Shefi i Organizimit, Klevis Balliu i ftuar në News24 foli për zgjedhjet lokale. Balliu e cilësoi këtë proces si ‘gjenocid ndaj votës së lirë’. Sakaq ai u ndal te figura e ish-kryeministrit Sali Berisha, ku tha se ai do të ndjekë statutin.
“Manipulim i votës. Pse e them këtë? Ndër vite një pushtet vjen duke rënë. Në Kamëz PD një vit më parë PD ka qenë 10 mijë vota më parë. Sot del Suli 12 mijë vota. Ndërkohë duhet të kishte ndodhur e kundërta. Çfarë ndodhi në 8 muaj? Vetë rezultati është një provë e manipulimit të votës. Kjo nuk mjafton për t’u thënë pasi duhen fakte të tjera, 180 mijë qytetarë nuk gjetën emrin në listë. Mbi 1 mln iu ndryshua QV, 10 mijë u punësuan në administratë. Fondi i Ndihmës Ekonomike u shtua me 900 mln euro lekë gjatë fushatës elektorale. 850 mijë qytetarë fituan para shtesë gjatë fushatës elektorale. Përpos këtyre gjërave, 10 mln euro u shpenzuan për ID elektronik.
Gjatë kohës që nuk punonte pajisja e identifikimit, një pjesë e qytetarëve u larguan nga qendrat e votimit. Votimi elektronik në Kamëz ka pasur një problem, operatorët shoqëronin qytetarët të votonin, gjë që nuk lejohet. Së treti, blerja e votës, në parim është e gjerë. Në rastin e Kamzës, administratori i bashkisë shkon dhe kërkon votën në këmbim të parave. Ai arrin dhe bën presion që do japë 200 euro për të dhënë kartën e ID. Kjo është e regjistruar me zë dhe figurë. Këtë provë e çuam në SPAK dhe u kërkua të merrej masa. Patronazhistët rrinin në QV dhe shihte se kush do vinte për të votuar. Përpos këtyre kemi një angazhim të neveritshëm të administratës. Si mundet që nënkryetarja e bashkisë të rrijë me 50 çakej brenda QV?! Kishim një rregull, që do telefononim policinë.
Ne kemi video. Këto janë fakte konkrete të cilat janë të ditura për ne dhe qytetarët. Edhe faktin që për 1 milion qytetarë iu janë ndërruar qendrat e votimit, ato i kemi çuar në SPAK. Kamza është futur në moment të fundit në sistem elektronik dhe këtë e ka bërë Rakip Suli. Nuk kam informacion nëse kanë nisur hetimi, por jam i sigurt që jo. Për sa i përket pajisjes elektronike, ka ardhur si kërkesë nga Suli. Këtë e ka thënë vetë Rama gjatë fushatës. Në Shqipëri është bërë gjenocid ndaj votës dhe pluralizmit.”, tha Balliu.
Duke u ndalur te deklarata e Açkës se Berisha duhet të jepte dorëheqje, Balliu tha se: “Është Açka që duhet të japë dorëheqjen. Ajo çfarë i ka ndodhur këtij vendi është një dramë e madhe. Nuk mund ta mohojë askush që një popull është i detyruar që ‘të vdesë’ kur nuk mund të votojë. Në një vend kur nuk votohet, nuk mund të presësh të drejtën e pronës apo transparencë. Krim më i madh se i vjedhjes së votës është fshehja e saj. Kur nuk ka zgjedhje për asnjë parti politike, është problem i shtetit. Kur themi që bandat futen në proceset zgjedhore, çfarë do themi? Që unë të ndaloj një kriminel me pistoletë në dorë, i bie që unë t’ja marr armën atij dhe ta vrasë.
Drejtësi dhe shtet nuk ka. A nisi me tritol fushata? Si nuk rrezikohet jeta? Këta analistët janë gjysmë të paguar nga qeveria. A ka përgjegjësi opozita? Patjetër që po. E gjithë anëtarësia është në një krahë. Çfarë përgjegjësie kanë këta që vodhën vulën. Këta duhet të kërkojnë ndjesë për atë që kanë shkaktuar ndaj qytetarëve. Këtë duhet të bëjnë dhe të largohen. Përgjegjësia është e madhe dhe nuk ka diskutim që edhe ne kemi përgjegjësitë tona. Mund të jetë mbase ngritja e një platforme tjetër. Këtu nuk është çështje projektesh, por sistemi. Ne shohim sot në Bashkinë e Kamzës që nga administrate po flaken njerëzit nga puna”.
Po ashtu ai tha se Berisha duhet të ndjekë statutin e PD. “Sali Berisha deklaroj që do të ndjekë statutin. Statuti përcakton që do shkosh dhe do rikonfirmohesh në parti. Edi Rama bëri gjithçka që ne të mos futemi në zgjedhje. Do vije radhe edhe e këtyre. Do fshihen si Tahiri. Zgjidhja e problemave në Shqipëri është kthimi te morali, që të vërtetën ta themi në sy. Njerëzit që s’kanë bërë fushatë, s’kanë të drejtë të flasin. Nuk e di nëse kanë dalë për të votuar vetë. Këta duhet të fshihen, të ikin.
Bashkimi duhet të vijë në bazë të moralit. Protestat, edhe kjo duhet… nuk duhen marrë vendime të shpejta. Por protestat në një vend që s’ka liri, demokraci, ku qytetari është skllav, është e domosdoshme. Qytetarët nuk kanë pse të presin organizimet e partisë. Nuk them të dalin vetë, pasi PD do jetë në krah të tyre, por duhet të bëjmë analizën se cila do jetë qasja jonë ndaj kësaj mazhorance. Këtu është sistem i kalbur. Çfarë duhet të bëjë një opozitë kur sistemi është kundër votës?”, tha ai.