Përse e tolerojnë këtë turp në mes të Europës?!

Nga Klodi STRALLA

Në harkun e këtij muaji u mbajten zgjedhje në Greqi, Turqi dhe Mal të Zi, tre prej fqinjëve tanë më të afërt. Rezultati i tyre ishte përcaktues për rrugët që do të ndiqnin këto vende dhe opozitat e tyre luftuan fort për të siguruar fitoren. Pra interesat në lojë ishin të mëdha.

Ajo që më bën përshtypje, në të tre rastet, është dalja e rezultatit në një kohë rekord dhe pranimi i tij nga pala që humbet. Kjo ka vetëm një shpjegim: – Se këto vende kanë arritur standartin e organizimit të zgjedhjeve të lira, të barabarta dhe të nderçme dhe paregullsitë nuk kanë ndikuar në rezultatin përfundimtar. Kjo nuk është pak, ndonse të tre këto shtete kanë probleme me mirëfunksionimin e demokracisë dhe trajtimin e pakicave të tyre kombetare.

Vetiu pyes: – Çfarë është ky vend, Atdheu ynë, që ka tre dekada që nuk bën zgjedhje të pranuara nga palët në proces, ndonse e di farë mirë sesi organizohen ato? Si tolerohet, në gjirin e familjes europjane një vend i tillë, i mbrapshtë, që prish edhe imazhin e tyre? A ka vend tjetër demokratik ku struktura zgjedhore, nga kreu në bazë, të jetë e ndërtuar mbi raporte partiake, ku njëri duhet të ruajë tjetrin për të mos vjedhur vota?! A ka vend tjetër ku procesi ankimor është më i gjatë se vetë zgjatja e fushatës zgjedhore? Pyetje si këto ka shumë.

Të jetë kaq i rëndësishëm ky vend për interesat e Të Mëdhenjve sa që e tolerojnë të sillet kështu? S’ma merr mendja! …. Mbase po na përdorin për disa punë të pista që nuk duan t’i bëjnë vetë? S’ka shpiegim tjeter!

PS: Në Greqi, qeveria e KM. Micotaqis, para zgjedhjeve, dha dorëheqjen dhe presidentja e vendit dekretoi një kabinet qeveritar teknicienësh, me mandat të përkohëshem, deri në përfundim të zgjedhjeve. Kështu veprohet kur nuk ke synim të vjedhësh vota dhe të stisësh konflikte për të mbajtur me çdo çmim pushtetin.

About Redaksia

Check Also

Krisma nuk pati

Nga Lutfi DERVISHI Sipas Policisë së Shtetit, gjithçka ishte në rregull. Rendi publik nuk u …

Leave a Reply