“Krimeja do të kthehet ukrainase”

Bashkëbisedim me Tamila Tasheva, Përfaqësuese e Përhershme e Presidencës ukrainase për Krimenë 

Mendoni se mund ta rimerrni Krimenë?

Një objektiv themelor i propozimit të paqes të formuluar nga qeveria e Volodymyr Zelenskyj është kthimi në kufijtë ukrainas të 1991. Kjo përfshin çlirimin e gadishullit nga pushtimi rus i vitit 2014. Për këtë qëllim taktika jonë është hibride: domethënë i shoqëron iniciativat diplomatike me mbështetjen e partnerëve tanë ndërkombëtarë me mjete ushtarake. Deri në pushtimin rus të 2022 Kievi shpresonte në një zgjidhje negociale, por me agresionin e saj Moska e ka nxjerrë jashtë loje këtë mundësi. Sulmi rus ndaj pjesës tjetër të territorit ukrainas është edhe rezultati i mosvëmendjes së fortë ndërkombëtare kundrejt Krimesë.

Është e vërtetë se po përgatisni një kundërsulm mbi gadishull?

Ky vendim është kompetencë e ministrive të Mbrojtjes dhe të Jashtëm. Sigurisht që Ukraina e mban të hapur mundësinë e një operacioni të ngjashëm në Krime dhe në rajonet e Kherson e Zaporizhzhias. Janë zona strategjike, pasi janë themelore për furnizimin e ushtrisë ruse.

Për cilat armë perëndimore keni nevojë?

Për çfarëdo mjeti mbrojtës dhe sulmues, përfshi tanke dhe drone. Edhe në pritje të një ripushtimi të gadishullit. Në planin diplomatik, arma më efikase mbetet në fakt presioni i shkaktuar nga sanksionet mbi presidentin Vladimir Putin, mbi oligarkët dhe mbi sektorin bankar rus.

Në çfarë kushtesh Kievi mund ta rihapë dialogun me Kremlinin?

Pas referendumeve false të mbajtura në katër oblastet e Donjeckut, Luhanskut, Khersonit dhe Zaporizhzhias dhe përfshirjes së këtyre territoreve në planin kushtetues rus, presidenti ukrainas ka ndaluar çdo kontakt diplomatik me Rusinë, aq  më shumë në raport me Krimenë. Moska ka mbyllur pdo mundësi dialogu duke çuar nënjë luftë të pistë dhe jokonvencionale. Vetëm kur do të ndërpriten operacionet dhe do të tërhiqet përtej kufijve ukrainas të 1991, marrëdhëniet mund të rifillojnë, por ama në kushtet tona. Një shkëmbim direkt me Federatën Ruse procedon gjithësesi nëpërmjet subjekteve të treta si Kombet e Bashkuara apo Turqia në tema specifike: marrëveshja për grurin, fëmijët e deportuar ilegalisht në Rusi, shkëmbimi i robërve të luftës, çlirimi i civilëve.

Nëse rusët do ta shikonin t’u kërcënohej kontrolli i tyre në Krime, do ta përdornin armën bërthamore?

Rreziku është. Nga pikëpamja ruse, Donjecku, Luansku, Khersoni dhe Zaporizhzhia janë tani subjekte të Federatës, prandaj pdo aksion ushtarak kundër këtyre territoreve është ekuivalente me një shkelje të hapësirës territoriale dhe kushtetuese ruse. Sidomos qysh kur ushtria ukrainase ka çliruar Khersonin, frika se mos Moska përdor armët bërthamore taktike është rritur në Amerikë dhe Europë. Është shfaqur ideja se lufta është për Kievin një rast për rimarrjen e Krimesë edhe me koston e gjakderdhjeve të mëdha dhe është përhapur perceptimi se për të mbrojtur gadishullin Moska mund të përdor armën atomike. Rusia është e izoluar dhe partnerët kryesorë të saj, si Kina dhe India, mbajnë peng përdorimin e bërthamores. Pra nuk besojmë se Moska ka vërtet për qëllim që t’i përdorë.

A eksportojnë rusët drithëra dhe lëndë të tjera të para nga portet e Krimesë?

Po. Nga fillimi i luftës Federata Ruse eksporton nga territoret e pushtuara si Zaporizhzhja, Khersoni dhe Sevastopoli grurin tonë dhe ua rishet paligjshmërisht të tretëve. Prokuroria ukrainase me juridiksion në territorin e Krimesë, e detyruar ta transferojë selinë e saj në Kiev, i ka denoncuar e para këtë vjedhje. Zyra e saj monitoron në mënyrë konstante lëvizjet ruse nëpërmjet Detit të Zi.

Ku janë destinuar këto eksporte?

Në kompani të vendeve të ndryshme, sidomos turke. Kievi nuk e ka e akuzuar kurrë hapur Turqinë për blerjen e grurit të vjedhur në Ukrainë, por i ka kërkuar Ankarasë të hapë hetime mbi subjektet e përfshira.

Cilat biznese e rishesin më pas në vende të tjera?

Po. Në Azi Qendrore dhe në Siri, për shembull, janë zbuluar gjurmë të shkëmbimeve të tilla. Për t’ia marrë këtë treg të paligjshëm Moskës, në përvjetorin e fundit të Holodomorit (zisë së madje të bukës të periudhës 1932 – 1933) Kievi ka nisur një projekt humanitar të mbiquajtur “Grurë nga Ukraina”. Programi është operativ nga nëntori dje shikon pjesëmarrjen e partnerëve të ndryshëm si Italia, Mbretëria e Bashkuara, Shtetet e Bashkuara, Japonia, Koreja e Jugut dhe Turqia. Këta të fundit e blejnë nga ne grurin për ta rishitur më pas në vendet e Azisë Qendrore, Amerikës Latine dhe Afrikës që deri më tani e blinin nga Rusia.

Nëse do ta rimerrte kontrollin e Krimesë, mund të mbanit një referendum apo ta shpallnit gadishullin e pavarur?

Tatarët e Krimesë do të siguronin ka mundësi një status special, por Kievi nuk e ka ndërmend as të mbajë ndonjë referendum, as të mbështesë pavarësinë e gadishullit. Republika Autonome e Krimesë është pjesë e territorit ukrainas. Nga pikëpamja gjeografike është ngushtësisht e lidhur me mëmëdheun dhe i është e varur prej furnizimit me ujë, gaz dhe elektricitet. Nga pushtimi Rusia faktikisht ka pasur vështirësi të mëdha që ta mbështesë. Narracioni i Moskës sipas të cilit Krimeja ju dhurua Kievit nga presidenti rus Nikita Hrushov në vitet ’50 të ‘900 nuk është krejtësisht i vërtetë. Pranon se gadishulli nuk do të arrinte të mbijetonte pa një lidhje direkte me territorin ukrainas.

Kush e banon sot Krimenë?

Përcaktimi i shifrave dhe i përqindjeve është i vështirë pasi censimenti i fundit i takon vitit 2001 dhe Kievi nuk i beson atij rus të 2014. Përpara pushtimit në Krime banonte 1milion e gjysëm njerëz me pashaportë ukrainase., prej të cilëve 500000 të etnisë tatare: Ukraina vazhdon t’i konsiderojë shtetasit e saj, edhe pse kanë marrë pashaportën ruse. Prej vitit 2015, midis 55000 dhe 150000 personave e kanë lënë gadishullin dhe Moska ka favorizuar transferimin e 500000 – 800000 rusëve. Pas pushtimit të 2022 në Krime duhet të jenë akoma rreth 470000 tatarë; shumë burra të rekrutueshëm janë larguar. I kemi bërë këto vlerësime duke analizuar matrikullimet e automobilave dhe ndryshimet e banimit nëpërmjet administratës ruse. Kur Krimeja do të jetë sërish nën kontrolli ukrainas, do t’u kërkojmë rusëve të largohen. Në rast të kundërt, rrezikojnë deportimin.

Si komunikoni me vendasit?

Jemi organi i vetëm që kemi një lidhje direkte me popullsinë. Unë jam tatare e Krimesë dhe dëgjoj rregullisht kushërinj, miq dhe të njohur që banojnë akoma në gadishull. Nga mesi i 2020 në fundin e 2021 kemi pasur 9000 kontakte nëpërmjet letrave, emailave, socialeve dhe kanaleve të mesazhistikës jo të monitoruara nga Moska. Në 2022 kemi pasur 3000, përfshi ato me familje të burgosurish politikë. Të paktën 158 persona janë në burg për aktivitete proteste kundër luftës, prej të cilëve 112 tatarë të Krimesë.

Si është e organizuar rezistenca ukrainase në Krime? Kievi merr pjesë në aksione sabotazhi?

Përpara 24 shkurtit 2022 protestat në Krime kishin si objektiv të drejtat personale dhe nuk kishin karakter proukrainas. Nga fillimi i luftës janë faktikisht në favorin e Kievit: dijmë për të paktën 247 procese në zhvillim për krime administrative kundër forcave ruse. Personat arrestohen sepse nuk kanë një pashaportë ruse, sepse përhapin volantinë apo promovojnë manifestime nëpër shkolla kundër pushtimit. Nëpër mure shfaqen shkrime himinizuese për forcat e armatosura ukrainase, qarkullojnë adezivë dhe pulla që shprehin mosdakordësi ndaj Moskës. Përgjegjësit gjobiten apo burgosen për 10 deri 15 ditë. Lëvizje si Partizanët e Krimesë (Krymsky Partisany), Pulëbardhat Luftëtare të Krimesë (Krymsky Boyovy Ciayki) dhe Ngjitësi i Verdhë (Zhovta Strychka) koordinojnë aksionet e protestës. Ne nuk kontribuojmë në asnjë mënyrë, por kemi kontakte me anëtarë të veçantë dhe u transmetojmë atyre informacione për t’u përhapur. Organe të tjera, si shërbimet e sigurisë ukrainase, mund të menaxhojnë në fakt operacione bashkë me këto grupe.

Është e vërtetë se mobilizimi i tatarëve të Krimesë i nxitur nga Moska nuk ka hasur në protesta lokale të rëndësishme?

Manifestimet në territore nën kontorllin rus pengohen nga survejimi i rreptë i Moskës. Thirrja nën armë ka përfshirë në pjesën më të madhe tatarët e Krimesë dhe mënyra e vetme për ta shmangur qe largimi. Mijëra burra janë transferuar në Gjeorgji, Yzbekistan, Kazakistan, Turqi dhe Bashkim Europian. Nëpërmjet këtij të fundit mund të rikthehen në Ukrainë, por është një zgjedhje e komplikuar dhe e kushtueshme. Udhëtimi i daljes nga Krimeja zgjat 1 javë dhe kushton 500 – 600 dollarë për person. Për arësye sigurie, shumë vendosin të qëndrojnë jashtë vendit dhe të presin përfundimin e luftës.

(nga Limes)

Përgatiti

ARMIN TIRANA

About Redaksia

Check Also

Mesazhi prekës i vajzës së Vilson Blloshimit në 47-vjetorin e ekzekutimit të poetëve

Eni Blloshmi Përkujtojmë VILSONIN dhe GENCIN. Të dashur miq, si sot, 47 vjet më parë, …

Leave a Reply