Çfarë duhet të bëjë opozita pas farsës së 14 majit!

Nga Milaim NELA

(Analizë post-zgjedhore Pjesa 2)

Jam matur disa herë të shkruaj për Partinë Demokratike dhe si duhet të ndryshojë ajo jo vetëm për ti rezistuar zhdukjes, për tu rritur e fuqizuar e për të ju përgjigjur realitetit të ri në të cilin ndodhet vendi por për të mos ndikuar sadopak negativisht në prag të zgjedhjeve e kam frenuar veten.

Tani që procesi mbaroi është koha ti themi disa gjëra shqeto.

Nga 9 shtatori i vitit 2021 kur kryetari ‘kalë troje’ i PD-se mori vendimin për përjashtimin e Dr Berishës nga grupi parlamentar e deri më 18 Dhjetor datë në të cilën u bë referendumi që shkarkoi Lulzim Bashën Partia Demokratike ka përjetuar periudhën e ringjalljes thuajse nga hiri. Nga një parti totalisht e shkërmoqur u ringjall jo vetëm partia që kishte rënë në pikën më të ulët por edhe shpresat e demokratëve se më në fund PD-ja do ishte opozitë reale dhe e vërtetë, do ishte e vlerave të djathta e koservatore.

Institucioni i FOLTORES ka qenë aksioni demokratik më frymëzues dhe më shpresëdhënës qē ka ndodhur jo vetëm me partinë demokratike por në politikën shqiptare të pas 90-es. Për herë të parë një parti politike ishte përballë popullit, në një bashkëbisedim pa filtra e të sinqertë duke dëgjuar në vetë të parë votuesit dhe kontribuesit e saj se si e duan ata Partinë e parë të sistemit pluralist pas vitit 1990.

Dr Berisha duke i rënë kryq e tërthor Shqipërisë mori një energji të jashtëzakonshme dhe siç nuk e kishim parë asnjëherë reflektoi dhe kërkoi falje si asnjëherë tjetër më parë. Ai me këtë nuk humbi por përkundrazi kjo i dha një mbështetje të jashtëzakonshme në popull.

Për habinë time pas Kuvendit të 11 Dhjetorit, Foltorja dhe kjo lidhje dinamike me publikun dhe bazën e saj u ndërpre!

Foltorja u shëndërrua në “One man shoë” ku doktori i dinte të gjitha dhe përgjigjej për gjithçka!

I gjithë enturazhi pas tij vetëm miratonin dhe thonin …e di Doktori!

Kjo sipas meje solli shkëputjen e saj me bazën dhe mbështetja ndaj PD-se u zbeh, sadopak.

FOLTORJA jo vetëm nuk duhet të ishte ndërprerë por duhet të ishte shëndërruar në një debat idesh jo vetëm mes Sali Berishës dhe publikut por edhe fugurave të tjera brenda kampit të PD-së që jo domosdoshmërisht ndajnë të njëjtat ide me Doktorin. Kjo duhet të ishte e djathta kjo duhet të ishte Partia Demokratike.

Ishte inercia dhe energjia e Foltores që çoi në suksesin e pjesshëm të 6 Marsit dhe mbajti në lojë opozitën reale.

Ku filluan të shkojnë keq gjërat për Partinë Demokratike?

Ngërçi i parë i partisë demokratike të rithemeluar me zgjedhjet për Këshillin e ri Kombëtar të saj ku eksponentë influentë filluan manipulimin duke u përpjekur jo për një votë të lirë siç ishte kërkuar për muaj të tërë por për krijimin e klaneve dhe grupacioneve të tyre që do influenconin zgjedhjet e forumeve të tjera.

U lanë jashtë këshillit kombëtar qëndrestarët, themeluesit dhe Dhjetoristët që i kishin dhënë kësaj partie të gjithë energjinë e tyre e nuk kishin marrë asgjë nga pushteti i saj ndër vite.

Grupimi ‘Dhjetori 90’ u la thuajse totalisht jashtë por jo vetëm këta.

U ricikluan dhe dolën në rrjeshtat e para të foltoreve figura me dy gishtat lart, të diskretituara në publik që njiheshin nga ditët e pushtetit e ishin të përfolur për korrupsion. Këshilli Kombëtar përfundoi me një masë të madhe riciklimi e jo siç do të donin demokratët e pastër e të sinqertë hapje ndaj vlerave dhe figurave te pastra që kanë çfarë japin.

Kjo u ndje në publik, u ndje në bazën e PD-së.

Po ashtu ndryshe siç u proklamua në foltore vota dhe përfshirja e Mërgatës ajo as nuk u ftua as nuk u përfaqësua në asnjë forum të PD-se duke filluar nga Kuvendi i saj!

Nëse një parti politike pretendon e lufton ta përfshijë mërgatën në ringjalljen e Shqipërisë ajo së pari duhet ta integrojë atë në radhet dhe forumet e saj jo sa për sy e faqe por REALISHT!

Farsa zgjedhore që sapo u mbyll e bën votën e emigrantëve akoma më të domosdoshme dhe jetike për Shqipërinë.

Një dramë e ngjashme dhe e pritshme ishte edhe zgjedhja e Kryesisë së PD-së

Disi u korigjua kjo me zgjedhjen e sekretariateve por plaga kishte ngelur!

Po ashtu ka patur pakënaqësi në zgjedhjet e grup seksioneve!

Nëse Partia Demokratike pretendon se është parti e votës së lirë këtë duhet ta dëshmojë pikësëpari brenda radhëve dhe forumeve të saj!

Duke patur një mandat popullor solid të 40 % të shqiptarëve Partia Demokratike ka momentin ideal të mendojë seriozisht jo vetëm për të ardhmen e saj por dhe për rolin që do marrë në aksionin politik për çlirimin e shqiptarëve nga regjimi mafioz rilindo-sorosian!

Përpara se të kaloj në sugjerimet e mia modeste më duhet të përmend dy-tre zhvillime shumë pozitive e që japin shpresë brenda PD-së.

  1. Zhvillimi i PRIMAREVE përpos problemeve të kuptueshme në rrethana tepër të vështira ka qenë një risi jashtëzakonisht pozitive dhe është mirëpritur nga masat e gjerë. Shpresoj që kjo jo vetëm të përmirësohet si proces në të ardhmen por pse jo të mos përqafohet edhe nga partitë e tjera!
  2. Krijimi i departamentit ‘Brain-Gain’ është një zhvillim shumë pozitiv e në drejtimin e duhur por kjo duhet të zgjerohet.
  3. Partia Demokratike tashmë me shpalljen e Doktrinës së të Djathtës ka Kushtetutën e saj Konservatore e kjo duhet të hapë një diskutim të gjerë brenda së djathtës se si e duam ne shoqërinë tonë, familjen tonë në kushtet e një globalizmi vrasës për bërthamën e një shoqërie të shëndetshme. Për herë të parë nga viti 1990 Partia Demokratike ka një skelet ideologjik siç duhet ta kishte. Është ky zhvillim pra shpallja e kësaj doktrine të së djathtës që luftën e sektit ndaj së djathtës e bën më të ashpër.

Nëse do kthehemi tek vlerat dhe ti mbrojmë ato 500 mijë qëndrestarë nesër do bëhen 1 milionë.

  1. Askush sot nuk mund të thotë që opozita e sotme është e shitur apo nuk është e vërtetë.

Të mos harrojmë që kundër kishim jo vetëm krimin (si përkrahëse e hapur e Edi Ramës) por kishim politikën zyrtare të Shteteve të Bashkuara për të mbrojtur një vendim pa sens e pa logjikë që praktikisht synonte jo eleminimin e një njeriu gati në pension politik siç është Sali Berisha por eleminimin e opozitës shqiptare. Kjo tashmë nuk ka asnjë dilemë.

500 mijë shqiptarët që votuan opozitën e Sali Berishës nuk e votuan atë se janë anti-amerikanë por votuan Sali Berishën se ai është me të drejtën është në mbrojtje të interesit kombëtar të shqiptarëve.

Atyre që kërkojnë sot largimin e Sali Berishës po ju përgjigjem me gjuhën që meritojnë “shut the f ***k up”!

Qëndrimi i Sali Berishës në krye të Partisë Demokratike në këto momente është absolutisht jetik dhe i domosdoshëm sepse pa energjinë, besueshmërinë që ka eksperiencën dhe rezistencën e tij thjesht nuk do kishim Parti Demokratike, nuk do kishim opozitë.

Vetëm shikoni vulëvjedhësit që të bindeni se si do ta bënte Edi Rama opozitën shqiptare, gazi i botës!

Por që Partia Demokratike të shëndoshet dhe të rritet duhet të bëjë ndryshime deri diku edhe rrënjësore.

  1. Duhet ti rikthehet rifreskimit të grupseksioneve të saj duke mbajtur ZGJEDHJE të LIRA në çdo cep të Shqipërisë për të ju dhënë edhe një mundësi tjetër atyre që kanë qenë të pakënaqur nga procesi i vitit të kaluar.
  2. Duhet të mbledhë Kuvendin e JASHTËZAKONSHËM KOMBËTAR ku mërgata të jetë pjesëmarrëse jo sa për sy e faqe po pjesë e rëndësishme jo vetëm e Kuvendit por e të gjitha forumeve të dala prej Kuvendit si Këshilli Kombëtar, Kryesia e Partisë dhe sekretariatet e saj.

Kësaj radhe duhet të gjenden organizatorë të tjerë të zgjedhjeve të këtyre forumeve që nuk i diktojnë zgjedhjet me SMS dhe klane por garantojnë proces të hapur tërësisht të lirë dhe transparent.

Një parti e votës së lirë duhet ta zbatojë atë pikësëpari brenda radhëve të saj.

Duhet të largohen nga linja e parë personat që janë përfolur për manipulime e korrupsion sepse këta thjesht nuk i do votuesi nuk i do populli.

  1. Partia Demokratike nuk mund të vazhdojë më si një parti “One man shoë” me devizën “gjithçka e di doktori” por të hapet seriozisht ndaj vlerave nëse do të mbijetojë në afat të gjatë edhe pa Dr Berishën.
  2. Duke patur besimin dhe mbështetjen e të paktën 500 mijë shqiptarëve partia demokratike duhet të zgjidhë dilemën nëse do vazhdojë betejën ligjore për emrin dhe vulën betejë sipas të gjitha gjasave do zvarritet deri në zgjedhjet e adhshme nacionale apo do regjistrohet me emër të ri pasi nuk mund të vazhdojë më në gjysmëilegalitet.
  3. Të rikthehet institucioni i FOLTORES si mundësi e lidhjes së përhershme me bazën dhe interesat e saj. Kjo do ta bëjë opozitën më të fortë dhe në rritje të vazhdyeshme.
  4. Ne duhet të dalim para shqiptarëve me një ofertë serioze politike, ekonomike e sociale. Duhet të dalim me projekte konkrete se si do ta stopojmë shpopullimin këtë plagë që po e gërryen vendin dhe si do e rikthejmë shpresën që brezi i ri ta shohë të ardhmen në vendin e tij e jo rrugëve të botës.

Ti shfrytëzojmë talentet që i kemi anembanë botës për ta bërë Shqipërinë, për të ja kthyer asaj dinjitetin e përdhosur nga sekti vrastar i rilindjes.

Në këtë shkrim nuk mund të anashkaloj dhe dua të them dy fjalë për çeshtjen e kandidatit të Himarës. Lejimi i një figure të diskretituar që me një nga emrat njihet si Fredi Beleri ishte një gabim trashanik nga ana e PD-së dhe opozitës shqiptare. Nuk është hera e parë që PD bën gafa të tilla! E ka bërë me Vasil Bollanon një lëkurshitur nga Progonati që vetëquhej grek.

Fredi Beleri është i përfoluri i masakrës së Peshkëpisë ku mbetën të vrarë një oficer dhe një ushtar shqiptar në mesin e viteve 90-të. Fakti që nuk është dënuar nga gjykatat greke nuk e bën atë aspak të pafajshëm. Fredi Beleri jo pak herë është paraqitur si bandit i Agimit të Artë në Shqipëri dhe jo pak herë ka pozuar me flamurin e Vorio-Epirit. Është e pafalshme që një surrogato si Beleri të na e bëjë Ramën të sillet si patriot kur ne e dimë që të dy në mënyra të ndryshme synojnë shkatërrimin e Shqipërisë.

Beleri ka qëllim helenizimin e Himarës e Rama do pronat dhe bregdetin për mafian e tij.

Ç’punë ka Greqia ta bëjë çeshtje të politikës ndërkombëtare një zonë safi shqiptare si Himara!

Ne i dimë pensionet që ju jepen Himariotëve vetëm të deklarohen grekë!

Ēshtë turp i madh për shqiptarët që në territorin e tyre të lejohen peligrinazhe të përvitshme për një terrorist si Kacifas që do të ishte ekzekutuar pa paralajmërim në çdo shtet tjeter serioz të botës!

Partia Demokratike e Rithemeluar dhe çdo parti tjetër shqiptare nuk duhet të lidhin koalicion me asnjë parti apo grupim politik veprimtaria e të cilit bie ndesh me interesat e shtetit shqiptar dhe nuk pranojnë çeshtjen apo gjenocidin çam.

Këta sharlatanë si Beleri as nuk mbrojnë minoritetin grek as nuk janë urë lidhëse dhe bashkëpunimi mes komuniteteve tona apo qoftë mes Greqisë dhe Shqipërisë. Minoritarët e mirëfilltë greke janë njerëz të shkelqyer që kanë bashkëjetuar me shqiptarët duke ndarë bashkë me ta të mirën dhe të keqen në periudha të ndryshme të historisë tonë. Eshte e padrejtë që këta të targetohen për shkak të lëkurëshiturve si Beleri apo të tjerë të ngjashëm me të.

***

Përtej Partisë Demokratike në rrethanat e një regjimi monist ku Shqiperia ka dalë krejt jashtë shinave të rendit demokratik është absolutisht jetike rikthimi tek FRONTI I MADH OPOZITAR ku partia demokratike sërish krahas reformimit të saj duhet të luajë rolin kryesor në të.

Në këtë front duhet të përfshihen individë dhe grupe interesi që jo domosdoshmërisht e gjejnë veten brenda Partisë Demokratike por duan të japin kontributin e tyre për rikthimin e pluralizmit politik në Shqipëri. Vetëm shpatullat e partisë demokratike e kanë vështirë ta bëjnë ndryshimin që e presin të gjithë.

E dyta ky FRONT duhet të dalë me një platformë ndryshimi që kërkon vendi;

– Reforma Kushtetuese ku të parashikohet një Kuvend me dy dhoma.

– Reforma Zgjedhore dhe Territoriale me një ndryshim rrënjësor të sistemit të korruptuar aktual.

Ndoshta me pak përmirësime duhet të implementojmë një sistem zgjedhor të paktën si të Kosovës!

– Të pranojmë që reforma në drejtësi jo vetëm ka dështuar por drejtësia është bërë mbrojtësja më besnike e mafias në Shqiperi. Reforma duhet të fillojë nga e para jo nga lart poshtë por nga poshtë lart. Duhet të gjendet mekanizmi i rikthimit në sistem të atyre pak gjyqtarëve dhe prokurorëve që u nxorën padrejtësisht nga sistemi.

– Fronti i madh opozitar duhet ta bëjë luftën në rang kombëtar dhe ndërkombëtar për ti kthyer Shqipërisë dinjitetin e dëmtuar rëndë të shqiptarëve sepse vetëm kështu bota do na marrë seriozisht.

– 500 mijë shqiptare janë një mbështetje e mjaftueshme për ta filluar këtë betejë që tashmë duhet të jetë jo vetëm institucionale siç e kam thënë më sipër por edhe e kombinuar me metoda të tjera kreative si protestat dhe presioni në rrugë e sheshe.

Zinxhiri i këputur i 7 Korrikut 2022 duhet të ringjitet e rikthehet nëse vërtet do të jemi seriozë në shpëtimin e Shqipërisë.

Sot e kemi fakt të pamohueshëm që 40 % e shqiptarëve janë me ne dhe kjo masë mund të kthehet në një ortek ndryshimi.

Nuk ka vend për dëshpërim por të mos humbim kohë për veprim!

 

About Redaksia

Check Also

Si rekruton e si përdor mafia Soros!

Nga Edi PALOKA Mafia , perpara se te pranoje nje “ushtar” te ri ne familje …

Leave a Reply