KLSH rrëzon Pyllin Orbital të Veliajt: ‘Tirana s’ka vend për të mbjellë pemë’

Kontrolli i Lartë i Shtetit jep alarmin për situatën mjedisore në kryeqytet pas një auditimi tematik për mjedisin në Bashkinë e Tiranës, ku konstatohet se projekti i famshëm i “Pyllit Orbital” i kryebashkiakut Erion Veliaj nuk është realizuar.

“Projekti i Pyllit Orbital për mbjelljen e pemëve për shkak të pamundësive financiare për mbështetje me buxhet si dhe problematikave që lidhen me mungesën e hapësirave të nevojshme për mbjellje dhe çështjeve të pronësisë rezulton me një nivel të ulët realizimi, megjithëse ka kaluar një pjesë e konsiderueshme e periudhës së zbatimit të këtij objektivi,” thuhet në raportin e auditit për vitin 2022 të prezantuar të mërkurën në Kuvend.

Raporti thekson gjithashtu se projekti i Veliajt “Qyteti i Gjelbër” është ambicioz, por nuk është shoqëruar me kapacitete të mjaftueshme financiare dhe logjistike nga ana e bashkisë.

I prezantuar që në vitin 2017, projekti “Pylli Orbital” u reklamua nga Veliaj si projekti më madhor i bashkisë për të gjelbëruar 23 zona të kryeqytetit dhe në mars të këtij viti ai pretendoi se ishin mbjellë 1 milion pemë.

“Mjedisi po degradon me ritme të shpejta, fakt ky që reflektohet në probleme të tilla si pasiguria e tokës, përkeqësimi i cilësisë së ujit, ndotja e ajrit, zhurmat dhe problemet e depozitimit të mbeturinave, etj.” thuhet në më tej në raportin e KLSH.

KLSH konstaton gjithashtu se “zhvillimi i pakontrolluar urban ka shkaktuar ulje të raportit për frymë të hapësirave të gjelbra’.

Në shifra krahasuese, raporti i hapësirave të hapura të gjelbra për 100,000 banorë është shumë i ulët, 0.46m2 /banor, që sipas KLSH-së, është i papërfillshëm krahasuar me normën minimale të parashikuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë prej 9m2 /banor dhe njësoj e papërfillshme krahasuar me vendet e rajonit.

Sipas KLSH-së, Tirana po shënon një rritje të pakontrolluar të popullsisë dhe vendbanimeve informale. Nëse nuk kontrollohet, vëren raporti, -“rritja e qytetit mund të marrë formën e një shtrirjeje të vazhdueshme urbane, duke shkaktuar rritjen e shpenzimeve të infrastrukturës, zgjatjen e kohës së udhëtimit të përditshëm, shkatërrimin e mjedisit natyror dhe zonave bujqësore prodhuese, si dhe rritjen e përgjithshme të konsumimit të energjisë dhe karburantit për transport”.

Në këtë kontekst, KLSH shton se bashkia e kryeqytetit ende nuk ka politika për uljen e zhvillimeve të pakontrolluara urbane.

KLSH i rekomandon kësaj bashkie që të marrë masa për shtimin e hapësirave të gjelbra të reja në territorin që administron, pasi konstaton se në përgjithësi objektivat e saj në këtë drejtim “rezultojnë të realizuara jo në nivelet e pritshme”./BIRN

About Redaksia

Check Also

Berisha: Edi Rama e lëshoi Erion Veliajn, e lëshoi për të mbrojtur veten dhe për të zhurmuar fundin thirri Belindin

Lideri i opozitës, Sali Berisha u ndal edhe te hetimet ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion …

Leave a Reply