura.
Por nuk jeni vetëm për mua. Dibra dhe dibranët janë një emër nderi për çdo shqiptar. Janë një emër nderi në historinë e këtij kombi. Janë një emër nderi për çdo familje dibrane. 3 tipare nuk janë askund më të shquara se tek ju.
Së pari, në të gjitha zonat malore tokat e kësaj toke ju jeni më punëtorët e të gjithë të tjerëve. Së dyti, mençuria juaj është e mirënjohur kudo. Askush nuk ditur më shumë se ju të nderojë mikun, dhe t’i japë ujë me bisht të lugës keqdashësit dhe armikut. Ju i keni qendruar historisë, i keni qendruar me gjak, i keni qendruar me burrëri, i keni qendruar me personalitetet më të mëdhaja kombëtare që i keni dhënë kombit.
Pra, kjo është Dibra e vërtetë për çdo dibran, për çdo shqiptar. Kurse sot Dibra është para alternativës të jetë, apo të mos jetë. Sot një pushtues i vërtetë. Një armik i egër i Dibrës, e ka vendosur Dibrën para alternativës: të shuarjes, apo të ekzistencës së saj.
Hidrocentrali i Skavicës është mbytja e Dibrës. Është mbytja e pjesës së saj më pjellore. Është mbytja e pjesës së saj më historike. Është mbytja e së shkuarsës, së sotmes dhe të ardhmes së Dibrës. Kurrë ndonjëherë ky vend nuk ka patur rrezik ekzistencial, sa ka në këto zgjedhje të 14 majit. Edi Rama në zbatim të politikave antishqipare. Ju e dini mirë se armiqtë tanë shekullorë kanë bërë gjithçka të zhdukin Dibrën. Kanë dështuar gjithmonë. Jam i bindur se do të dështojnë dhe kësaj here. Dibra nuk zhduket. Ajo është monumenti njerëzor më madhështor që ekziston. Ajo është me fortë se Korabi, më e fuqishme se çdo gjë tjetër, ndaj edhe ftoj dibrane dhe dibranë në në këmbë të votoni më 14 maj, jo për partitë, por Dibrën, për Ismail Ukën, për të shkuarën, për të ardhmen, për të sotmen tuaj.
Thirrja ime për dibranët, ta doni Dibrën sa e do Sali Berisha. Detyra është ta doni më shumë, por të paktën ta doni sa e dua unë. Dhe po ta doni sa e dua unë Dibrën, nuk guxon kush kurrë të mbysë Dibrën. Ndaj edhe ngrihuni në këmbë kudo që jeni. Kudo që jeni të mbildheni nga të katërta anët e Shqipërisë, nga të katërta anët e Europës, nga të katërta anët e Ballkanit të vini të votoni për mbrojtjen e Dibrës, të votoni Ismail Ukën.
Vëllezër e motra!
Edi Rama erdhi këtu. Tani i ka kohërat e numëruara, dhe nuk le fjalë pa përdorur dhe poza pa bërë. Por ju e dini mirë se ai është shkaku i të gjitha shkaqeve pse 30- 40% e shqiptarëve dhe dibranëve kanë ikur gjatë këtyre 8 viteve. Sepse ai i ngriu rrogat, sepse çmimet u rritën gjatë këtyre 8 viteve, vetëm nga vjet deri më sivjet. Çdo dibran edhe shqiptar ka shpenzuar 430 mijë lek më shumë për ushqime, për bukën e gojës.
Edi Rama, ndërkohë për vete udhëton me avion, shpenzon 22 milionë euro me dhomë gjumi. Blen vazo 4 milionë euro në oborrin e Kryeministrisë. Firmos për të vjedhur 420 milionë euro me djegësat. Çfarë e lidh atë përveç urrejtjes që ka për Dibrën dhe veriun?
Dhe atë urrejtje e ka, siç e shpjegoi para disa ditësh në Athinë. E ka se ndihet kushëri me serbët. Nëse do kishte respektin minimal, një rrugë të së cilës 32 kilometra u lanë të përfunduara në 2013, mbetën 27 kilometra. Edhe sot e inaguroi 5 herë gjatë këtyre viteve, dhe asnjëherë nuk përfundoi. Rruga e Arbrit ishte shpallur nga qeveria e mëparshme si rruga e dytë e Kombit. Dhe ajo e tillë është, ajo e tillë do të jetë. Ajo është rruga e Dibrës, e Peshkopisë, e Dibrës së Madhe, e të gjithë shqiptarëve të Maqedonisë. Ajo afron Shkupin me Tiranën 104 kilometra, ndaj dhe ajo ishte shpallur rruga e dytë e Kombit.
Kurse Edi Rama vazhdon prej 10 vitesh me pesë inaugurime dhe pesë mashtrime. Mund të ketë pasur nga ju me të drejtë, të cilët të kenë thënë: po pse e ndërpreve Sali, pse nuk e vazhdove. Atëherë ju thashë dhe tani ju them se ajo u ndërpre për shkak se, shpimi i tunelit në Qafë Murriz, aty ku ishte projekti, sipas kompanive më të mira në Europë që bënë konsulencën, ishte i pamundur, sepse do dilte dhè dhe ujë.
Ne e ndërpremë dhe vendosëm të spostojmë tunelin në kuotën ku na këshilloi kompania e konsulencës. Po ne mbaruam rrugën e Kombit në dy vite. Në një vit e gjysmë rrugën e Elbasanit. Ne do e kishim mbaruar tre herë atë.
Këta shkuan dhe shpuan aty ku kompania ndër më të njohurat në Europë nga Danimarka me firmë dhe vulë na thanë se nuk shpohet. Prandaj tani ecën, siç po ecën.
Dibra do ketë me Ismail Ukën ndryshimin më të madh. Ju garantoj se Ismail Uka me të gjithë dashurinë e tij për ju, për Dibrën do bëjë gjithçka për të ndryshuar jetën tuaj. Me taksa të ulëta, me mbështetje për biznesin, me mbështetje për fermerët. Potencialet tuaja janë të jashtëzakonshme.
Por nga ana tjetër, pas fitores më 14 maj, Edi Rama do të largohet me ceremoni. Nga njëra anë e pret zemërimi i madh i kombit shqiptar. Nga ana tjetër e pret tradhtari i kombit amerikan, McGonigal, në bankën e akuzës, sepse kanë dhënë ryshfetin dhe drejtësia amerikane do ta djegë atë deri në ditën e fundit të jetës së tij.
Dy fjalë pak për të deleguarën e tij. Atë që u thotë shoqeve, siç thuhet, më thërrisni Belinda Luksi.
Kur ajo investoi në zyrën e saj 220 mijë dollarë, i tha një vajzë aty si e bëre këtë investim kaq të madh. I tha se kështu më pëlqen mua luksi. Kur shkon dhe porosit biftekët 1 mijë euro, kështu më pëlqen mua luksi.
U ndala për të thënë dy fjalë për nënat, vajzat, motrave dibrane. Edi Rama këtë fushatë e bazon në mashtrimin e vajzave dhe nënave. Mendo nse ai arrin me fjali që i ngjajnë një halabaku të shkëpusë vëmendjen nga problemet e mëdha që ka krijuar. Por unë i them atij se në histori se njeri më mizogjen se ti nuk ka pasur Shqipëria. Sepse ti je autori i të gjitha brengave ekonomike, sociale, familjare që sjell skamja e nënave, motrave dhe vajzave shqiptare.
Ndaj dhe ti, më datën 14, jo vetëm do kesh ndëshkimin e tyre me votë, por do kesh dhe mallkimin e tyre me gjithë shpirt. Dhe nëse ka njeri që e meriton, je ti Edi Rama me këto që u ke krijuar familjeve shqiptare, varfërinë, mjerimin, largimin.
E përfundoj me thirrjen time: Dibrane e dibranë, më 14 maj votoni për Dibrën, votoni për të shkuarën e saj, për traditën tuaj të madhe, votoni për të sotmen tuaj, për të ardhmen e Dibrës.
Dibra nuk duhet të zhduket kurrë, Dibra duhet të shpëtojë. Dibra është në duart tuaja!
Rrofshi ju, rroftë Dibra, rroftë Shqipëria!