“Burg, burg është stili i Ramës, o çuna”!

Nga Agim XHAFKA

Që në krye po përsëris atë që kam thënë këto 8 ditë. Protesta ma ka bërë zemrën mal. Më ka gëzuar, ngazëllyer, përlotur dhe shpresuar. Kam qënë vetë ca ditë te sheshi dhe jetova on-line atë lumturi që pata dhe më 1990 e më 1992. Syri sheh rini, bukuri, mençuri. Ndaj më gufoi zemra e më urdhëroi të them ca fjalë zemre.

Shpresoja së pari që te slogani i ditës mos shihja e mos dëgjoja fjalën burg. Në një protestë rinie nuk ze vend organikisht kjo fjalë. Është stili i Ramës. Që 13 vjet rresht qeverisi me burg, burg e si produkt na la vendin më të varfër në Evropë. Një retorikë që e lyen me ngjyrë të zezë shpresën që po ndjen e që po pret shqiptari. Ndërsa kritikohet qeverisja se ka ndërtuar institucione që i komandon Rama aludohet që atë mision ta kryejnë ata që do të dalin në drejtim të Shqipërisë nga kjo pakënaqësi masive. Çështja e arrestimit, e burgosjes, e dënimit u takon prokurorive, gjykatave. Mbështetet mbi prova, fakte, dokumenta. A ka të tilla? Supozohet që po. E ndjejmë përditë që po. Pra mund të kërkohet llogari për zvarritje, për fshehja të aferave, por linçimi mes bulevardit është i një kohe që na dhunoi, na dëmtoi e i dhamë dërmën në vitet ‘90.

Protesta më ngroh shpirtin. Dorëheqja e Ramës do të çlirojë ujin e shpresës. E ka kapur kuçedra që grabit çdo minutë. Pres që ky mision hyjnor të plotësohet. Një sahat e më parë. Ndërsa thirrja burg, burg më duket apandecit në trupin rinor. Duhet hequr. E di që zemërimi është në kulm. E di që mllefi nuk mbyllet nga logjika. Por ja që ditët po shtojnë pjesëmarrësit në protestë dhe po forcojnë arsyen. Që të mos ndodhë si ky dialog i thjeshtë mes brezave:

-O ma, ti nuk di fare si përdoret kompjuteri!

-Edhe ti bir nuk dije fare si përdorej luga.

About Redaksia

Check Also

Ik te Bibi, shpëto lëkurën!

Nga Bislim AHMETAJ Për gati 30 vjet ka monologuar, ka ushtruar pushtet absolut dhe e …