Nga Armir SHKURTI
Për ç’humbje jep dorëheqjen kryetari i PD? Si rregull, kur kryetari i një partie nuk e nxjerr fituese forcën e tij në zgjedhje, largohet. Me një qark të shkurtër arsyetimi mund të duket e natyrshme edhe kjo sot: “Enki humbi zgjedhjet prandaj u dorëhoq”.
Po pse more vëllezër, ka ndonjë gomar në faqe të dheut që e çon ndërmend se mundej të fitonte gjë “vula”? Pra që Alibeaj dhe lulhumburit hynë në këto votime me ndonjë haluçinacion se mund të mundnin Ramën në ndonjë bashki? Në fakt jo! Gomarllëk të tillë, ç’është e vërteta, nuk dëshmoi “vula”. Që në moskandidimin në gjysmat e bashkive, dorëheqjet seriale të kandidatëve të saj dhe fushatën rakitike u dha mesazhi që as e çonte ndërmend njeri termin “fitore”.
Po çfarë humbi pra Alibeaj që sot dha dorëheqjen nga kryetar i komanduar i partisë?
Gjatë gjithë mbledhjeve nëpër kafene në fushatë të Alibeajt, Çollakut apo në trokitjet nëpër dyer berberësh të Land Bejkos vetëm “Berisha”, “non grata”, “Likja” dhe “SHBA” u lakuan në të gjitha rasat. Bëri “mu” që misioni i kryetarit të komanduar të partisë ishte vetëm të godiste Berishën. Këtë komandë grupimi i vulës bëri çmos ta zbatojë, por s’pati as aftësi, as fantazi, as autoritet e as sy e faqe ta bëjë për të qenë. Shtynë e shtynë deri sa mbaruan zgjedhjet e ata zavallë që garuan dolën diku të tretët e diku të katërtët, me 4 – 5 % të votave nëpër bashki.
Natyrisht që as Berisha me Metën nuk prisnin ndonjë mrekulli, por ç’deshën e morën. Më saktë: konfirmimin se janë ATA opozita dhe alibinë e vjedhjes e parregullsive, për të vazhduar të mbajnë kreun e opozitës dhe udhëtimin politik.
Kështuqë në misionin e vetëm në këto zgjedhje, dëmtimin e Berishës, Alibeaj dështoi me shumë turp, duke shënuar një rezultat të mjerë për atë logo. A e komanduan a e ndjeu vetë që humbi në misionim e tij për këto zgjedhje, unë s’di të them. Por që s’kishte qëllim tjetër e s’shprehu në fushatë asgjë më shumë se “të shporret Saliu” këtë e keni në çdo portal e tv.