Nga Elona CASLLI
Ditët e fundit përballesh shpesh me deklarata të llojeve të ndryshme. Një prej deklaratave me të dendura është; Filloi një kapitull i ri për drejtësinë me arrestimin e Arben Ahmetajt.
Lindin pyetjet; A mund të kryhet një arrestim kur nuk ka një të arrestuar?! A mund të kryhet një arrestim kur ai që duhej të arrestohej dërgon mesazhe nëpër emisione televizive dhe shkruan statuse në profilin e tij në fejsbuk duke pohuar se ai do tē kthehet në Shqipëri kur të dojë ai vetë dhe jo kur thërritet nga institucionet e drejtësisë?
A mund të quhet një kapitull i ri në drejtësinë shqiptare kur avokatët e Ahmetajt ditën e parë thanë se Ahmetaj ndodhej në Shqipëri. Ditën e dytë kërkuan shtyrjen e mbledhjes së Këshillit të Mandateve. Ditën e tretë heshtën. Ditën e katërt njëri prej avokatëve në ecje e sipër pohoi para gazetarëve nëpër dhëmbë se Ahmetaj nuk gjendej në Shqipëri, por në Angli dhe do të kthehej kur Shqipëria të ishte e lirë.
E gjithë kjo panoramë të shpie pashmangshmërisht në përfundimin se ky është thjesht një Kapitull i Vjetër i asaj çka kryeministri po mundohet përdhunshëm ta servirë në sytë e shqiptarëve si ” Drejtësi të Re”.
Ndërkohë që kryeministri orvatet t’u mbushë mendjen shqiptarëve se është përpjekur me mish e me shpirt për ” Drejtësinë e Re” , Prokuroria e Tiranës është pushtuar nga fisi i Felajve dhe është e logjikshme që të mos quhet më “Prokuroria e Tiranës”, por “Prokuroria e Felajve.”
Mjafton vetëm ” Prokuroria e Felajve” si argument për të hedhur në erë ligjëratën monotone dhe anemike të kryeministrit lidhur me ” Drejtësinë e Re”.
Kushdo që ka një përvojë minimale në një institucion shtetëror, e di fort mirë që një specialist i thjeshtë nuk mund të ndërmarrë asnjë hap institucional pa miratimin e përgjegjësit të sektorit përkatës, i cili do të vijohet nga miratimi i drejtorit të drejtorisë ku përfshihet sektori.
Thënë shkurt, Ahmetaj është krejt i vërtetë kur pohon se ai nuk mund t’i ndërmerrte hapat krejt i vetëm, pa pasur miratimin e kryeministrit. Alibia se kryeministri nuk ka qenë në dijeni të aktivitetit të Ahmetajt, mund të jetë i denjë për një film vizatimor, por kurrsesi i denjë për veshët e atyre shqiptarëve që nuk e kanë braktisur ende institucionin e mendimit.
Qofsha e gabuar, por unë besoj se Ahmetaj ka këmbyer heshtjen me arratinë e tij. Ahmetaj pretendon se nuk është arratisur, por njëkohësisht nuk pohon askund vendodhjen e tij. Askush nuk di kur ndodhet Ahmetaj.
Kudo qoftë Ahmetaj, një gjë është e sigurt; Ahmetaj nuk është atje ku duhet të jetë. Përballë drejtësisë duke dhënë variantin e tij të ngjarjeve.
A do të flasë Arben Ahmetaj deri në fund për këtë ngjarje?! E dyshoj fort.
Një burrë që kërcënon publikisht me
” screenshot bisedash”, nuk besoj se ka burrërinë apo dinjitetin të denoncojë publikisht fajin e tij dhe bashkëfajtorët e tij.
Nëse Ahmetaj do të ishte kaq i kulluar sa pretendon se është, mund të vinte të përballej me drejtësinë përmes historikut të shkresave institucionale të cilat në parim duhet të tregojnë edhe ecurinë e mirëfilltë të ngjarjes. Hamendësoj se Ahmetaj nuk i ka kryer me gojë hapat institucionalë.
Ahmetaj është fajtor, por nuk është fajtori i vetëm. Për këtë arsye ai ka luksin të dërgojë mesazhe në studio televizive dhe të deklarojë publikisht se kthimi i tij në Shqipēri varet nga dëshira e tij dhe nga asgjë tjetër.
Post Scriptum- ” Drejtësia e Re” funksionon për një shqiptar të zakonshëm që në kushtet e urisë së skajshme mund të vjedhë një bukë dhe një copë djathi në supermarket, por kurrsesi për Ahmetajn dhe të ngjashmit e tij, pasi për këta të fundit zbatohet thënia e lashtë; Ligji është për armiqtë. Interpretimi është për miqtë.