Nga Bujar LESKAJ
Sot, në 17 Korrik 2023 mbushen plot 46 vjet nga pushkatimi terrorist i shtetit të diktaturës i poetëve të Librazhdit, Vilson Blloshmi dhe Genc Leka.
17 korriku është një ditë që meriton të kujtohet nga të gjithë. Një demokraci pa kujtesë e sheh veten në vuajtje. Nuk duhet të harrojmë, me qëllimin fisnik të mos përsëritjes të së shkuarës.
Këta poetë dëshmorë e dëshmorë poetë ishin disidentë e antikomunistë të vërtetë dhe treguan krenari e dinjtet duke e paguar dinjitetin dhe antikomunizmin me çmimin e jetës së tyre, për të qenë përjetësisht “Nderi i kombit” tonë.
Kujtoj sot dy martirët me vargjet e Vilson Blloshmit shkëputur nga poezia “Saharaja”, e konsideruar si vepër penale e “agjitacion e propagandës për dobësimin dhe minimin e pushtetit popullor”.
“Saharaja s’di të ëndërrojë.
Ajo bluan gurë me mend’ e saj…
Saharaja s’ka këngë të këndojë,
Saharaja s’ka as lot të qajë.
Saharaja nuk ka miq e shokë,
Saharaja nuk ka bijë, as bir.
Saharaja është një copë tokë,
Thonë se dhe me natën s’shkon mirë…”
Nderim përjetë martirëve Vilson Blloshmi e Genc Leka!