Kryetari i PD, Sali Berisha gjatë fjalës së tija në mbledhjen e kryesisë tha se, detyra më kryesore e PD është mbrojtja e votës së shqiptarëve. Berisha tha se, ky proces u karakterizua nga konsolidimi i një makinerie gjigante të blerjes së votës nga qeveria dhe mafia e saj.
“Thirra këtë mbledhje për të diskutuar mbi qëndrimet aktuale ndaj zhvillimeve postelektorale në vend.
Në krye të radhës, unë kam qenë i bindur se detyra më parësore, më kryesore e PD-së është mbrojtja e votës së shqiptarëve dhe misioni i saj themelor. Dhe zotimi solemn dhe i përsëritur i yni, në mënyrë konstante.
Duke qartësuar se mbrojtjen e votës, PD nuk e nënkupton një mbrojtje me armë, nuk e nënkupton një mbrojtje me dhunë.
PD me mbrojtjen e votës nënkupton, sot dhe përsa kohë të jetë forcë demokratike, përdorimin e të gjitha mjeteve të ligjshme për të nxitur votimin, për të inkurajuar votimin, për të mbikëqyrur çdo lloj dhunimi, cenimi në procesin e votimit dhe për të mbajtur qëndrimet përkatëse në vartësi të tyre.
Bazuar në këtë koncept, pas rezultatit tashmë të njohur, kandidatët, kryetarët e degëve, ju që jeni këtu, jeni angazhuar pikërisht në këtë proces. Jeni angazhuar në këtë proces dhe unë e konsideroj themelor sepse ky proces solli më shumë se kurrë ndonjëherë në historinë e këtij vendi, krim në pushtet.
Ky proces u karakterizua nga konsolidimi i një makinerie gjigante të blerjes së votës nga qeveria dhe mafia e saj.
Ky është procesi i parë në 32 vite, që nisi me deklaratën e kryeministrit se Kodi Elektoral është një kinezëri për të. Nisur nga ky koncept, të cilin ai e shpalli nga zyra e tij në kryeministri, vetëkuptohet që zgjedhjet do ishin një proces pa asnjë garanci ligjore, zgjedhjet do ishin një proces vullneti i një njeriu, që ligjin, Kushtetutën e zgjedhjeve, e quan një kinezëri”, tha Berisha.