Nga Elona CASLLI
I rrethuar nga një grupim njerëzish të paditur dhe pa identitet, Edi Rama më kujton kukullat ruse që quhen matrioshka. Ai vetë është madhësia më e madhe e kukullës që pasohet nga kukulla me përmasa te ndryshme dhe më të vogla.
Rakip Suli, analfabet deri në dhimbje dhe vulgar deri në dëshpërim, ka ndaluar praninë e medias në mbledhjen e këshillit bashkiak duke e përligjur këtë ndalesë me pohimin prej analfabeti institucional; Kështu më do qejfi mua!”.
Që Rakip Suli të jetë i vetëdijshëm për rëndesën dhe përmbajtjen e fjalës ” institucion” këtë nuk e pret kush. Që të jetë i ndërgjegjshem se ka detyrim ndaj taksapaguesve, as këtë nuk e pret kush.
Duket se panairi i librit ” Kamza lexon”, i organizuar nga Bashkia e Kamzës, nuk i ka mësuar as shprehinë fillestare të komunikimit Rakip Sulit, të quajtur ndryshe “Kryetari i Mrekullive” nga një analfabet tjetër që vërdalliset si arushë me aparat në dorë në korridoret e parlamentit.
Rakip Suli është një matrioshkë e Edi Ramës. Atë që Edi Rama u bën gazetarëve, përpiqet ta bëjë dhe Rakip Suli me stilin e tij. Institucionet në vend janë pushtuar nga matrioshkat e Edi Ramës. Duke qenë të paditur dhe pa identitet matrioshkat e Edi Ramës përpiqen në çdo çast të imitojnë kukullën e madhe. E imitojnë në veshje, e imitojnë në qëndrim, i imitojnë firmën e stërmadhe në shkresa dhe së fundmi përpiqen ta imitojnë dhe në procesin e bullizimit të medias apo të opozitës.
Një matrioshkë tjetër e Edi Ramës, Erion Veliaj ka bullizuar skajshëm këshilltarët bashkiakë të opozitës me fjalinë; Në Tiranë po vijnë yjet e muzikës, ndërsa ju keni mbetur te ” O llaçi bojs”.
Lista e matrioshkave të Edi Ramës ështe shumë e gjatë dhe mund të paraqes dhjetra raste, por ajo çka është tragjike në këtë mes është se tallja dhe bullizimi është kthyer në sistem dhe unë jam krejt e bindur se sedra e kryeministrit përkëdhelet teksa sheh tufën e mediokërve që përpiqen ta imitojnë. E nënvizoj përkëdheljen e sedrës, pasi më kujtohet një pohim i kryeministrit i cili në ligjëratë të drejte thotë; Kostumin me atlete në fillim e kam veshur unë. Pastaj filluan ta vishnin të gjithë”.
Ta ushqesh sedrën me adhurimin e mediokërve është fatkeqësi dhe kthehet në një fatkeqësi të përmasave kombëtare, kur kjo sedër i përket kryeministrit të vendit, pasi institucionet do t’u dorezohen sistematikisht matrioshkave që kopjojnë dhe jo njerëzve që mendojnë.
Post Scriptum- Një njeri mediokër dhe pa identitet mundohet të kopjojë dikë tjetër. Një qënie e plotë është e bukur kur pranon veten ashtu siç është dhe nuk përpiqet ta tjetërsojë artificialisht personalitetin që ka.