Ministria e Brendshme njoftoi pak ditë më parë se, më 31 korrik përfundon kontrata koncesionare e prodhimit të dokumenteve biometrike, çka do të thotë se, qytetarët e interesuar për të aplikuar për këto dokumente, deri nesër, 26 korrik 2023, do të mund ta kryejnë procesin nëpërmjet “ALEAT”.
“Në 31 Korrik 2023 përfundon kontrata koncesionare e prodhimit të dokumenteve biometrike. Prej 1 Gushtit 2023, e në vijim, shërbimi do të ofrohet pa ndërprerje për qytetarët nga shoqëria shtetërore “IdentiTek”. Ministria e Brendshme & “ALEAT” informojnë qytetarët se afati i fundit i aplikimit për ID karta ose pasaporta biometrike, përmes kuponëve të “Aleat” është data 26 Korrik 2023.”
Por, çfarë do të ndodhë pas kësaj date?
Sikurse njoftonte Ministria, nga data 1 gusht, qytetarët do të mund të pajisen me kuponat përkatës për kartat ID dhe pasaportat biometrike në kompaninë shtetërore, “IdentiTek”, në çdo zyrë të Postës Shqiptare.
“Nga data 1 gusht, aplikimet do të vijojnë me kuponët e rinj të kompanisë shtetërore “IdentiTek”, të cilat i gjeni në të gjitha zyrat e Postës Shqiptare. Ministria e Brendshme dhe “IdentiTek” janë të angazhuara të garantojnë standardin e dokumenteve të prodhuara dhe vijimin e procesit të pajisjes së qytetarëve me ID karta e pasaporta biometrike pa ndërprerje, në të njëjtat zyra si brenda apo jashtë vendit.”
Çfarë është “IdentiTek” dhe kush do të jetë në krye të saj?
Këshilli i Ministrave më 14 shkurt i hapi rrugë krijimit të kompanisë shtetërore për prodhimin e pasaportave dhe kartave të identitetit. Krijimi i kësaj kompanie do t’i kushtojë buxhetit të shtetit 20 000 000 lekë. Aktualisht, shqiptarët, për të prodhuar një pasaportë personale duhet të paguajnë 7,500 për një afat 15 ditor, ndërsa në një afat të përshpejtuar në vetëm 2 apo 3 ditë duhet të paguajnë 18,000 lekë, ndërsa për prodhimin e kartës së identitetit duhen 1,500 lekë.
Loina Prifti është drejtuesja e re e cila do të jetë në krye të institucionit që do të prodhojë pasaportat biometrike dhe kartat e identitetit. Ky institucion nuk do të njihet më me emrin “Aleat”, por “IdentiTek”. Ajo pritet të marrë detyrën e re në datën 1 gusht, datë ku firmës private “Aleat” i përfundon kontrata për prodhimin e dokumenteve biometrike me shtetin shqiptar, të lidhur që në vitin 2008.
Loina Prifti prej vitesh jeton dhe punon në Gjermani ku ka marrë edhe shtetësi gjermane. 35-vjeçarja aktualisht punon në Katedrën e Informacioneve në Universitetin Teknik të Mynihut dhe merret me inteligjencën artificiale.
Një nga ndryshimet që kjo agjenci do të realizojë sapo të kthehet nën administrimin shtetëror do të jetë ulja e tarifave si për kartat e identitetit dhe pasaportat, por akoma nuk janë përcaktuar pasi janë në diskutim.
Sa i takon logjistikës dhe infrastrukturës mësohet se shoqëria aksionere “IdentiTek” do të mbajë të njëjtat zyra, pajisje dhe punonjës që ka deri më sot “Aleat”, përfshirë edhe mbajtjen e lidhjeve me kompaninë “Idemia” në Francë.
Kompania shtetërore do ofrojë kundrejt pagesës shërbimin e prodhimit dhe shpërndarjes së:
- a) letërnjoftimit elektronik dhe pasaportës biometrike;
- b) dokumentit biometrik (leje qëndrimi për të huajt për çdo motiv me përjashtim të lejes provizore dhe humanitare);
- c) letërnjoftimit elektronik për personat që kanë përfituar statusin e refugjatit dhe mbrojtje plotësuese;
ç) dokumentit të udhëtimit për personat që kanë përfituar statusin e refugjatit dhe mbrojtje plotësuese;
- d) çdo dokumenti tjetër biometrik që lëshon Ministria e Brendshme dhe institucionet në varësi të saj brenda fushës së përgjegjësisë shtetërore si dhe çdo shërbim tjetër në përputhje me qëllimin e krijimit dhe statutin e saj.