Yuri Kim po ikën si një hije e zezë nga Shqipëria

Nga Ndriçim KULLA

Një nga ata që u arrestuan nga regjimi komunist me pretekstin se ishte proamerikan, ishte edhe shkrimtari i mirënjohur Petro Marko, i cili u akuzua nga regjimi se iu bënte propagandë ndihmave amerikane. Petro Marko, në kujtimet e tij, thotë rreth akuzës për të cilën e arrestuan dhe dënuan me burg:

Unë u dënova me një akuzë të rëndë, pa fakte reale! Pse pije cigare amerikane? Pse visheshe me uniforma ushtarake amerikane? Këto qenë faktet! Dhe unë, duke qeshur, përgjigjesha: ‘Ne kishim marrëveshje me aleatët amerikanë që të na dërgonin armë, veshmbathje e të tjera. Shumica u veshën me teshat amerikane, si ato që vishja unë. Madje ne ankoheshim dhe thoshim pse s’na dërgojnë më shumë (se ato i hidhnin me parashuta). Shumica e kuadrove tanë kishin po ato veshje amerikane.’ U akuzova pse botoja lajme në faqen e parë të gazetës ‘Bashkimi’ për ndihmat e UNRRA-s për popullin dhe qeverinë tonë. Nga këto elemente rezultoi akuza e tyre: Agjent i Anglo-Amerikanëve dhe i Fulcit. Një akuzë absurde, qesharake dhe pa bazë, shkatërruese, ndonëse s’kisha bërë asnjë faj.

Fjala ‘fanar ndriçues’ është keqpërdorur shumë në kohën e komunizmit në Shqipëri. Nëqoftëse ka pasur ndonjë fanar ndriçues për shqiptarët në kohën e diktaturës komuniste në Shqipëri kjo ishte SHBA, ku ata kishin shpresë. Dhe ky fanar ndriçues nuk e shoi kurrë dritën për shqiptarët.

Në vitin 1989, kur Shqipëria, jo vetëm që nuk kishte marrëdhënie diplomatike me Amerikën, por ky vend quhej zyrtarisht si armiku nr.1 i Shqipërisë, shkrimtari më i madh shqiptar, Ismail Kadare, kishte një shqetësim të madh. Ai donte të gjente mënyrën që t’i dërgonte një mesazh të parit të Amerikës, Presidentit Bush, Plakut, ku ta sqaronte se shqiptarët ishin proamerikanë të zjarrtë dhe se armik i Amerikës ishte vetëm regjimi komunist.

Është shumë prekëse që letrën e Kadaresë, që si rrallë ndonjë dokument në historinë e Shqipërisë veç aktit të shpalljes së pavarësisë, shprehte vullnetin e popullit shqiptar, mori përsipër që t’ia dorëzonte presidentit amerikan një shkrimtar i madh hebre, i mbijetuar i Holokaustit dhe fitues i Çmimit Nobel për Paqen në 1986, i cili me këtë donte t’iu shpërblente sadopak shqiptarëve atë që kishin bërë për shpëtimin e hebrenjve në Luftën e Dytë Botërore. Kadareja i besoi Elie Wiesel-it sepse ai ishte një i mbijetuar i Holokaustit dhe si i tillë nuk do të tradhëtonte besimin e një populli që jetonte në një kamp përqendrimi të madh. Sepse Kadare nuk po i besonte këtij kolegu shkrimtar thjesht një letër të tij, por një mesazh të popullit të tij.

Në fakt SHBA nuk e kishin braktisur kurrë Shqipërinë edhe pas prishjes së marrëdhënieve të imponuar nga regjimi komunist. Amerika e tregoi dashamirësinë e saj ndaj Shqipërisë edhe duke i pritur bujarisht të arratisurit politikë shqiptarë nga Shqipëria komuniste. Zef Suti, i arratisur politik nga Shqipëria, në 1951 dhe i vendosur në SHBA, thotë në kujtimet e tij:

Kur unë kam marrë nënshtetësinë amerikane kemi bërë festë në shtëpinë time. Unë kam pritur pesë vjet të marr nënshtetësinë amerikane, sepse ky është ligji që nuk të lejon ta marrësh para këtij afati. Kur mora nënshtetësinë, kam marrë urime prej senatorit Robert Kenedi dhe prej guvernatorit të Nju Jorkut Nelson Rokfeller. Është gjë e mirë kur shkon në Amerikë dhe merr nënshtetësinë e tyre dhe të dërgojnë letër, duke të uruar: ‘Mirë se ke ardhur në shtetin tonë amerikan’.

Ky ishte një urim në frymën e vargjeve të Statujës së Lirisë, që u tingëllonte shumë prekës këtyre njerëzve që kishin qenë të detyruar të braktisnin atdheun e tyre të shtypur nga diktatura komuniste.

Kur Kadareja i dërgoi letër presidentit amerikan për t’i thënë në emër të popullit shqiptar se antiamerikan ishte regjimi dhe jo populli, ai mund ta ilustronte këtë me shumë prova.

Thelbi i mesazhit të Baker-it ishte në një fjali që ai tha në fjalimin e tij në shesh, një nga fjalimet më emocionues që një burrë shteti amerikan ka mbajtur në botë, Baker tha:

Në emër të presidentit Bush dhe të popullit amerikan sot kam ardhur t’ ju them: Liria bën punën e vet. Më në fund jeni të lirë të mendoni sipas mendjes suaj, më në fund jeni të lirë të thoni atë që mendoni. Më në fund jeni të lirë të zgjidhni udhëheqësit tuaj. Shqiptarët kanë vendosur të hyjnë në shoqërinë e burrave dhe grave të lira kudo që janë, sic ka dashur Krijuesi që të jenë. Ju jeni me ne dhe ne jemi me ju

Ndërsa mesazhi kryesor i fjalimit të Baker-it ishte në fjalinë e fundit të këtij paragrafi: Ju jeni me ne dhe ne jemi me ju!’ Kjo fjali shpreh atë që kanë të veçantë marrëdhëniet shqiptaro-amerikane, si marrëdhënie speciale. Baker-i u emocionua shumë nga pritja që iu bë në Shqipëri dhe deklaroi:

Unë kam 14 vjet që merrem me politikë dhe nuk më kujtohet që të kem parë diçka të ngjashme. Por ja që ndodhi, dhe ky fakt e bën edhe më të jashtëzakonshme. Kjo shprehje simpatie dhe mbështetjeje të sinqertë erdhi ngaqë shihet si simbol i shpresës për një popull i cili për shumë kohë nuk kishte ku të shpresonte.

Kjo panoramë që skicova shkurtimisht më lart që në çdo moment më emocionon dhe mua që e kam shkruar, sot realisht nuk i korrespondon aspak raportit të mardhënieve të shqiptarëve me mikun dhe aleatin tonë strategjik. Dikush i ka pickuar me helm këto mardhënie. Ka shumë arsye që një njeri si unë të mendoj se ky është George Sorros-i me ndikimin, dollarët dhe rrjetin e tij ndikues. George Sorros-i që u shfaq papritur me kopertinën e filozofit epokal Karl Popper si mesazh, se gjoja do promovonte shoqërinë e hapur, sot po rezulton të promovojë një shoqëri e shqyer.

Për interesat e këtij lobisti të ekstremit të majtë, duket sikur administrata e sotme e ShBA e kanë braktisur Shqipërinë, sidomos demokracinë dhe mbarëvajtjen e shtetit ligjor, përderisa këto vitet e fundit ka patur zhvillime të cilat nuk janë kurrsesi në interes të Shqipërisë, por as në interes të këtij vëndi të madh. Ndërsa regjimi komunist vazhdoi të ishte antiamerikan deri në fundin e tij, sot kemi në krye të qeverisë një pinjoll të diktaturës, i cili në një video të bërë virale me zë dhe figurë e përplas flamurin amerikan me neveri ekstreme. Dhe në mënyrë të pabesueshme administrata e presidentit Biden e mbështeti pa rezerva dhe e ka toleruar pafundësisht pa arsye dhe po vazhon ta tolerojë në mënyrë të pabesueshme megjithse e sheh mirë se Shqipëria është kthyer në një regjim përmes kapjes në mënyrë kapilare të të gjitha pushteteve, por sidomos për lidhjet që ka me krimin e organizuar, trafikun dhe rrjetin e trafikut të drogës.

Ambasadorja e Amerikës në Tiranë Yuri Kim që nga dita e parë dhe deri më sot që po ikën, ka kryer një aktivitet të tillë, duke kapërxyer edhe kufijtë e paligjshmërisë si në aspektin diplomatik ashtu edhe në aspektin e shkeljes së sovranitetit kombëtar, përmes mbështetjes së këtij regjimi plotësisht autokratik dhe të korruptuar.

Ambasadotja amerikane Yuri Kim sot që po ikën duket si një hije e zezë në optikën e fillimit të zhvillimeve pluraliste në Shqipëri.

Ajo zhvilloi një axhendë të papërshtatshme, që nuk ishte e SHBA, pa lëre më e jona. Ne jemi një vend i vogël dhe sipas mesazheve të romanit ‘Dimri i madh’ të Ismail Kadaresë, fati i popujve të vegjël nuk duhet të na kthehet gjithmonë në tragjedi të mëdha, sidomos nga një fuqi e madhe mike historike si Amerika. Por fatkeqësisht, kjo ka ndodhur. Dhe është e pamundur për t’u kuptuar se në emër të kujt është bërë.

Sot gjysma e shqiptarëve për të mos thënë shumica e tyre, ndjehen jo vetëm të zhgënjyer e të zemëruar, por edhe të tmerruar nga veprimtaria antidemokratike e përfaqësueses së SHBA në Shqipëri znj.Yuri Kim, për dëmet që i ka bërë demokracisë, pluralizmit, ballancës social-politike dhe drejtësisë, me çmimin e vetëm absurd për të mbajtur në pushtet një satrap, që e ka kthyer përmbys epokën e ëndërrimeve pluraliste dhe demokratike të fillimin të viteve 90-të.

Nën thundrën shtypëse të këtij regjimi kanë ikur 920 mijë shqiptarë. Tragjedi! E dhimbshme! Por të mos e teproj, kanë ikur të djathtë, por dhe të majtë. Dhe nuk duhet harruar kurrë se jemi një vend kaq i vogël. Por shumica qartësisht e të larguarve janë të djathtë, duke përfshirë shumë intelektualë, të cilët u detyruan për shkak të diskriminimit klasor që u bën pinjolli i ish kastës komuniste.

Duke qenë pranë këtyre njerëzve me ndjeshmërinë e lartë që ka një studiues dhe shkrimtar, i kam kuptuar mirë zërat dhe zemrat e tyre të dridhura prej rënkimit të ikjes. Ata nuk mallkojnë vetëm kreun e regjimit, por edhe ambasadoren Yuri Kim, e cila përdori fuqinë imponuese të Amerikës për ta mbajtur në pushtet këtë regjim.

Ka diçka shumë serioze që Amerika ka toleruar për së keqi gjatë sundimit të këtij autokrati dhe me kurajo them se duhet ta rishqyrtoj sa më shpejt këtë qëndrim të saj në raport me këtë vend të vogël dhe mik. Dhe unë besoj plotësisht se kjo do ndodhë, në mos sot, nesër me siguri.

About Redaksia

Check Also

Nuk ta ka fajin Tik Tok-u

Nga Redin HAFIZI Komunistët e shohin çdo problem të shoqërisë tek liria e individit. Ndërkohë …

Leave a Reply