Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ishte i ftuar këtë të shtunë në emisionin “Kjo Javë” me Nisida Tufën, ku foli për zgjedhjet e 14 majit dhe rezultatin e tyre. Meta deklaroi se nuk ka pasur një proces zgjedhor demokratik, pasi sipas tij qeveria shantazhoi qytetarët dhe bleu votat.
Po ashtu Meta foli edhe për aksionin e opozitës dhe bashkëpunimin me Sali Berishën, për rikthimin e protestave, si dhe situatën aktuale dhe përçarjen e PD.
Pjesë nga intervista
Që pas shpalljes së rezultatit të zgjedhjeve të 14 majit, është dukur një tërheqje e daljeve tuaja në publik përmes konferencave, qoftë dhe studiove televizive… Ishte një formë pushimi, analize?
Nuk mendoj se ka një tërheqje, por nuk mund të jetë dhe i njëjti intensitet si në periudhën e fushatës. Zgjedhjet ende nuk kanë mbaruar po të kemi parasysh zgjedhjet në Rrogozhinë apo ato të pritshme në Kukës, ndaj është besoj një pozicion tepër normal, ndërkohë që dhe unë kam qenë vazhdimisht për të gjitha çështjet e rëndësishme prezent dhe publik, e sidomos PL ka qenë aktive gjithmonë.
Rezultati ishte larg pritshmërive, çfarë leximi keni për këtë rezultat?
Duhet të flasim fillimisht për procesin. A kishte një proces normal, apo të pranueshëm, dhe në fund besoj se të gjithë e kanë të qartë se ky proces zgjedhor ishte proces i cili tregoi shkrirjen e partisë në pushtet, me shtetin, administratën zgjedhore, policisë me krimin dhe absolutisht që vetëm proces zgjedhor nuk pati. Sa i takon rezultatit është e qartë që kur gjithë shteti punon në mënyrë kriminale për intimidimin e qytetarëve, shantazhimin, blerjen, rrëmbimin e vulës së opozitës kryesore, natyrisht rezultati nuk mund të ishte surprizues në mënyrë pozitive.
Ju keni qenë optimist për rezultatin në Elbasan, Tiranë, Durrës…
Po të shikojmë Elbasanin nuk mendoj se është diferencë e madhe pavarësisht nga operacioni kriminal, kandidati i opozitës ka vajtur rreth 46%, kur dihet gjithë angazhimi i bandave. Edhe Durrësi, ku ndërhyrja ka qenë shumë brutale, e kështu me radhë. Sigurisht që opozita mund të kishte qenë më racionale dhe mund të ishte përqendruar në këto qytetet kryesore ku mund të ishte më e vështirë pesha intimiduese e shtetit. Pavarësisht se krimi padyshim peshën më të madhe e ka në qendrat kryesore, sepse këtu janë interesat kryesore. Rezultati te këshillat duhet të ishte shumë më i mirë për opozitën dhe koalicionin, por këtu janë disa çështje të tjera dhe në këtë drejtim, ajo që duhet realizuar është efektiviteti maksimal i dëgjimit të zërit të qytetarëve.
Berisha ka deklaruar se do t’i drejtohet qytetarëve për protesta për inceneratorëve, a keni koordinim si opozitë për këtë?
Besoj ka një përkushtim opozitar për çështjen e inceneratorëve për t’i shkuar kësaj çështjeje deri në fund.
Protestat u thirrën edhe një vit më parë, u pa edhe pjesa e qytetarëve dhe ndjeshmërisë për të protestuar. U fol për revolucione, për ikje të Ramës me protesta, gjë që nuk ndodhi. Sa besim keni se këto protesta do jenë të efektshme?
Nuk besoj se në këtë situatë ekziston një formë apo rrugë e cila do të japë efektivitet maksimal, sepse jemi në kushtet e një shtetkapje dhe përgjumje shoqërore e cila nuk ka ndodhur sot, para një vit, por për gati 10 vite më radhë në mënyrë sistematike, madje edhe më herët. Është punuar shumë jo vetëm për të çmontuar shtetin. Opozita ka përgjegjësitë e saj për të vendosur llogaridhënien, por kjo nuk ndodh me një protestë, është proces që do kohën e tij dhe kërkon edhe një reflektim brenda opozitës për të organizuar një opozitë sa më efektive. Miratimi i ligjit për kanabisin është një akt tjetër i kapjes së shtetit dhe tregues i pengmarrjes totale nga krimi i organizuar.
Cila është marrëdhënia juaj me zotin Berisha?
Marrëdhënia është mjaft konstruktive edhe bashkëpunuese, asgjë nuk ka ndryshuar dhe nuk ka pse të ndryshojë sa kohë që Berisha ka qenë dhe është i angazhuar në ato qëllime madhore që kemi së bashku për luftën kundër korrupsion dhe për fuqizimin e opozitarizmit…
Jeni në komunikim për aksion opozitar?
Kemi qenë dhe jemi vazhdimisht, bashkë me përfaqësuesit tanë.
Apo diskutoni dhe bini dakord për një datë proteste?
Nuk kam diskutuar për një çështje të tillë, por kemi mbështetur çdo gjë që i shërben ndërgjegjësimit shoqëror për këto fenomene kaq shkatërrimtare për vendin tonë.
Fati më i madh i Ramës duket se është përçarja e opozitës?
Mendoj se investimi i tij madhor dhe i qarqeve të zeza ndërkombëtare që kanë interes për të shkatërruar opozitarizmin dhe mbështetur një narkoregjim që i shkon pas avazit, sigurisht që investimi ka qenë tek rrëmbimi i vulës së PD si partia kryesore e opozitës.
Si e shihni ringritjen e opozitës, të afërt? Të largët?
E shoh si pjesë të ringritjes të gjithë shoqërisë. Gjendja në opozitë është katastrofike prej kohësh. Padyshim që kjo nuk do ndodhte pa ato vendime dramatike që ka marrë opozita në të kaluarën. Dhe shoqëria ka marrë goditje të forta gjatë këtyre viteve.
Zgjedhjet e 29 korrikut?
Do doja të ma kursenit kohën për këtë çështje sepse e dini se çmendoj unë për përgjegjësin kryesor për djegien e mandateve të opozitës dhe personit i cili iu lut presidentit që të shtynte datën e zgjedhjeve se do hynte në zgjedhje, dhe i cili as nuk e regjistroi PD… Çfarë të them tani? Nuk dua të hyj në këto çështje, le të konsiderohet çështje e tjetër kujt…
Çfarë do të thonë nëse Basha do të zgjidhej kryetar i PD?
Nuk kam pasur asnjë dyshim dhe ia kam shprehur dhe Berishës prej kohësh, që vula e PD ishte një objekt i cili u rrëmbye dhe është në dorën e Ramës.
Do duhet që Berisha të sakrifikohet dhe tërhiqet?
Varet se kush e kërkon largimin e tij. Nëse e kërkon dikush që reflekton një dimension opozitarizmi më të fortë se Berisha, nuk ka pas arsye që ta sfidojë në mënyrë demokratike. Nuk dua të hyj në këto çështje sepse janë të demokratëve. Për mua me rëndësi është të mos vijnë përjashtime bazuar mbi paragjykime, sepse mendoj se kjo është një lojë e Edi Ramës.