Nënkryetari i Këshillit Bashkiak të Tiranës, Dorjan Teliti nga selia blu ka akuzuar kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Velaij se është duke dhënë me qira qesharake Akuadromin e Tiranës.
Gjatë deklaratës për mediat, Teliti u shpreh se, sa më e vogël të jetë vlera e qirasë, aq më i lartë është pazari që bën Erion Veliaj me biznesmenin e radhës.
‘Sa më e vogël të jetë vlera që shkon në arkën publike, aq më i madh është pazari që ai bën me oligarkun e radhës, që do ta marrë këtë pasuri në shfrytëzim. Një çmim i lirë në tavolinë, do të thotë një ryshfet i majmë nën dorë. Interesi publik nuk ka asnjë rëndësi dhe vlerë’, tha Dorjan Teliti gjatë deklaratës për mediat.
DEKLARATE PER MEDIAT
Një vit më parë, Erion Veliaj lajmëronte se kompleksi i pishinave të Tiranës po i kthehej nën administrim bashkisë. Nuk harroi të shtonte se bashkia e tij mund ta menaxhonte më mirë se privati.
Tani ka ndërruar mendje dhe kundërshton atë që vetë thoshte në maj 2022. Veliaj ka shpallur tenderin për dhënien me qira të Akuadromit apo kompleksit të pishinave. Shkelja nuk është te hipokrizia e bashkiakut, sepse kjo “cilësi” e tij e njohur tashmë.
Skandali i aferës së radhës lidhet me faktin se një sipërfaqe prej 1300 m2, në një nga zonat më të mira të Tiranës, i është paracaktuar vlera dysheme 53.48 lekë. Më pak se në një rrëpirë në një katund të thellë të Shqipërisë. Konsiderimi i pasurisë publike si tekë interesash private vërehet edhe te vlera përfundimtare e qirasë për të gjithë pasurinë; 180.127 lekë ose 1800 euro.
Partia Demokratike e di se përtej shifrave, qëndron filozofia zhvatëse e kryebashkiakut.
Sa më e vogël të jetë vlera që shkon në arkën publike, aq më i madh është pazari që ai bën me oligarkun e radhës, që do ta marrë këtë pasuri në shfrytëzim. Një çmim i lirë në tavolinë, do të thotë një ryshfet i majmë nën dorë.
Interesi publik nuk ka asnjë rëndësi dhe vlerë.
Opozita dhe publiku nuk habitet nga kjo. Është i njëjti Veliaj i inceneratorit, i koshave të mbeturinave në Tiranë që reklamojnë se bëjnë ndarje, por përfundojnë në të njëjtën makinë plehrash, i 1 milion pemëve, i Teatrit Kombëtar që u prish për oligarkun e radhës për teatër me kulla biznesi, e me radhë.
Partia Demokratike i bën thirrje publikut të ruhet nga Veliaj sepse është në mandatin e fundit, dhe në këtë katërvjeçar do të bëjë edhe dëmin më të madh. I duhen edhe më shumë miliona për të blerë nga Rama partinë e Rilindjes.
Ne do të jemi në krahun tuaj duke denoncuar çdo aferë.
Ai nuk do të menaxhojë Tiranën, por do të administrojë interesat e tij private dhe të grupit mbështetës, do të shpërndajë pasuritë publike për të përfituar prej tyre.
Akuadromi, që e mori nga privati për t’ia dhënë shtetit dhe më pas vendosi t’ia kalojë një privati tjetër, e dëshmon këtë.
Privati i preferuar i Veliajt është ai me të cilin ndan paratë. Çdokush tjetër është kulak.
Fakti që i lë këto vendimet e shtrenjta për t’i marrë në gusht hajdutçe, kur njerëzit janë me pushime dhe vëmendja është e ulët, nuk ndryshon gjë. Vetëm sa i shton fletë dosjes së tij të abuzimeve dhe vjedhjeve.
I rënë me të dy këmbët në dosjen e inceneratorëve, Veliajt i duhen para të reja për të dalë prej saj.
Është radha e tij për t’u arratisur.
Pa kaluar shumë Edi Rama do ketë tri qeveri: një në burg, një në mërgim, një në ndërtesën e Mehmet Shehut.