Goditja nga nxehtësia, çfarë duhet të bëni dhe si të mbroheni

Ngrohja progresive e planetit do të ketë një ndikim të rëndësishëm në shëndetin publik në vitet e ardhshme. Kushdo mund të preket, por subjektet më të rrezikuar janë fëmijët dhe të moshuarit, veçanërisht ata mbi 75 vjeç, shpesh me patologji kronike të cilët janë të ekspozuar shpesh ndaj të ashtuquajturës “sindroma klinike e thyeshme(fragile)”.

Kjo gjendje karakterizohet nga një rezervë fiziologjike e reduktuar, e cila shoqërohet me një aftësi të reduktuar të organizmit për t’u përshtatur me ndryshimet në mjedisin e brendshëm ose të jashtëm dhe çon në një ndjeshmëri të shtuar ndaj eventeve klinike.

Rreziku i të nxehtit është një emergjencë që përsëritet prej disa vitesh gjatë stinës së verës dhe është shkaku i parë i mbipopullimit të urgjencës dhe vdekjeve të shumta, sidomos tek të moshuarit.

SI REAGON TRUPI KUR EKSPOZOHET NDAJ NXEHTËSISË?

Temperatura e trupit të njeriut i nënshtrohet termoregulimit, një sistem i integruar mekanizmash neuro-biologjikë, përgjegjës për ruajtjen e një temperature të brendshme pothuajse konstante prej rreth 36,5°C, pavarësisht nga kushtet klimatike të jashtme. Qendra rregullatore është një lloj termometri i vendosur në tru në nivelin e hipotalamusit. Çdo ndryshim i temperaturës brenda ose jashtë trupit shkakton një sërë eventesh në subjektin e shëndetshëm që e mbajnë temperaturën e trupit konstante. Përgjigja ndryshon në varësi të faktit nëse trupi është i ekspozuar ndaj temperaturave të ftohta apo të nxehta.

Në rastin e ekspozimit ndaj temperaturave të larta, reagimi i organizmit karakterizohet nga aktivizimi i mekanizmave të ndryshëm që rregullojnë dhe mbajnë konstante temperaturën. Mekanizmat kryesorë të kompensimit janë: rritja e qarkullimit të gjakut, djersitja dhe rritja e frekuencës së frymëmarrjes të cilat eliminojnë nxehtësinë. Kur këta mekanizma nuk janë efikas ose të pamjaftueshëm për shpërndarje adekuate të nxehtësisë, qoftë për shkak të intensitetit të ekspozimit ose për shkak të kufizimeve të shkaktuara nga gjendjet patologjike para-ekzistuese, dëmtimi i shëndetit i shkaktuar nga nxehtësia e tepërt shfaqet me një klinikë të përcaktuar si: Dehidratim dhe ngërçe të muskujve, presion të ulët të gjakut, këmbë të enjtura, dhimbje koke, lodhje dhe konfuzion mendor. Këto janë çrregullime që zgjidhen lehtësisht me hidratim të mirë dhe spostim në një mjedis të freskët.

Megjithatë, në disa raste, veçanërisht në subjekte të brishta, si fëmijët shumë të vegjël dhe të moshuarit me patologji kronike, mund të çojë në çrregullime serioze kërcënuese për jetën. Goditja nga të nxehtit është një sindromë e rrezikshme klinike, e karakterizuar nga një rritje e tepërt e temperaturës së trupit mbi 41°C, një urgjencë e vërtetë mjekësore që kërkon shtrimin në spital të subjektit të prekur nga goditja nga nxehtësia e cila shkaktohet nga mosefikasiteti ose pamjaftueshmëria e mekanizmave të termorregullimit dhe prek kryesisht të moshuarit dhe fëmijët e vegjël.

NË CILAT TEMPERATURA ËSHTË MË I MADH RREZIKU I GODITJES NGA NXEHTËSIA?

Në zhvillimin e goditjes nga nxehtësia nuk ndërhyn vetëm temperatura, por edhe niveli i lagështisë. Ato ditë në të cilat temperatura në hije kalon 30°C dhe lagështia relative është më e lartë se 70% duhet të konsiderohen gjithmonë të rrezikshme. Rreziku i goditjes nga nxehtësia është i lartë kur lagështia kalon 90%.

SI SHFAQET GODITJA NGA NXEHTËSIA?

Goditja nga nxehtësia manifestohet me një gamë të gjerë shenjash dhe simptomash:
dobësi
të përziera
të vjella
dhimbje koke
të dridhura
ngërçe të muskujve
ekulibër i paqëndrueshëm
temperaturë e lartë e trupit mbi 40°C
mungesa e djersitjes
lëkurë të thatë
rritje e rrahjeve të zemrës.

Në prani të këtyre shqetësimeve, pa ndërhyrje të menjëhershme, subjekti i prekur mund të pësojë ndryshime të vetëdijes deri në koma. Gjendja e komës mund të paraprihet nga ankthi, konfuzioni dhe konvulsionet. Në një kohë të shkurtër bëhet fjalë për mosfunksionim të shumë organeve (insuficiencë renale akute, insuficiencë akute e mëlçisë, infarkt, trombozë e shpërndarë, lezione muskulore) deri në vdekje.

CILËT PERSONA JANË MË TË RREZIKUAR?

Të moshuarit
Më të rrezikuar se adultët, sepse stimuli i etjes shpesh zvogëlohet me moshën, duke rritur rrezikun e dehidrimit dhe është më e vështirë të përshtaten me temperaturën e jashtme përmes proceseve normale të ftohjes së trupit. Djersitja e bollshme kompensuese, e shkaktuar nga ekspozimi ndaj temperaturave të larta, përcakton humbjen e lëngjeve dhe kripërave, të cilat në një trup të dehidratuar, një gjendje e shpeshtë tek të moshuarit, çon në koncentrim të gjakutdhe mund të shkaktojë tromboza në arteriet koronare(infarkt), arteriet cerebrale(infarkt) ose trombozë pulmonare.

Fëmijët shumë të vegjël.
Të tillë si të moshuarit, fëmijët kanë funksion të papërsosur termorregullues, shfaqin më lehtë simptomat e goditjes nga nxehtësia.

Gjithashtu në rrezik janë:
Personat që vuajnë nga sëmundjet kardiovaskulare dhe diabeti;
Personat që marrin rregullisht barna. Disa barna ngadalësojnë qendrat nervore që rregullojnë temperaturën e trupit, ndërsa të tjerët mund të rrisin prodhimin e nxehtësisë;
Personat që nuk janë të autosufiçent (ata e kanë të vështirë të zbatojnë masat parandaluese.);
Personat që punojnë jashtë ose në mjedise ku ka prodhim nxehtësie (minatorë, punëtorë ndërtimi, etj.);

CILAT JANË KËSHILLAT PËR TË SHMANGUR DËMTIMIN E NXEHTËSISË?

Gjithmonë konsultohuni me buletinin meteorologjik, i cili tregon gjithmonë nivelin e rrezikut);
Dalja nga shtëpia në orët më të freskëta të ditës (para orës 11:00 dhe pas orës 18:00.
Vishni rroba të lehta pambuku të lirshme që lejojnë lëkurën të marrë frymë dhe të thithë djersën;
Rifreskojeni ambientin e shtëpisë dhe të punës. Mbrojini dritaret e ekspozuara ndaj diellit duke përdorur grila, blinda, perde, etj. Mbyllni dritaret gjatë ditës dhe hapini gjatë orëve më të freskëta të ditës (mbrëmje dhe natë). Nëse përdorni ajër të kondicionuar, mos harroni të rregulloni temperaturën midis 24°C – 26°C;
Kalimi i orëve më të nxehta të ditës në dhomën më të freskët të shtëpisë;
Lahuni shpesh me ujë të freskët për të ulur temperaturën e trupit;
Zvogëloni aktivitetin fizik gjatë orëve më të nxehta të ditës dhe shmangni aktivitetin fizik intensiv ose punën e rëndë jashtë;
Pini dhe hani siç duhet, pini të paktën 2 litra ujë në ditë. Të moshuarit duhet të pinë, edhe nëse nuk e ndiejnë nevojën;
Shmangni pirjen e alkoolit;
Preferohet të hani ushqime të lehta me përmbajtje të lartë uji (fruta dhe perime).
Merrni disa masa paraprake nëse udhëtoni me makinë. Duhet të shmanget udhëtimi me makina pa ajër të kondicionuar gjatë orëve më të nxehta të ditës (11.00-18.00); Mos harroni të merni furnizime të mjaftueshme me ujë në rast të radhëve ose radhëve të papritura. Nëse hipni në një makinë të parkuar në diell, hapni dyert përpara se të hyni dhe më pas filloni udhëtimin me dritare të hapura ose përdorni ajrin e kondicionuar. Kini kujdes kur vendosni fëmijët në ndenjëset e sigurisë dhe kontrolloni që të mos jenë të mbinxehura.

SJELLJE TË TJERA TË REKOMANDUARA JANË:

Kushtojini vëmendje ruajtjes korrekte të ushqimeve që prishen (p.sh. produktet e qumështit, mishi) sepse temperaturat e larta mund të favorizojnë përhapjen e mikrobeve patogjene që shkaktojnë patologji gastrointestinale;
Shmangni lënien e personave jo autosufiçent ose me aftësi të kufizuar, fëmijëve dhe të moshuarve, qoftë edhe për një kohë të shkurtër, në makinën e parkuar në diell.
Sigurohuni që personat e sëmurë dhe/ose të shtrirë në shtrat të mos mbulohen shumë.
Konsultohuni me mjekun tuaj për çdo rregullim të terapisë me barna;
Ofroni ndihmë për njerëzit në rrezik më të madh (për shembull të moshuarit që jetojnë vetëm) dhe raportoni çdo situatë që kërkon ndërhyrje tek shërbimet sociale dhe shëndetësore;
Në prani të shenjave dhe simptomave të goditjes nga nxehtësia, kontaktoni menjëherë shërbimin e urgjencës mjeksore127.

ÇFARË DUHET TË BËNI NËSE DIKUSH VUAN NGA GODITJA E NXEHTËSISË?

Goditja nga nxehtësia është një urgjencë e vërtetë mjekësore. Vetëm njohja dhe trajtimi i hershëm në shtëpi dhe më vonë në spital mund të zvogëlojë ndjeshëm vdekshmërinë.
Gjëja e parë që duhet të bëni është të lajmëroni shërbimin e urgjencës mjeksore 127 dhe ndërsa prisni:
Spostoni personin në një vend të freskët dhe të ajrosur mirë dhe përdorni një ventilator.
Aplikoni banjot me ujë jo shumë të ftohtë (redukton shpërndarjen e nxehtësisë) në kokë dhe trup
Mbështilleni me një çarçaf ose peshqir të lagur në ujë.
Aplikoni pako akulli në kokë, nën sqetull, kyçe dhe inguine(rrëzë të kofshës)
Hiqni rrobat, sidomos nëse janë të ngushta
Nëse personi është i vetëdijshëm, shtriheni në shpinë me këmbët e ngritura (rrit rrjedhjen e gjakut në tru);
Jepini ujë të freskët për të pirë nëse personi nuk ka të vjella.

Dr. Skënder Brataj,
drejtor i Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore

About Redaksia

Check Also

Denoncimi i mjekut Prifti: Nga 23 studiues të koronavirusit, 14 u vranë, të tjerët u burgosën

Pjesë nga biseda: Borakaj: Ku ishin pjesa më e madhe e këtyre shkencëtarëve? Kardiokirurgu Edvin Prifti: Lista …

Leave a Reply