Policia pezullon lundrimin në Koman, banorë e turistë në revoltë: As Enver Hoxha s’na e preu rrugën!

Policia e Shtetit ka bllokuar mjetet e lundrimit në liqenin e Komanit për të verifikuar sigurinë e tyre dhe dokumentacionin dhe ka prishur planet e turistëve që drejtohen kryesisht në lumin e Shalës. Por, më rëndë e kanë pësuar banorët e zonës, të cilët nuk kanë asnjë rrugë tjetër kalimi për të shtëpitë e tyre dhe prej tri ditësh, që kur ka filluar aksioni, po qendrojnë e po flenë buzë liqenit.

Por sot, ata janë mbledhur po protestojnë duke zënë rrugën në tunelin e Komanit për të sensibilizuar qeverinë për telashin që u ka sjellë. Si rrjedhojë, autobusë me turistë janë detyruar të kthehen mbrapsh kurse dhjetra automjete të tjera janë detyruar të rrinë në pritje.

Njëri prej banorëve protestues shpjegoi për SYRI TV se këto barka nuk i ka ndaluar as diktatori Enver Hoxha, pasi nuk ka rrugë tjetër për të shkuar nga Komani deri në Valbonë.

Një guidë turistike, Emanuel Pjetri, tha për SYRI TV  se “ky bllokim ishte i papritur. Kjo është dita e katërt që ndalon turistët, por edhe banorët e zonës që nuk kanë mundësi të shkojnë nëpër shtëpitë e veta. Rreth 300 turistë janë kthyer mbrapsht pasi kanë mësuar se nuk mund të kalojnë liqenin e Komanit në pikun e sezonit turistik.”

“Elektricisti i zonës, i cili në të katërtën ditën vazhdon të presë, tha: “Ditën e mërkurë jam nisur për në punë dhe nuk kam pasur mundësi të kthehem më sepse janë kthyer varkat. Me këto ushqime që i kam blerë për fëmijët kam qëndruar këtu.

Zona e Komanit ose zona duke filluar nga Komani deri në Valbonë nuk ka rrugëdalje tjetër; vetëm me këto varka qysh me Enver Hoxhën deri më sot. Që në vitin ’80 që është bërë liqeni i Komani, këto varka kemi përdorur për të sëmurë, për raste vdekjeje, me këto kemi rritur fëmijët, familjet, mbajmë dhe banorët se u çojmë mallrat, ushqimet. Sot, në Lumin e Shalës, për turizëm, nuk ka këmbë njeriu.

Unë di se sikur të dëgjonin popullin e zonës së Komanit, banorët e kësaj treve, do të ketë njerëz patjetër që do t’u vijë keq; edhe atyre që kanë nxjerrë ligjin për të bllokuar varkat që Enver Hoxha nuk i ka bllokuar, do t’i vijë keq atje në Tiranë. Burrash!

Unë jam elektricisti i zonës. Nëse mbeten autobusët tek kryqëzimi, autobuzët e turistëve, unë nuk kam nga të vij vetëm të vijë helikopteri…”

Një nga banorët pranë tij i kujtoi me ironi, elektricistit, parullën e fushatës së Kryeministrit Rama: “Epo vetëm “Përpara”, thotë ai, vetëm “Përpara”, nuk ka kthim mbrapa!!! – dhe u largua me indinjatë./Syri.net

About Redaksia

Check Also

Hapi i parë i Berishës pas rikthimit të Trump në Shtëpinë e Bardhë me 20 janar

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi sot se cilat do të jenë hapat e …

Leave a Reply