Rama donte sanksione, BE: Nuk ka asnjë sanksion ndaj Kosovës

Bashkimi Evropian ka përsëritur të enjten se ndaj Kosovës nuk janë vendosur sanksione apo masa kufizuese, për të cilat duhet të respektohet korniza dhe procedura e caktuar në BE, por vetëm masa dhe instrumente të përkohshme për të dëshmuar se BE-ja është serioze në përpjekjet e saj për t’i ulur tensionet.

Këtë e ka thënë zëdhënësi i BE-së për çështje të politikë së jashtme dhe sigurisë, Peter Stano, të enjten në një konferencë për shtyp në selinë e Komisionit Evropian në Bruksel.

Stano ka përsëritur se këto masa janë të përkohshme dhe se do të hiqen nga rendi i ditës kur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ndërmerr hapat që kërkohen nga ai për t’i ulur tensionet.

Ai ka thënë se disa nga këto masa nuk kanë qenë të lehta për BE-në që t’i miratojë, por janë ndërmarrë pasi, sipas tij “është parë se nuk ka hapa për shtensionim të situatës”.

“Pra, fjala është për instrumente që ne përdorim për të dëshmuar se BE-ja është serioze kur thotë se pret shtensionim të situatës dhe reagim kur një gjë e tillë nuk ndodh“, ka thënë Stano.

I pyetur se a mban BE-ja përgjegjësi pse nuk i ka realizuar premtimet për të siguruar pjesëmarrjen e Listës Serbe në zgjedhjet lokale, pasi Kosova kishte pranuar t’i shtynte ato dhe kishte pranuar Aneksin për zbatim të marrëveshjes në takimin e Ohrit, Stano përgjigj duke thënë se fokusi tash duhet të jetë shtensionimi dhe nuk po shihet se diçka e tillë po ndodh në terren.

Sa i përket Marrëveshjes dhe Aneksit të arritur në Ohër, për të cilin presidenti Vuçiq ka thënë se ai nuk do ta zbatojë në tërësi, Stano ka thënë se “përfaqësuesi i lartë Borrell ka bërë deklaratë pas takimit në Ohër, me të cilën janë pajtuar të dyja palët dhe kjo nuk është tërhequr asnjëherë“.

Prandaj, sipas Stanos, zbatimi i Marrëveshjes dhe Aneksit të Ohrit mbetet obligim.

“Ka një lidhje të qartë mes zbatimit të Aneksit dhe rrugëtimit evropian. Nëse deklaratat e palëve se a e pranojnë apo jo marrëveshjen do të pasohen me veprime, kjo do të reflektohet në procesin e integrimit të tyre në BE. Nëse nuk jemi në gjendje të dalim nga ky rreth i tensioneve, atëherë pasojat do të jenë për të dyja palët“, ka thënë ai.

About Redaksia

Check Also

Trump i shpreh mirënjohjen TikTok-ut: Ndikoi në fitoren time

Presidenti i sapozgjedhur, Donald Trump, deklaroi të dielën se mund të mbështeste vazhdimin e operimit …

Leave a Reply