Kryebashkiakun kanë filluar ta lënë nervat

Nga Elona CASLLI

I përkëdheĺur dhe i paprekshëm nga mediat prej viteve, Veliaj po gjendet së fundmi brenda një gjendjeje të re. Gjendje të cilën kryebashkiaku duket se po e përballon me vështirësi. Veliaj nuk është vënë ndonjëherë përballë përgjegjësisë publike mediatikisht. Pjesa më e madhe e mediave në vend e kanë konsideruar prej vitesh si “monument kulture” dhe janë kujdesur jo pak për restaurimin e tij sistematik.

Edicione lajmesh që ndërpriteshin dhe vazhdojnë ende të ndërpriten për të dëgjuar batutat bajate të Veliajt të cilat përbëhen nga një fjalor skajshmërisht i varfër që përmban veç fjalët; fik, pemë, punë, lali.

Gjatë fushatës së zgjedhjeve vendore kryebashkiakun e lanë nervat me një qëndrim kërcënues kundrejt portalit JOQ dhe faqes Lolita. Kryebashkiaku në pamundësi për të sulmuar Arsyetimin e dikujt, sulmon Arsyetuesin.

Së fundmi, një lënie e thellë nervash është vënë re te kryebashkiaku kundrejt gazetares Ola Xama. Ola Xama ka paraqitur një arsyetim profesional dhe krejt të detajuar mbi çështjen e inceneratorëve publikisht.

Veliaj, i pamësuar me presionin publik dhe i stërvitur veçse me përkëdhelje publike, zbaton kulturën e etiketimit duke e quajtur gazetaren në fjalë “Vrasëse me pagesë” dhe “Njeri që nuk e njeh turpin”.

Detyra e kryebashkiakut, që paguhet me taksat e shqiptarëve, duhet të ishte ajo e kthjellimit të opinionit publik lidhur me çështjen në fjalë, por në mungesë të argumentit modeli rilindas fillon kulturën e etiketimit.

Që kryebashkiaku nuk arrin t’i peshojë fjalët që nxjerr nga goja, ky është një fakt i njohur botërisht. Perlat e tij gjatë fushatës janë një përmbledhje fantastike për të ngritur humorin në një ditë shiu, por ka ardhur koha ( ndonëse me një vonesë të tepruar) që kryebashkiaku ta lërë mënjanë historinë e fiqve dhe dasmën me pensionin e mamasë dhe argumentit profesional të një gazetareje t’i përgjigjet me një argument profesional dhe jo me një etiketim.

Post Scriptum- Kryebashkiaku që përmend fjalën “turp”, harron se dhe turpi turpërohet përballë tij.

About Redaksia

Check Also

Rama-Dumani – kampioni i anti-korrupsionit nuk prek kampionët e korrupsionit

Nga Basir ÇOLLAKU Sekretari i Shtetit, Antony Blinken, ka sanksionuar Altin Dumanin, kreun e Strukturës së …

Leave a Reply