PL publikon 8 prova që vërtetojnë se zgjedhjet në Kuçovë janë manipuluar

Përfaqësuesit e koalicionit opozitar “Bashkë Fitojmë” vijojnë të pretendojnë se në garën vendore të 14 maji pati manipulime të votimeve dhe numërimeve të votave.

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi renditi 8 prova që sipas tij vërtetojnë se zgjedhjet vendore në 14 maj në Kuçovë janë manipuluar.

“Në Kuçovë, më 14 Maj, është konsumuar një krim i tmerrshëm shtetëror dhe elektoral.

Një tjetër provë filmike e pakundërshtueshme, e bërë së fundmi publike, vërteton faktin tronditës dhe denoncimin e hershëm të Partisë së Lirisë se Bashkia e Kuçovës është grabitur nga narkoshteti dhe se kandidati i “Rilindjes” nuk i ka fituar zgjedhjet por e ka vjedhur mandatin.

Kjo video e marrë nga kamerat e sigurisë së KZAZ-së Kuçovë tregon qartësisht se si makineria kriminale e “Rilindjes” mbush kutitë me fletë votimi që vijnë nga jashtë dhe se numëruesit në fakt nuk kanë lexuar vullnetin e zgjedhësve, por të partisë-shtet.

Kasaphana elektorale është më e qartë se kurrë dhe mjafton edhe kjo provë ekstra që jo vetëm SPAK dhe drejtësia të vihet në lëvizje por që zgjedhjet në Kuçovë të mos pranohen.

Prova më flagrante se këto nuk mund të kërkohen dhe ky krim elektoral nuk mund të mbyllet pa Ndëshkim.

Drejtësia shqiptare duhet të veprojë menjëherë pasi heshtja për këtë manipulim të faktuar në Kuçovë, si në të gjithë Shqipërinë, e bën përgjegjëse dhe bashkëfajtore në kasaphanën zgjedhore, më të rëndën që vendi ka parë ndonjëherë në pluralizëm.

Tanimë është fakt se çdo moment i procesit zgjedhor në Kuçovë ka qenë i manipuluar, i kompromentuar dhe në shkelje flagrante të Kodit Zgjedhor, të së drejtës dhe lirive të qytetarëve, për të zgjedhur në mënyrë të ndershme dhe mbështetur mbi vullnetin e tyre, Kryetarin e ardhshëm të Bashkisë.

Kuçova është sot shembulli më i qartë i konsumimit të të gjitha llojeve të krimeve elektorale, të cilat po ua risjellim edhe njëherë në vëmendje:

1) Së pari, ambjenti i numërimit në Bashkinë e Kuçovës ishte i ndarë në dy dhoma, ku njëra prej tyre nuk survejohej me kamera, ishte e pandriçuar dhe që përmbante shumë materiale të tjera. Në të gjendet edhe sot një derë lidhëse e fshehtë me ambjentet e shkollës përkarshi, e cila nuk u mbyll gjatë procesit të numërimit. Pavarësisht kërkesave të vazhduara të anëtares sonë të KZAZ-së për të mbyllur derën, kjo gjë nuk u pranua nga pjesë tjetër e KZAZ-së;

2) Një tjetër fakt, është njollosja e qëllimshme me bojë vule, e shumë fletëve të votimit për Kryetar Bashkie në kutitë e qytetit, për t’i bërë votat të pavlefshme;

3) Në 2 kuti të qytetit, konkretisht në QV-në nr. 3516 (Vodëz) dhe 3528/1 (Teknikumi), pati mospërputhje vulash sigurie, të konstatuara nga Grupi i Numërimit të Votave dhe të kontestuara nga anëtarja e koalicionit Bashkë Fitojmë në këtë grup numërimi;

4) Kamera e sigurisë (e cila në këto zgjedhje ishte vetëm një, ndryshe nga zgjedhjet e kaluara, ku gjithë ambjenti monitorohej me kamera sigurie) nuk kishte fushëpamje mbi tavolinën 5 të numërimit.

5) Skandaloze ka qenë situata në Lumas, ku personat e paraqitur për të votuar nuk ishin ata që paraqiteshin në kartat e ID. Ky fakt është konstatuar nga komisioneri i “Bashkë Fitojmë” në QV nr. 3417, në fshatin Krekëz, i cili ka mbajtur shënimet përkatëse. Ne kemi verifikuar se shtetasit, karta e të cilëve është paraqitur nga persona të tjerë për votim, ndodhen jashtë territorit të Shqipërisë që prej muajve shkurt dhe mars, fakt i cili është depozituar edhe në kallëzimin tonë në SPAK. Konkretisht, shtetasi me inicialet L.T., i datëlindjes 11.02.1985, është larguar drejt Greqisë në datën 27.02.2023;

6) Fakt skandaloz është ai i votimit në grup, të cilat janë provuar me foto nga vëzhguesit tanë;

7) Një tjetër fakt është ai i votimit jashtë qendrës së votimit, ç’ka evidentohet me foto. Ky krim zgjedhor ka ndodhur në Qv-në nr. 3527 dhe 3527/1, Kopshti Nr. 3;

8) Një tjetër provë e manipulimit të procesit është vula e Kryetarit të QV-së nr. 3504, në Kozare, e cila nuk ndodhej brenda materialeve të votimit në kuti, por është fshehur nga Kryetari i KZAZ-së në një kuti tjetër, ç’ka është evidentuar edhe me foto. Gjithashtu kjo vulë, ka ardhur me zarf të vulosur nga Ministria e Brendshme, ndërkohë që i vetmi institucion, i ngarkuar me ligj për shpërndarjen e materialeve zgjedhore, është KQZ.

Denoncimi i masakrës zgjedhore të ndodhur më 14 Maj është një mision patriotik pa kthim, deri në zbardhjen e plotë të së vërtetës dhe instalimin njëherë e përgjithmonë të institucionit të votës së lirë dhe të ndershme”, deklaroi Tedi Blushi.

About Redaksia

Check Also

Plas në PS, sherr mes Belindës dhe Spiropalit, akuzat…

Mbledhja e sotme e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste nuk ishte ashtu siç e përcolli …

Leave a Reply