Kryetari i PD, Sali Berisha tha se, Partia Demokratike do ta çojë në Strasburg marrëveshjen e portit të Durrësit. Berisha tha në konferencën për mediat se, Gjykata Kushtetuese ka dhënë një vendim antikushtetues, edhe ajo është shndërruar në një aneks të PS-së.
“Tani ju jeni informuar, Gjykata Kushtetuese dhe ajo është shndërruar në një aneks të PS-së. Ka marrë vendimet më antikushtetuese dhe ka shkelmuar në mënyrë të tmerrshme interesin publik. Duhet bërë një hetim nëse ata gjykatës kanë marrë ndonjë apartament në Dubai City të Edi Ramës, me vendimin që morën.
Të miratosh një marrëveshje e cila shkel në mënyrë flagrante marrëveshjen e stabilizim asociimit. Ndalem këtu, sepse në kushtetutën tonë dhe jo vetëm në të, marrëveshja ndërkombëtare prevalon mbi ligjin e vendit, predominon mbi ligjin e vendit.
Të përdorësh klauzolën e Kushtetutës që thotë se marrëveshja shqyrtohet para se të votohet në parlament, ëshytë një spekulim. Sepse ka një nen tjetër Kushtetuta që zgjat afatin e shqyrtimit të ligjit në dy vite dhe marrëveshja shkon si ligj, marrëveshja thotë ligj, aq më tepër kur kjo marrëveshje është në kundërshtim të hapur me marrëveshjen e stabilizim-asociimit dhe gjykata Kushtetuese është e detyruar ti japë përparësi marrëveshjes së stabilizim-asociimit përpara marrëveshjes së Durrësit.
E treta, siç e dini është një marrëveshje pa garë, e cila në vetvete është në shkelje të Kushtetutës, e cila garanton në nenet dhe frymën e saj garën e hapur dhe të lirë, kjo është bërë pa garë. Dhe këto nuk janë motive për gjykatën Kushtetuese, por njëlloj si të kenë marrë ndonjë apartament në Dubai City, duke treguar një qëndrim korruptim, antiligjor të pashembullt. Ne do ta çojmë në Strasburg marrëveshjen e portit të Durrësit”, u shpreh Berisha.