Berisha: Në këto zgjedhje garojnë dy alternativa, e para buron nga njerëzit, e dyta nga bodrumet e Ramës

Kryetari i PD, Sali Berisha u ndal në Lushnje këtë pasdite, në vijim të turit elektoral për zgjedhjet vendore të 14 Majit.

Berisha kërkoi votat e qytetarëve për kandidatin e “Bashkë Fitojmë” në Lushnje, Eduart Sharka dhe në Divjakë, Aurel Malko. Ai u shpreh se në këto zgjedhje garojnë dy alternativa, e para që buron nga qytetarët, nga vota e tyre në primare dhe e dyta nga bodrumet e Edi Ramës, duke iu referuar kandidatëve të imponuar prej tij.

“Të dashur qytetare e qytetarë të Lushnjes, vëllezër e motra, zonja e zotërinj, banorë të këtij rrethi. Përshëndetjet e mia më të përzemërta, mirënjohjen më të thellë, për mbështetjen tuaj dhe urime për punën e shkëlqyer, që keni bërë, keni sjellë Lushnjen në prag të një fitore historike, me rëndësi për Lushnjen dhe mbarë Shqipërinë. Ne erdhëm në përfundimin e kësaj fushate elektorale, me përpjekjen më të madhe që në epiqendër të saj të jeni ju, banorët, qytetarët e Lushnjesh, të jenë qytetarët shqiptarë, me problemet e tyre, me projektet për zgjidhjen e këtyre problemeve.

Sot në Lushnje dhe mbarë Shqipërinë garojnë dy alternativa. Njëra alternativë që buron nga ju, kandidatët i keni zgjedhur ju. Kandidatët që keni zgjedhur kanë trokitur derë më derë, zemër më zemër. Kanë ndërtuar një program kryekëput për qytetarët. Kandidatët që keni zgjedhur, i keni zgjedhur me vetitë më të arrira dhe ju garantoj se programi i tyre do të ndryshojë Lushnjen dhe Shqipërinë.

Në krahun tjetër, janë kandidatët e bodrumit të Edi Ramës, që nuk kanë lidhje me qytetarët, për të cilët nuk ka votuar asnjë qytetar i vetëm dhe që nga mëngjesi në darkë u thuri lavde, njeriut që kalon nga sheshi në shesh me zorrën qorre në gojë. Me disa me shprehje halabaku.

Njeriu që në vend të paraqesë alternativë para jush, të japë llogari para jush përpiqet të mbrohet me shprehje banale, përdor një fjalor me të cilin tregon qartësisht se për atë qenie ju nuk ekzistoni. Sepse përpiqet me çdo kusht, që me atë fjalor, tallavanë e tij të mbulojë, maskojë sadopak vjedhjen e tmerrshme që ai u ka bërë gjatë këtyre 8 viteve. Të përpiqet të mbulojë sadopak dhunimin masiv të të drejtave tuaja gjatë këtyre viteve. Të përpiqet të mbulojë sadopak përzënien, dëbimin nga Shqipëria të 1/3 së lushnjarëve, 1/3 së shqiptarëve.

Të përpiqet të mbulojë sadopak braktisjen e plotë të fshatit shqiptar, dramën që ai u krijoi bizneseve në qytete, por në mënyrë të veçantë dramën e madhe që u krijoi bizneseve në fshatrat e Myzeqesë dhe mbarë Shqipërisë. Asnjëherë fshatarët shqiptarë nuk kanë pasur një regjim më armik se ky, një regjim që i takson ata në mënyrë të njëanshme, një regjim që i hap kufijtë për të lënë në fushë prodhimet e tyre, një regjim që krijon monopolin e imputeve dhe bën që dengu i barit të kushtojë shumë më tepër se qumështi i prodhuar.

Ka krijuar mbi vendin një rrjet mafioz në të cilin zyrtarët pasurohen, majmen, qeveritarët vjedhin miliona e qindra miliona, kurse shqiptarët ikin dhe vetëm ikin si njerëz të pashpresë paçka se toka e tyre është një parajsë e vërtetë”, u shpreh Berisha.

About Redaksia

Check Also

Berisha tregon monstruozitetet e Yuri Kim dhe refuzimin që i bëri Ambasadori gjerman

Në “Off the Record” me Andrea Dangllin, kreu i demokratëve lëshoi akuza të ashpra dhe …

Leave a Reply