Policia e Kosovës arreston një tjetër serb për sulmin ndaj gazetarëve

Policia e Kosovës tha se ka arrestuar një të dyshuar për sulmin ndaj gazetarëve në Leposaviç më 16 qershor. Sipas policisë, i dyshuari është i komunitetit serb, i identifikuar me iniciale, U.V.

Autoritetet thanë se arrestimi është kryer në orët e hershme të 19 qershorit në një fshat të Leposaviçit.

“Arrestimi i tij dhe shoqërimi në stacion policor është kryer si rezultat i hetimeve intensive dhe i sigurimit të dëshmive, se i njëjti është përfshirë në sulm ndaj mediave/gazetarëve me datë 16 qershor 2023. Të gjitha veprimet e mëtejme do të ndërmerren në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë”, u tha në njoftimin e policisë.

Ky është personi i tretë që arrestohet për sulmet ndaj gazetarëve, të cilët po raportojnë nga veriu i Kosovës, që kur janë rritur tensionet më 26 maj.

Më 16 qershor, ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, njoftoi se ishte arrestuar Nemanja Vllashkoviç në Leposaviç, për sulmin ndaj gazetarëve më 29 maj.

Një ditë më pas, Sveçla tha se në pikëkalimin kuftiar në Jarinjë – që lidh Kosovën me Serbinë – për sulme ndaj gazetarëve u arrestua edhe Dalibor Spasiç.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka thënë se që nga nisja e tensioneve në komunat në veri, të banuara me shumicë serbe, janë regjistruar 30 sulme ndaj punëtorëve të mediave.

Tensionet në veri të Kosovës janë rritur qysh më 26 maj, kur kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri, me asistimin e Policisë së Kosovës, kanë hyrë në ndërtesat komunale.

Tensionet kulmuan më 29 maj, kur protestuesit serbë u përleshën me pjesëtarë e KFOR-it në Zveçan. Nga përleshjet mbetën të plagosur dhjetëra persona nga të dyja palët.

Situata u përkeqësua më 14 qershor pas arrestimit të tre zyrtarëve policorë të Kosovës. Serbia tha se ata u arrestuan “thellë” brenda territorit të saj, por Kosova tha se ata ishin duke patrulluar në territorin e Kosovës, pranë vijës kufitare me Serbinë në Leposaviq.

Shtetet e Bashkuara, Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar kanë kërkuar lirimin e menjëhershëm të tre zyrtarëve policorë. Departamenti amerikan i Shtetit ka thënë se “arrestimi i tyre dhe mbajtja në paraburgim nën akuza të pabaza kanë përkeqësuar situatën tashmë të tensionuar”./REL/

About Redaksia

Check Also

Hapi i parë i Berishës pas rikthimit të Trump në Shtëpinë e Bardhë me 20 janar

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi sot se cilat do të jenë hapat e …

Leave a Reply