Përbindëshi që keni krijuar

Nga Grigels MUÇOLLARI

Kur dëgjova shpërthimin e Edi Ramës ndaj Mustafa Nanos, nuk pata shumë keqardhje, por shija që la pas kjo shfaqje njerëzore është ende aty.

Gazetari, analisti që ka kontribuar në ardhjen e Edi Ramës në pushtet, madje mund të quhet dhe ideologu i asaj teze të vitit 2013; të bashkohen gjithë qelbësirat për të larguar Berishën e për të sjellë Ramën, mori një linçim publik për qëndrimin e tij pas protestave.

Mustafa Nano paska thënë tani që janë mbushur sheshet dhe revolta ka shpërthyer, se Edi Rama duhet të largohet.

Në një sallë mbushur me militantë e patronazhistë, Kryeministri ngriti trekëndëshin dhe ekzekutoi Mustafa Nanon, duke i kujtuar atij nderin që i ka bërë, mënyrën si ai ia ka kërkuar. Mustafa Nano i qenka ulur në kolltuk në zyrë dhe i paska thënë Ramës ta çojë ambasador se qenka i lodhur me Shqipërinë.

Kryeministri punëmbaruar e dërgon në Zvicër, ambasador. Ai nuk kryen detyrën, e lë në mes mandatin, dhe kthehet e thotë në media që Rama duhet të largohet.

Kur ia bën këtë një njeriu publik që e ka pasur në rrethin e tij, i cili ka ndikuar në ardhjen e tij në pushtet, përfytyroni pak se çfarë është në gjendje t’i bëjë ai një njeriu të zakonshëm.

Edi Rama e quajti Mustafa Nanon edhe spiun të Sigurimit të Shtetit, publikisht, në mes të qytetit, live, faqe botës.

Kjo nuk tregon vetëm gjendjen e rëndë të Kryeministrit, destabilizimin e tij total. Por tregon se çfarë përbindëshi kanë krijuar publicistë e opinionbërës si Mustafa Nano, të cilët kanë meritën e tyre të padiskutueshme në rritjen deri në Kryeministër të Edi Ramës.

Tani atyre, Mustafa Nanos e shumë si ai, u lind detyra që të mblidhen edhe një herë kudo ku janë, të bëjnë një gjë të mirë, të korrigjojnë gabimin historik që kanë kryer ndaj vendit.

About Redaksia

Check Also

“Burg, burg është stili i Ramës, o çuna”!

Nga Agim XHAFKA Që në krye po përsëris atë që kam thënë këto 8 ditë. …