Kompania koncesionare që menaxhon depozitimin e mbetjeve në Sharrë në afërsi të Tiranës nuk i trajton ujërat e ndotura të dekompozimit të mbetjeve urbane, por i shkarkon ato në lumin Erzen – duke shkaktuar sipas ekspertëve pasoja afatgjata për mjedisin dhe komunitetin e zonës. Ky material u përgatit si pjesë e bashkëpunimit të Rrjetit Ballkanik të Gazetarisë Investigative me Zërin e Amerikës
“T’i nxjerrësh ujin e zi” është një shprehje figurative, që sipas fjalorit të gjuhës shqipe nënkupton shkatërrimin. Por ky kanal me ujë të zi dhe erë kalbësire nuk është figurativ.
Ai zbret nga landfilli i Sharrës në periferi të Tiranës dhe derdhet rreth një kilometër më poshtë në lumin Erzen. Ekspertët e mjedisit e quajnë atë liksiviatë – ose ujë i ndotur dhe i patrajtuar që shkaktohet nga procesi i dekompozimit të mbetjeve urbane.
“Liksiviata ka dy karakteristika kryesore, e para që ka një kërkesë të lartë biokomike për oksigjen dhe në momentin që bie ne kontakt me trupa ujorë sipërfaqësorë, i dëmton ato jashtë mase. Dhe e dyta ka përqendrim të lartë të karbonit organik, si pjesë e procesit të dekompozimit ka përqendrim të lartë të azotit, ka përqëndrim të lartë të toksinave dhe më e dëmshmja, ka prezencë të lartë metaleve të rënda”.
Depozitimi i Mbetjeve në Sharrë menaxhohet nga kompania koncesionare e qeverisë shqiptare, Integrated Energy B.V SPV dhe mbledh mbetjet urbane të zonës më të populluar të Shqipërisë – përfshirë Tiranën dhe Durrësin.
Edhe pse është nën hetim nga Prokuroria e Posaçme si pjesë e aferës së inceneratorëve, qeveria shqiptare ka këmbëngulur që të vazhdojë pagesat për kompaninë Integrated Energy. Kompania ka marrë deri tani rreth 60 milionë euro përmes tarifës së depozitimit të mbetjeve nga bashkitë e qarkut, por inceneratori nuk është ndërtuar ende.
Në janar të vitit 2022, Agjencia Kombëtare e Mjedisit e inspektoi kompaninë koncesionare të landfillit të Sharrës dhe gjeti se ajo nuk i trajtonte ujërat e ndotura të dekompozimit të mbetjeve, por i shkarkonte ato në mënyrë të pakontrolluar.
“Subjekti shkarkon në mjediset ujore pritëse në mënyrë të pakontrolluar ujëra të ndotur (likide) që dalin nga procesi i dekompozimit të mbetjeve në landfill. Subjekti nuk ka instaluar dhe vënë në punë impjantin e trajtimit të shkarkimeve të lëngëta”.
Sipas raportit të inspektimit, Agjencia urdhëroi pezullimin e shkarkimeve të lëngëta deri në vendosjen në punë të impiantit dhe e gjobiti kompaninë me 1 milion lekë për shkelje administrative.
Por pamjet e filmuara nga BIRN në fillim të qershorit tregojnë se një vit e gjysmë pas inspektimit nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit, nga kodra ku depozitohen pirgjet e mbetjeve urbane, vijon të rrjedhë ujë i zi apo liksiviatë.
Edhe pse derdhet në një lumë të turbullt, uji i ndotur i landfillit të Sharrës vazhdon të jetë i dukshëm me sy të lirë në Erzen.
Agjencia Kombëtare e Mjedisit i tha BIRN në përgjigje të një kërkese për informacion se nuk ishte në dijeni nëse kompania kishte marrë masa, pasi nuk kishte kryer një monitorim të dytë. Agjencia tha gjithashtu se gjoba prej 1 milion lekësh ishte në proces ekzekutimi.
Drejtuesja e Agjencisë, Arta Dollani dhe ministrja e Mjedisit, Mirela Kumbaro nuk pranuan kërkesat për intervistë mbi ndotjen e shkaktuar nga kompania koncesionare e landfillit të Sharrës. Edhe kompania Integrated Energy nuk iu përgjigj pyetjeve të BIRN.
Banorët që jetojnë pranë brigjeve të Erzenit thonë se e përdorin ujin për vaditje, edhe pse e shohin me sy ndotjen.
“Pika më kritike është pas Korrikut, kur lumi pakësohet dhe e jep efektin. Skuqet uji, nxihet, për vaditje nuk përdoret më. Tani përdoret se ka ujë shumë, i ndotur është, por ngaqë ka shumë ujë, ndotja duket më pak. Ky ujë ikën deri në Shijak tek serat, por ndotja është ndotje nuk mund të themi se nuk bën dëme”.
Aktivistët mjedisorë janë të shqetësuar se këto ujëra nuk ndotin vetëm lumin e Erzenit, por u kthehen banorëve në tavolinë përmes produkteve që ata konsumojnë.
“Këtu kemi dhe një problem tjetër që me këtë ujin e Erzenit ku shkarkohen këto ujëra të ndotura përdoret nga banorët e zonës për vaditje. Kjo, pastaj afekton dhe zinxhirin ushqimor, pasi nga vaditja kalon tek bimët, dhe më pas shkojnë në zinxhinin ushqimor të njeriut. Aq më tepër që kemi sasi të mëdha prodhimi në këtë zonë”.
Ndotja e shkaktuar nga landfilli i Sharrës demaskon sipas ekspertëve sistemin e çalë të monitorimit dhe ndëshkimit të krimeve mjedisore në Shqipëri.
“Fakti që kompania në fjalë paguan një milion lekë të vjetra për një ndotje e cila shkoi 10 fish apo 100 fish më tepër në kosto, atë si operator ekonomik e bën shumë të lumtur dhe e orienton të zgjedhë kostot oportune më të lira, pra të ndotë mjedisin e të paguajë një gjobë të arsyeshme sesa të vërë në punë impiantin e trajtimit të ujërave, që do të ketë kosto më të larta”.
Ekspertët thanë gjithashtu se rasti përbën një shkelje shumë të rëndë të standardit mjedisor në Shqipëri me pasoja afatgjata në mjedis dhe shëndetin e njerëzve./VOA