PS shtoi votuesit në Rrogozhinë, përqendroi administratën dhe perfeksionoi patronazhistët

Franci Nuri, përfaqësuesi ligjor i Partisë Demokratike në KQZ, në përfundim të zgjedhjeve të përsëritura në Rrogozhinë ku diferenca e parë midis kandidatit të PS, Edison Memollës dhe atij të opozitës, Shkëlqim Hoxhës ishte vetëm 21 vota, tha se më 23 korrik në këtë bashki të vogël pati shtim votuesish, përqëndrim të të gjithë administratës shtetërore dhe perfeksionim të sistemit patronazhist, që çuan në një diferencë prej më shumë se 1500 votash midis dy kandidatëve.

I pyetur në emisionin Kafe Shqeto në SYRI TV sot se çfarë u pa ndryshe më 23 korrik në Rrogozhinë nga zgjedhjet vendore që u zhvilluan më 14 maj, z. Nuri vërejti:

“Sikundër televizioni juaj, SYRI TV, e pasqyroi gjëresisht, ajo që ishte ndryshe nga 14 maji në Rrogozhinë ishte përqendrimi i të gjithë administratës shtetërore, lokale por edhe qendrore nga Tirana, e cila u zhvendos e tëra në një bashki shumë të vogël si ajo e Rrogozhinës, ku herën e parë pati vetëm dhjetëmijë votues.

Kësaj radhe pati një shtim të votuesve, në rreth 11 mijë, pra njëmijë më tepër dhe pamë një perqëndrim të të gjithë shtetit, të ministrave, të drejtorëve, të deputetëve, që erdhën të gjithë aty prezentë dhe kanë bërë fushatë për javë e javë të tëra. Kjo ishte diferenca dhe pastaj asgjë tjetër nuk ndryshoi: sistemi patronazhist, sistemi i kontrollit të votës vijoi nga fillimi deri në fund për të mos thënë që ishte akoma më i perfeksionuar sepse e dinin tashmë ku ishin pikat ku duhej të fokusoheshin.

Flavio: Z. Rama tha se “nxorëm mësime” nga 14 maji, por dje z. Berisha i denoncoi ato shkelje që e kthyen 23 korrikun e Rrogozhinës në një farsë elektorale. A ekzistojnë në këto momente, kushtet, për një raund të tretë në Rrogozhinë?

Franci Nuri: Provat janë më të shumta të shkeljeve dhe abuzimeve, por duke nisur nga konteksti që ne kemi hasur me KAS-in pranë KQZ dhe me Kolegjin Zgjedhor për rastet, po marr shembullin e Elbasanit, shembullin e Kamzës ku diferenca ishte relativisht e rëndësishme midis dy kandidatëve, duke qenë se tani diferenca zyrtare është mbi 1500 vota, gjykojmë se do të jetë goxha e vështirë të ndiqet në rrugë administrative dhe ligjore, gjyqësore pranë këtyre institucioneve duke pasur parasysh edhe background-in edhe ecurinë e vendimmarrjes së këtyre institucioneve për raste të ngjashme.

Duhet ta kujtoj publikun se përsëritja e zgjedhjeve në Rrogozhinë ndodhi vetëm për shkak të kutisë (së votimit) të burgut, sepse diferenca ishte 21 vota dhe të burgosurit votuan në mënyrë të paligjshme; ngritja e asaj qëndre votimi ishte e paligjshme. U justitifikua Kolegji Zgjedhor me faktin se diferenca midis dy kandidatëve shuhej po të hiqej nga tabela përfundimtare e rezultateve, kutia e burgut.

Kësaj radhe, duke qenë se rezultati është pak më “i madh” dhe kjo është një eufemizëm, atëherë ne gjykojmë se do të jetë pak më e vështirë. Gjithsesi, vendim-marrja do t’i ngelë strukturave të partisë dhe vetë kandidatit nëse ai do ta gjykojë të arsyeshme të ndjekë rrugët institucionale./Syri.net

About Redaksia

Check Also

Italia: Përgjimet e SKY ECC mund të përdoren si prova ndaj krimit

Përgjimet e mbledhura nga platforma SKY ECC, sipas Gjykatës së Kasacionit në Itali mund të …

Leave a Reply