Rama nuk dënon aktin terrorist të rrëmbimit të policëve të Kosovës nga Serbia

Rama nuk dënon aktin terrorist të rrëmbimit të policëve të Kosovës nga Serbia. Anulimi i mbledhjes ndërqeveritare pritet të lërë pasoja në raportet Kosovë-Shqipëri.

Në Gjakovë duhej të firmoseshin 13 marrëveshje në mbledhjen e përbashkët të Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë. Mbledhja u anulua, pasi kryeministri Edi Rama vendosi që qeveria e tij të mos marrë pjesë, shkaku i qëndrimit të kryeministrit Albin Kurti për zhvillimet në veriun e banuar kryesisht me serbë. Njohës politikë në Prishtinë e Tiranë thanë se ky zhvillim mund të lë pasoja në raportet mes dy shteteve.

Tepihu i kuq, sallat për takime, ajo për nënshkrimin e marrëveshjeve dhe salla për konferencën mbetën të përgatitura për mbledhjen që nuk u mbajt.

“Të përbashkuar në Gjakovë”. Kjo ishte motoja rreth së cilës do të mbahej mbledhja e dy qeverive, asaj të Kosovës e Shqipërisë. Por, qëndrimet e ndryshme të krerëve të të dyja shteteve lidhur me gjetjen e një zgjidhje për situatën në veri bënë që përfaqësuesit e kabineteve qeveritare të mos ulen në tavolinën e mbledhjes së përbashkët. Ajo u anulua e përgatitjet e bëra shkuan huq.

Mbledhja e paraparë të mbahej në teatrin dhe bibliotekën e Gjakovës, u anulua njëanshëm nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Sipas tij, ajo nuk ka kuptim të mbahet në kohën kur kryeministri Albin Kurti po shpërfill kërkesat ndërkombëtare për veriun.

Koordinatori i Pallatit të Kulturës, Demokrat Zhubi, tha të jetë i zhgënjyer që puna disaditore shkoi huq.

“Janë bërë punë efektive mbi 13 orë vetëm në ditën e djeshme por edhe dy apo tri ditë të mëhershme që kanë fillu si përgatitje të rëndomta… Është zhgënjyes për çdo njërin që pas asaj pune të bome të vijë një moment e të gjithçka të filloj nga zero, të dështojë gjithçka”, ka thënë Zhubi.

Në hapësirat ku duhej të uleshin kryeministra, zëvendëskryeministra e ministra të të dyja qeverive, u paraqit vetëm kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini. Ai shprehu besimin se anulimi i mbledhjes s’do të lërë pasoja.

Por, për pasoja shprehën brengën njohës politikë në Kosovë dhe Shqipëri.

“Pasoja më e madhe është në nivel afatshkurtër se sa afatgjatë, sepse afatgjatë qeveritë ndryshojnë si në Kosovë, si në Shqipëri do të kemi qeveri të tjera në vazhdim dhe të cilat do të kenë marrëdhënie tjera mes njëra tjetrës. Në nivelin afatshkurtër kjo është një pikë shumë e vështirë që ndodhet qoftë nga ana e Qeverisë së Kosovës dhe Shqipërisë”, ka thënë Ledion Krisafi, ekspert i marrëdhënieve ndërkombëtare në Shqipëri.

“Këto kanë qenë përveç dështime praktike të marrëveshjeve të cilat do të mund të rregullonin më mirë jetën e qytetarëve ka pasur edhe një goditje të madhe në aspekt diplomatik”, ka thënë analisti Visar Xani.

Në mbledhjen që s’u mbajt, ishte paraparë të nënshkruheshin 13 marrëveshje.

E meqë gjithçka u shemb, punëtorët nisën edhe largimin e tepihut të kuq, nëpër të cilin duhej të parakalonte edhe Rama.

About Redaksia

Check Also

Goditje tjetër ndaj Ramës, JD Vance dhe Rubio refuzuan takimin me të në Mynih, oligarkët e lobistët dështuan

Rama ka tentuar të takohet në Mynih me Zv.Presidentin amerikan JD Vnace si dhe me …

Leave a Reply