Berisha: Të bëjmë gjithçka për të ftuar dhe nxjerrë në votime çdo qytetar të çdo bindje politike!

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha gjatë takimit elektoral në Lushnje, për zgjedhjet e 14 majit kërkoi votat e qytetarëve për kandidatët e “Bashkë Fitojmë” në Lushnje, Eduart Sharka dhe në Divjakë, Aurel Malko.

Gjatë fjalës së tij, Berisha u shpreh se në këto zgjedhje garojnë dy alternativa, e para që buron nga qytetarët, nga vota e tyre në primare dhe e dyta nga bodrumet e Edi Ramës, duke iu referuar kandidatëve të imponuar prej tij.

‘Njëra alternativë që buron nga ju, kandidatët i keni zgjedhur ju. Kandidatët që keni zgjedhur kanë trokitur derë më derë, zemër më zemër. Kanë ndërtuar një program kryekëput për qytetarët.

Në krahun tjetër, janë kandidatët e bodrumit të Edi Ramës, që nuk kanë lidhje me qytetarët, për të cilët nuk ka votuar asnjë qytetar i vetëm dhe që nga mëngjesi në darkë u thuri lavde, njeriut që kalon nga sheshi në shesh me zorrën qorre në gojë. Me disa me shprehje halabaku’, tha Berisha.

Kryetari i PD-së, Sali Berisha bëri thirrje që të ftohet çdo qytetar për të dalë në votime me 14 maj, pavarësisht bindjeve të tyre politike.

‘Unë u bëj thirrje këto ditë që kanë mbetur, të bëjmë gjithçka për të ftuar, nxjerrë në votime çdo lushnjar, të çdo bindje politike, të çdo paparti. A e nigjoni ju si thërret nga frika dhe tmerri, rrini mos dilni në votime, mos hajdeni të dielën në votime’, theksoi në fjalën e tij në Lushnje, kryetari i PD-së, Sali Berisha.

FJALA E PLOTË

Të dashur qytetare e qytetarë të Lushnjes, vëllezër e motra, zonja e zotërinj, banorë të këtij rrethi.

Përshëndetjet e mia më të përzemërta, mirënjohjen më të thellë, për mbështetjen tuaj dhe urime për punën e shkëlqyer, që keni bërë, keni sjellë Lushnjen në prag të një fitore historike, me rëndësi për Lushnjen dhe mbarë Shqipërinë.

E nderuar zonja Harxhi, drejtuese politike e fushatës në këtë rreth.

E nderuar zonja deputete, zonja kryetare e PD-së së Divjakë, i nderuar zoti Zajmi kryetari i PD-së për Lushjen.

I nderuar zoti Malko, kandidat dhe kryetari i ardhshëm i bashkisë në Divjakë.

Të dashur miqtë e mi, Ylli Sefa dhe Enton Bano.

I dashur kryetari ynë i ardhshëm i bashkisë Lushnje, EduartSharko.

Të dashur miq!

Ne erdhëm në përfundimin e kësaj fushate elektorale, me përpjekjen më të madhe që në epiqendër të saj të jeni ju, banorët, qytetarët e Lushnjesh, të jenë qytetarët shqiptarë, me problemet e tyre, me projektet për zgjidhjen e këtyre problemeve.

Sot në Lushnje dhe mbarë Shqipërinë garojnë dy alternativa.

Njëra alternativë që buron nga ju, kandidatët i keni zgjedhur ju. Kandidatët që keni zgjedhur kanë trokitur derë më derë, zemër më zemër. Kanë ndërtuar një program kryekëput për qytetarët. Kandidatët që keni zgjedhur, i keni zgjedhur me vetitë më të arrira dhe ju garantoj se programi i tyre do të ndryshojë Lushnjen dhe Shqipërinë.

Në krahun tjetër, janë kandidatët e bodrumit të Edi Ramës, që nuk kanë lidhje me qytetarët, për të cilët nuk ka votuar asnjë qytetar i vetëm dhe që nga mëngjesi në darkë u thuri lavde, njeriut që kalon nga sheshi në shesh me zorrën qorre në gojë. Me disa me shprehje halabaku. Njeriu që në vend të paraqesë alternativë para jush, të japë llogari para jush përpiqet të mbrohet me shprehje banale, përdor një fjalor me të cilin tregon qartësisht se për atë qenie ju nuk ekzistoni. Sepse përpiqet me çdo kusht, që me atë fjalor, tallavanë e tij të mbulojë, maskojë sadopak vjedhjen e tmerrshme që ai u ka bërë gjatë këtyre 8 viteve. Të përpiqet të mbulojë sadopak dhunimin masiv të tëdrejtave tuaja gjatë këtyre viteve. Të përpiqet të mbulojë sadopak përzënien, dëbimin nga Shqipëria të 1/3 së lushnjarëve, 1/3 së shqiptarëve.

Të përpiqet të mbulojë sadopak braktisjen e plotë të fshatit shqiptar, dramën që ai u krijoi bizneseve në qytete, por në mënyrë të veçantë dramën e madhe që u krijoi bizneseve në fshatrat e Myzeqesë dhe mbarë Shqipërisë.

Asnjëherë fshatarët shqiptarë nuk kanë pasur një regjim më armik se ky, një regjim që i takson ata në mënyrë të njëanshme, një regjim që i hap kufijtë për të lënë në fushë prodhimet e tyre, një regjim që krijon monopolin e imputeve dhe bën që dengu i barit të kushtojë shumë më tepër se qumështi i prodhuar.

Ka krijuar mbi vendin një rrjet mafioz në të cilin zyrtarët pasurohen, majmen, qeveritarët vjedhin miliona e qindra miliona, kurse shqiptarët ikin dhe vetëm ikin si njerëz të pashpresë paçka se toka e tyre është një parajsë e vërtetë.

Miqtë e mi!

Nga viti 1992 gjer sot, ne nuk kemi patur zgjedhje kaq të rëndësishme, kaq jetike, dhe jo për një parti politike, jo për SaliBerishën, apo një person tjetër, por për çdo qytetar, për secilin prej jush, për çdo demokrat, socialist, të paparti, për çdo të pakënaqur sepse me këtë regjim shkohet nga e keqja në zi.

A nuk kërkoi ky më parë, më jepni mua tepsinë. A nuk u sul me tërbim për të vjedhur pasuritë e qytetarëve shqiptarë, a nuk përdori ky, bordet për të rritur çmimet, a nuk rriti ky çmimin e energjisë elektrike për bizneset me 220 lekë, në një kohë kur në këtë vend asnjë kilovat orë nuk prodhohet nga nafta. Pra ky ka vetëm një qëllim, pasurimin e tij dhe të klaneve të tij. Dhe për këtë, ai vjedh, vjedh në mënyrë të papërmbajtur.

Kontrolli i Larti i Shtetit e deklaron se ka vjedhur me qeverinë e tij 122 miliardë lekë në 9 muaj. A shkohet më tutje me këtë njeri.

Të ecësh përpara me Edi Ramën, do të thotë të ecësh përpara drejt greminës.

Të ecësh përpara me Edi Ramën do të thotë të vraposh drejt varfërisë.

Të ecësh përpara me Edi Ramën do të thotë të vraposh drejt boshatisjes së Shqipërisë.

Të ecësh përpara me Edi Ramën do të thotë të vraposh drejt shkatërrimit të shërbimeve, arsimit, shëndetësisë, biznesit.

Pra a është jetik ndryshimi sot? Pak vite më parë njerëzit e ndjenin se duhej ndryshimi. Por pati nga që menduan përsëri se Edi Rama mund të sjellë ndryshimin. Koha faktoi se ky ishte një mendim shumë i gabuar, sepse Edi Rama jo që nuk solli ndryshimin, por solli përkeqësimin dhe vetëm përkeqësimin e gjendjes ekonomike të shqiptarëve.

Vendosi mbi ta me shpejtësi të madhe, tiraninë e varfërisë.

Sot Shqipëria me një buxhet 5 miliardë euro në vit, dhe 5 miliardë euro nuk janë pak, por janë shumë, ju them unë ju, mbështet me ndihmë ekonomike vetëm 20% të banorëve të saj, që kanë nevojë për ndihmë, dmth nën 1 dollarë në ditë. A ka pashpirtësi më të madhe se kjo. Dhe cili është motivi i Edi Ramës; nuk vdes kush për buk këtu.

Këtij i ka ngelur ora, ky është jashtë kohe. Nuk është koha të vdesë njeri për buk, por të jetojë normal, që të mos numërojnë kafshatën për të mbyllur paratë, është koha të jetosh me dinjitet siç e meritojnë.

Jetojnë në një parajsë të vërtetë që e ke shndërruar në ferr për ta. Jetojnë në një vend me begati natyrore të pafundme, janë njerëz punëtorë, janë njerëz solidarë me njëri-tjerrin, që sakrifikojë. Por të këto i ke shndërruar në një mallkim për qytetarët, ndaj dhe thua se nuk vdes kush për buk.

Për vete udhëton si sheik, 137 udhëtime me avion në dispozicion, asnjë udhëtim kancelari i Austrisë me avion në dispozicion, të gjitha i bën me linjë tregtare. Kurse zotëria me avion me dhomë gjumi luksoze, për vakanca dhe çfarë i solli Shqipërisë ky, përveç se e shndërroi në delen e zezë të Ballkanit. Çfarë i solli Shqipërisë ky përveç se përzuri 1/3 e shqiptareve nga Shqipëria.

Ecën nga sheshi në shesh dhe përpiqet të mashtrojë njerëzit me fjalorin e tij. Çdo socialist, demokrat, çdo i paparti, duhet ta dijë, se në mënyrë absolute ja ku jam këtu para jush, Edi Rama do të shkojë i sigurtë në bankën e të akuzuarit me McGonigalin dhe e pret fati i tij. Por e garantoj se do të dënohet për të gjitha firmat e tij, fap, fap, fap, e bam, bam, bam. Sepse të gjitha ato janë vjedhje e këtyre qytetarëve.

E garantoj se do të shkojë para ligjit për të gjithë dhunimin, armiqësinë që tregon ndaj votës së lirë.

Kjo rivalja e zotit Sharko, është e vetmja nënkryetare që nuk u arrestua me ata të tjerët dhe vazhdon këtu. Jo se ishte më e pastër, por se vodhi më shumë dhe pagoi më shumë. Ju garantoj unë ju.

Ka sjellë këtu një përfaqësues të bandave, një Taulant me shumë mbiemra, i cili vetëm nga një trafikat ka të paguara 54 udhëtime me avion. Urdhëroni kush janë këta.

Ka dërguar në Elbasan Gjiknurin, e ëma e të cilit nuk kishte fshehur 500 mijë si Alba Klosi, jo jo, 6 mln euro ju vodhën asaj në shtëpi, të gjitha të vjedhura nga i biri. Me këta Edi Rama do të mashtrojë shqiptarët.

Unë u bëj thirrje këto ditë që kanë mbetur, të bëjmë gjithçka për të ftuar, nxjerrë në votime çdo lushnjar, të çdo bindje politike, të çdo paparti. A e nigjoni ju si thërret nga frika dhe tmerri, rrini mos dilni në votime, mos hajdeni të dielën në votime.

Ka frikë, ka tmerr nga vota juaj.

Ndaj dhe ju ftoj të bëjmë gjithçka për të ftuar çdo qytetar të votojë, të firmosë ndryshimin. Ndryshimi është votë për EduartSharkon, për koalicionin ‘Bashkë Fitojmë’, ndryshimi është votë për veten tuaj, për liritë dhe dinjitetin tuaj.

Miqtë e mi!

Kur të gjitha pushtetet janë në dorën e një njeriu, ata njerëz dhe atë komb e presin vetëm drama e fatkeqësi. Është rasti i artë për ne. Me 14 maj ti marrim pushtetin vendor dhe ju garantoj se do të jetë e shkurtër koha, kur ai parlament do të shkrihet dhe do të zgjidhet parlamenti i ri, do të zgjidhet mazhoranca e re dhe Edi Rama do të marrë atë që meriton.

Ndaj dhe njëherë, ju ftoj të votojmë ndryshimin, të votojmë Eduart Sharkon, të votojmë Aurel Malkon, kandidatët tona të shkëlqyer për Lushnjen dhe Divjakën.

Votoni për veten tuaj, votoni për të ardhmen tuaj, të ardhmen e fëmijëve tuaj.

Rroftë Lushnja, rroftë Divjaka, rroftë Shqipëria!

About Redaksia

Check Also

Nikolla u dorëhoq, apo e larguan?

Lindita Nikolla ka njoftuar se do të largohet pas pas tre vitesh nga posti i …

Leave a Reply