Fundi i demokracisë!

Nga Ilir LEVONJA

Harta ngjyrë mavi, thuajse 99.99% e territorit të Shqipërisë, shënon se aty ka vdekur një herë e përgjithmonë demokracia. Sot është vulosur gjithçka. Dhe më e trishtueshmja është fakti i shifrave të larta në përqindje mes kandidatëve të shtetit dhe atyre opozitarë. Në rastin konkret as vet socialistorilandasit nuk e dinë se çfarë do bëjnë me fitoren. Rëndësi ka që mundën një palë dhe aq. Rëndësi ka që i treguan vendin armikut të klasës. Por edhe unitetin e çeliktë rreth partisë. Ashtu sikur brezi i mbetur nga diktatura, thuajse i vetmuar në vatrat e tyre për shkak se fëmijët i kanë në emigracion, mbasi të fërkojnë duart se mundën Sali Berishën apo Ilir Metën, kurrë nuk kanë për ta kuptuar se në fakt kanë mundur vetveten. Sidomos disa qytete që përjetësisht e kanë të pamundur ndryshimin.

Përfundimisht në një vend ku të gjithë ankohen për faktin se jetojnë vetëm nga që nuk i ndalojnë dot fëmijët të largohen. Dhe se të gjithë kurohen spitaleve të vendit me ndihmën e kalamajve emigrantë etj, kësisoj duhet votuar me dërrmi bash pikërisht ai që po të dërrmon. Përfundimisht në një vend ku të gjithë ankohen për pagat e ulta dhe informale, për papunësinë, për tokat djerrë, për mos shiitjen a përpunimin e prodhimit etj., kësisoj duhet votuar me dërrmi bash pikërisht ai që po të shkërdhen.

Përfundimisht në një vend ku borxhi publik prej 104% të prodhimit bruto është sukses dhe kësisoj duhet votuar me dërrmi ai që po të rrënon duke të futur thellë e më thellë në borxh. Përfundimisht në një vend ku bëhen zgjedhje me komisione ku nga 5 anëtarë asnjë nuk është i opozitës. Dhe ku mbi këtë komision ka një gjykatë zgjedhore po me pesë anëtarë ku edhe këtu asnjë nuk është i opozitës etj., ta gëzoni, kjo nuk është demokraci, por diktaturë. Ku përpara se të keni fituar, nuk keni bërë asgjë tjetër veçse keni sunduar brutalisht shoqi-shoqin.

Shkurt nuk është demokraci, por shkërdhatokraci. Ky është degradimi total i një vendi me emrin Shqipëri, e cila e ka të vështirë të ndahet nga kulti i individit, ku çdo pushtet e konsideron mjet për të sunduar dhe jo për të qeverisur si alternativë. Nëse u deshën katër dekada për të kuptuar izolimin, ekonominë e dështuar, brutalizmin e luftës së klasave, mungesën e të drejtave të njeriut etj., nga Enver Hoxha, po aq do u duhet për t’u dasuar nga pandemia Edi Rama.

Tashmë ta gëzoni jorganin mavi, mbushni sheshet dhe vazhdoni të zbatoni planet 3 a 5 vjeçare të strategut Rama, i cili shumë shpejt mund t’u afrojë edhe ndryshime të tjera kushtetuale mbi forcimin e kultit të individit. Përfundimisht zgjedhjet e 14 majit 2023 i siguruan atij një dekadë tjetër sundimi, kurse për vendin shënoi vulosjen dhe rënien e demokracisë në Shqipëri.

Dy fjalë edhe opozitarizmit, duhet të kuptoni një gjë, se në demokraci tiranët e kanë më të lehtë të sundojnë. Këtë avantazh u a jep vet demokracia. Ka aty mjete për të sunduar më keq se një diktator. Kjo ka ndodhur ditën me diell në Shqipëri deri në shkelje flagrante kushtetuese gati publike dhe me miratim po publik. Sado t’ju konsiderojnë pakicë, ju jeni heronj dhe pjesa më vitale e atij vendi. Qofshi të bekuar. Nuk keni humbur ju, ka humbur Shqipëria.

About Redaksia

Check Also

Me sy e vesh nga Venecia

Nga Lutfi DERVISHI Në një vend të krijuar nga konferenca e ambasadorëve të Fuqive të mëdha, …

Leave a Reply