Me urdhër të Prokurorisë së Posaçme, policia arrestoi ish-shoferin e Ardi Veliut, Sokol Idrizajn bashkë me gruan e tij Elda Idrizaj, dhe vuri në masa sigurie “Arrest shtëpie” dhe “Detyrim për t’u paraqitur”, dy vajzat e tyre.
SPAK gjithashtu lëshoi edhe 13 urdhër-arreste të tjerë për pronarë argjendarish, të kompanive të transportit ndërkombëtarë dhe punonjës të policisë kufitare si të përfshirë në të njëjtin grup kriminal.
Prokuroria e Posaçme e hetoi këtë dosje për 12 akuza, më të rëndat prej tyre pastrimi i parave, kontrabandë e sendeve me vlerë dhe grup i strukturuar kriminal.
Hetimi nisi pas letërporosisë së auoriteteve franceze dhe gjatë tij u identifikuan dy grupe kriminale që funksiononin si një.
Zyrtarisht, SPAK thotë se grupi i parë ushtronte veprimtarinë në Francë, ku pas grumbullimit të sendeve të vjedhura në territorin francez dhe shumave monetare që rridhnin nga veprimtaria kriminale, i depozitonin ato në një hotel dhe më pas ua jepnin ato në dorëzim personave të tjerë, për t’i transportuar në mënyrë të paligjshme në Shqipëri.
Më pas grupi i dytë, në bashkëpunim me anëtarët e grupit të parë, i transportonin shumat monetare në sasi të madhe, dhe të padeklaruara nga Shqipëria-Francë, pas përfitimit nga shitja e tyre në vendin tonë.
Verifikimet e SPAK treguan se këto grupe që funksiononin që para vitit 2019, kanë kaluar drejt Francës 724,386 Euro për blerje të sendeve, shifër kjo që i përket vetëm trasnaksioneve bankare, ndërsa shumat në cash të cilat janë transportuar nëpërmjet kufirit shtetëror në mënyrë të paligjshme kapin vlerën e 2.1 milionë Euro dhe 35.000 Franga.
Gjithashtu, grupi rezulton se ka transportuar në mënyrë të paligjshme edhe rreth 3.4 kg sende të çmuara (flori), që shiteshin në argjendari në Tiranë.
Nga kontrollet e ushtruara, policia sekuestroi vlera monetare, bizhu dhe sasi parfumesh, veshje dhe syze të markave të shtrenjta.
Masat e sigurisë janë ekzekutuar për 12 persona, 5 të tjerë nuk janë arritur të gjenden.