Nga Agim XHAFKA
Sot është një ditë mbushur me trishtim, me dhimbje, me revoltë, pakënaqësi e zemëratë. Harta e atdheut thuajse u bë lejla pas votimeve të 14 majit. Ndërkohë në ekrane lexojmë që PS e mori dhe aksh qytet, përlau dhe x qytezë. Një triumf elektoral, në fasadë. Mbushur me shifra, me ahengje, valle e entuziazëm. Por veç në një krah, në ata që frymojnë nën lejlanë disavjeçare. Pjesa tjetër e popullit vazhdon rutinën. Merr valixhet e ikën, shkon e punon atje ku ka gjetur mundësi, mbledh kanoçe, lyp apo vjedh e grabit. Rrojnë të gjithë sipas mundësisë, fatit, favoreve.
Duket se kjo fitore ka rënë si grusht i rëndë stomaku mbi opozitën. Nuk mjaftoi beteja thuajse dyvjeçare me hilet e dredhat ligjore. Na tani e rezultati, tamam si tërmet i Damianit. Normal që më të zjarrtët nga dëshpërimi apo befasia kërkojnë kokën e liderit. Nuk ngjall shpresë, të dorëhiqet, shfryjnë. Më tej nisin argumentet siç i ndjejnë, jo si i mendojnë. Duhet frymë, duhet dallgë se ndryshe nuk mundet Rama. E kur këtyre zërave u bën pyetjen, ore ç’bëre ti për të ngjallur frymë, të thonë:
-Unë banoj në Francë, Amerikë.
-Unë punoj në shtet.
-Kam djalin, vajzën në ministri.
-Ju ndjek nga kafja e lagjes.
-Isha me pushime, ndaj nuk votova.
-Nuk shkoj në protesta se kam frikë mos më arrestojnë.
Janë në të drejtën e tyre. Por duket që plot e plot shqiptarë me kohë kanë dhënë dorëheqjen prej opozitës paçka se po ia kërkojnë atë Berishës. Këtyre u duhet thënë që ky rezultat, që sot duket kaq keq, është një rezultat lufte. Që si atje ka viktima, ama ushtria po mbahet në këmbë. Se Rama ka kohë që po praktikon metodën, të nxjerrim rezultatin në fillim, pastaj të nisë votimi. Kështu me ligje e me gjykata e fshiu opozitën reale. Një degëz të tharë të saj e quajti pemë. Nuk u mjaftua me kaq. Hoqi numërues, komisionierë, financim, pasqyrim në media. Nuk la asnjë mundësi jo të gjuanin topin në fushë, por i la fare jashtë stadiumit. Pra, u xhirua filmi, bëni sikur votoni e unë do bëj sikur numëroj fletët e votimit.
Nëse nuk do qe Sali Berisha, sot Rama sërish do i kishte 61 bashki. Shumë ka, thonë të pakënaqurit. Ka vërtet boll, por ama nuk e fshiu pluralizmin. Jo pse janë 7-8 kryetarë bashkie, por sepse në çdo bashki do jetojnë plot grupe këshilltarësh opozitarë. E kjo nuk është pak. U trondit godina, ama themelet u ruajtën.
Duhet të jemi falenderues ndaj Berishës. Qëndrimi i tij është stoik, mbushur me ide e lëvizje që opozitën as e lanë në gjumë, as e bënë inferiore. Sigurisht situata do analiza. Kryesorja; u shpëtua pluralizmi. Dhe këtë e bëri PD e Berishës. Ajo e degëzës po nanuriset andaj nga vendi i katërt, poshtë Arlind Qorrit. Degëz e mbushur me benefite pushteti, por e zbrazur nga njerëzit, bosh, krejt bosh nga votuesit.