Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha është shprehur se kontrollet e policisë në kampin e MEK këtë të martë janë në kufirin e një akti terrorist.
Në një intervistë në emisionin “Publikisht” të Blerta Tafanit në RTSH, Berisha nuk e mohoi që brenda në kamp mund të ketë përfaqësues të grupeve terroriste, por theksoi se dënon aksionin e policisë, që e konsideroi të dhunshëm. Berisha bëri thirrje për një hetim ndërkombëtar për të zbardhur plotësisht ngjarjen.
“Një sulm në një kamp me breshëri dhe me të vdekur është një akt pothuaj terrorist. Nuk përjashtoj asnjë mundësi që brenda atij grupi të ketë përfaqësues të Iranit, përfaqësues të grupeve terroriste të tjera, por dënoj me ashpërsi një sulm në të cili thuhet se ka 25 të lënduar dhe 1 apo disa të vdekur. Kërkoj hetim ndërkombëtar për të zbardhur plotësisht këtë ngjarje.
Çfarëdo të ishte, nuk mund të shkohej në këtë mënyrë sepse ata kanë rregullat e tyre. Kam dyshime, ka patur një spekulim me sulmet kibernetike iraniane. A kanë qenë ato reale? Po, jam i bindur se regjimi i iranian ka marrë sulme kibernetike ndaj Shqipërisë. Por kam bindje absolute që sulmet kibernetike kundër sistemeve të Shqipërisë i bënë njerëzit e administratës shqiptare para iranianëve”, tha Berisha.