Agjencia më e lartë e inteligjencës kriminale e Australisë dyshon se Tom Doshi, një biznesmen dhe politikan shqiptar me lidhje me kryeministrin Edi Rama, drejton një grup kriminal që kryen mashtrime me letrat për emigrantët, trafikon drogë dhe pastron para, por nuk përjashtohet edhe kryerja e veprave të tjera penale në Australi.
Ky klan me qendër në Shkodër, një qark në Shqipërinë veriperëndimore, ka abuzuar sistematikisht me sistemin e emigracionit të Australisë për të ndërtuar “një strukturë të tërë kriminale shqiptare të krimit të organizuar”. Dokumentet, të prodhuara nga Komisioni Australian i Inteligjencës Kriminale (ACIC) dhe të shpërndara në agjencitë policore vendase dhe të huaja, bazohen në raporte të shumta nga forcat e policisë lokale dhe informacione nga organet e huaja të zbatimit të ligjit. Ata u panë nga gazetarët nga OCCRP dhe gazetat australiane si “The Age” dhe “Sydney Morning Herald”.
Dosjet përshkruajnë se si, që nga viti 2000, klanet shqiptare kanë përdorur mashtrimin dhe lidhjet familjare me agjentët e emigracionit për të zhvendosur njerëzit e tyre në Australi, duke ngritur grupe në Adelaide, Melburn, Perth dhe gjetkë. Doshi përshkruhet në dosje si “kreu” i një sindikate “që përbëhet kryesisht nga familja e tij e gjerë”.
Ndonëse dokumentet nuk përmbajnë detaje rreth aktiviteteve të tij specifike, ato theksojnë se 8 nga të afërmit e tij kanë qenë “të implikuar” në “hetimet për pastrimin e parave të drogës”. Të afërmit e tij thuhet në raporte se kanë marrë viza australiane duke përdorur dokumentacion të rremë. Njëri aktualisht përballet me akuzat për trafik droge.
Doshi nuk është akuzuar për asnjë krim në Australi. Në vendlindje, ai ka ndërtuar një perandori biznesi që ka përfituar shumë nga kontratat shtetërore. Ai u caktua “persona non grata” nga Shtetet e Bashkuara në vitin 2018 për “përfshirje në korrupsion të rëndësishëm” dhe u detyrua të linte postin si deputet në vitin 2021. Por përfshirja e tij në rrjetin kriminal australian nuk është zbuluar kurrë më parë.
“Asnjëherë në jetën time nuk kam qenë i përfshirë në asnjë mënyrë me kontrabandën e drogës, trafikun e qenieve njerëzore, trafikun e armëve, pastrimin e parave, apo emigracionin e paligjshëm në Australi, apo Shqipëri apo kudo tjetër,”- ka shkruar Doshi në përgjigje të pyetjeve të gazetarëve.
“Në fakt, si deputet i Kuvendit të Shqipërisë, kam qenë mbështetës i fuqishëm i luftës kundër këtyre aktiviteteve. Unë nuk kam asnjë lidhje me asnjë ‘klan kriminal’ shqiptar me bazë në Australi, apo me ndonjë kriminel shqiptar kudo,”- ka shkruar ai.
“Vëllezërit e motrat e mia dhe fëmijët e tyre janë gjithsej 33. Unë kam pak ose aspak kontakt me ta përveçse i takoj në funerale apo festime familjare.”
Në një email drejtuar gazetarëve, Doshi e përshkroi veten si një “katolik i devotshëm” dhe një “dhurues bujar për Kishën”.
“Ata pëlqejnë të dominojnë”
Grupet kriminale shqiptare janë shumë aktive në tregtinë e drogës në Mbretërinë e Bashkuar, Itali dhe shumë vende të tjera në shumë kontinente. Operacionet e tyre të mirëorganizuara dhe sistematike në Australi nxjerrin në pah kërcënimin nga zgjerimi i tyre ndërkombëtar.
Ndër aftësitë e tyre kryesore, thonë zyrtarët aktualë dhe ish-zbatues të ligjit, është përdorimi i rregullave të emigracionit për të kontrabanduar anëtarët e tyre në vendet ku ata veprojnë.
“Shpesh aplikantët do të aplikojnë për një vizë të caktuar duke e ditur se ajo do të refuzohet,“- thuhet në një nga dosjet e inteligjencës australiane, “por [ata] shfrytëzojnë procesin e gjatë të apelimit në mënyrë që të mund të gjenerojnë prova për të mbështetur një aplikim tjetër për vizë.”
“Ata janë shumë të aftë. Gangsterët shqiptarë në Australi shfaqin dhunë ekstreme,“-tha Komandanti i Policisë Victoria, Paul O’Halloran.
Tony Saggers, një ish-oficer i rangut të lartë në Agjencinë Kombëtare të Krimit të Britanisë, ka kaluar vite duke gjurmuar kriminelët shqiptarë.
“Vetëm ta jenë pjesë e tregut nuk mjafton për ta, atyre u pëlqen të dominojnë,” tha ai për përfshirjen e tyre në tregtinë e drogës.
“Ata e vënë shumë theksin tek respektimi i detyrave dhe janë të vendosur ta bëjnë mirë punën e tyre. Atyre u pëlqen të dominojnë duke fituar kontrollin e aktivitetit të vëllimit, duke dëshmuar se janë më të mirët dhe duke kënaqur kërkesat e klientëve.”
Një ‘cikël jetësor’ kriminal
Dokumentet e inteligjencës australiane të parë nga gazetarët tregojnë atë që ata e quajnë “cikli jetësor”, i cili është i ndarë me 5 faza.
Së pari, thonë ata, njerëzit rekrutohen në rajonet e tyre në Shqipëri, ndonjëherë me premtimin e rremë se u është gjetur punë jashtë vendit.
Së dyti, ata sillen në Australi duke përdorur pretendime të rreme për viza.
Së treti, ata arrijnë të qëndrojnë në Australi duke përfituar nga shqyrtimet e gjata të vizave (disa shqiptarë aplikojnë për të qëndruar në Australi duke pretenduar se gjakmarrja në shtëpi do t’i rrezikonte jetën nëse ktheheshin).
Së katërti, kryejnë veprimtari kriminale.
Së pesti, arrestohen, dënohen dhe u hiqen vizat.
Shkodra është identifikuar si një epiqendër nga e cila e kanë origjinën shumë prej këtyre grupeve kriminale. Doshi, një sundimtar politik në Shkodër, shfaqet në dokumente si lideri i dyshuar i një grupi të krimit të organizuar të përbërë nga të afërmit e tij, të cilësuar si “sindikata e familjes Doshi”. Anëtarët e klanit, thonë dokumentet, u vendosën nga zyrtarët australianë në një “listë të personave me interes” të krimit të organizuar shqiptar. Kjo listë u nda më pas me agjencitë e zbatimit të ligjit në shumë vende evropiane. Dokumenti sugjeron se këto agjenci kanë identifikuar gjithashtu anëtarë të klanit Doshi në listë nga hetimet e tyre.
Dokumentet përfshijnë gjithashtu një “studim rasti” që përshkruan një grua me “lidhje familjare me Doshin” që punon si “agjente e emigracioni” në Australi e cila “mund të lehtësojë aktivitetin [kriminal] për anëtarët e sindikatës të arrestuar për kultivim kanabisi dhe /ose janë të lidhura ngushtë me trafikun e kokainës.”
Dosjet nuk përmendin asnjë akuzë kriminale kundër gruas dhe tregojnë se nuk ka “baza për ta shkarkuar nga detyra e saj”.
Dosjet kanë detaje për dy nipat e Doshit. Dy burrat thuhet se janë anëtarë të sindikatës së trafikut të drogës Lleshi, një bandë që mban emrin e një familjeje tjetër, e cila, sipas dokumenteve, përdor fondet nga shitjet e shtëpive të kultivimit të kanabisit për të importuar kokainë në Australi.
Policia arrestoi një nga nipat e Doshit në Adelaide në mars 2022 dhe e akuzoi atë për trafik droge dhe pastrim parash pasi gjeti kokainë me vlerë 1.6 milion dollarë AU të fshehur brenda një makinerie. Nipi i Doshit kishte filluar të vizitonte shpesh Evropën pasi kishte marrë nënshtetësinë australiane pothuajse një dekadë më parë. Ai dhe familja e tij blenë prona të shtrenjta australiane, duke ngritur pyetje për hetuesit rreth të ardhurave të tij. Zyrtarët e gjykatës nuk iu përgjigjën pyetjeve rreth statusit aktual të personit nën hetim.
Nipi tjetër i Doshit nuk ndodhet më në Australi, por dyshohet se është ende i përfshirë në krimin e organizuar shqiptar dhe trafikun e nivelit të lartë të drogës. Sipas dosjes së tij të emigracionit australian të parë nga gazetarët, ai ka një histori dënimesh penale në vend që daton që nga viti 2012. Dosja citon një ministër që refuzoi kërkesën e tij për vizë duke thënë: Unë dyshoj në mënyrë të arsyeshme se [ai] ka qenë ose është anëtar i një grupi ose organizate … i përfshirë në vepra kriminale.
Në Shqipëri, ai u akuzua në vitin 2016 për sulm ndaj një punonjësi të policisë rrugore. Oficeri nuk pranoi të ngrinte akuza dhe rezultati i rastit nuk dihet.
Dy incidente të tjera të dyshuara të dhunës të kryera nga anëtarët e familjes Doshi gjithashtu nuk rezultuan me sanksion ligjor. Në fillim të këtij viti, djemtë e Doshit, James dhe Marcos, së bashku me truprojën e tyre, u akuzuan në Shqipëri për rrahjen e një burri me shufra hekuri dhe mosbindje ndaj urdhrave të policisë. Çështja u pushua pasi personi që u sulmua e përshkroi incidentin si një keqkuptim dhe kërkoi që të tre të mos ndiqen penalisht. Një gazetar shqiptar i dyshuar i sulmuar nga vetë Doshi në vitin 2008 gjithashtu refuzoi të ngrinte akuza kundër tij.
James dhe Marcos Doshi nuk iu përgjigjën kërkesave për koment…
Ngritja e Doshit
Megjithëse akuzat australiane ndaj Doshit janë të reja, ai ka qenë prej kohësh një figurë e diskutueshme në vendlindjen e tij. Ai bëri një pasuri në industrinë farmaceutike dhe të ndërtimit dhe gëzonte lidhje të nivelit të lartë politik. Por karriera e tij është shënuar nga dhuna, përballjet me ligjin dhe akuzat për korrupsion.
Në një kabllogram të ambasadës 2009 të publikuar nga WikiLeaks, një diplomat amerikan që shërbente në Shqipëri e përfshiu Doshin në krye të listës së ligjvënësve që kishin “lidhje me krimin e organizuar”, duke e përshkruar atë si “deputetin më të pasur” në vend.
Takimi i parë i njohur i Doshit me ligjin ndodhi në fillim të të 20-tave. Në vitin 1990, gjatë kryerjes së shërbimit të detyrueshëm ushtarak, ai u dënua me një vit burg për sjellje të pahijshme, pasi kishte pasur një zënkë teksa ishte i dehur në Durrës, ku edhe goditi me thikë një burrë. Dënimi nuk e pengoi ngritjen e Doshit. Nga mesi i viteve 1990, ai kishte hyrë në sektorët e ndërtimit dhe karburantit, ndërsa Shqipëria iu nënshtrua një tranzicioni të shpejtë drejt kapitalizmit të tregut të lirë.
Doshi ndëroi një shtëpi në Australi në vitin 1997, duke blerë prona të shumta në qytetin jugor të Adelaide dhe duke jetuar mes dy vendeve për disa vite. Ishte gjatë kësaj periudhe që ai dyshohet se krijoi sindikatën kriminale. Por ai mbeti aktiv në vendlindje. Karriera e tij bëri hapin më të madh në vitin 2000 kur firma e tij “Aldosch Sh.pk” fitoi tenderët për të blerë dy kompani të mëdha shtetërore në sektorët e qumështit dhe farmaceutikës.
Teuta Shamku, një gazetare biznesi për një kohë të gjatë në Televizionin Publik Shqiptar, e përshkruan këtë fitore si një “surprizë”, veçanërisht pasi “Aldosch” u lejua të privatizonte dy kompani që operonin në zona shumë të ndryshme.
Për më tepër, Aldosch nuk ishte një emër i madh në biznesin shqiptar në atë kohë.
“Ishin të panjohur. Aktiviteti i kësaj kompanie ishte pak enigmë,”-tha Shamku për firmën e Doshit.
Në përgjigje të pyetjeve të gazetarëve, Doshi shkroi se këto blerje “ishin rezultat i një procesi privatizimi publik me tender të hapur. Kam bërë ofertën më të lartë në çdo rast. Nuk kishte asnjë favorizim.”
Ndërprehet biznesi i Doshit
Transaksionet nga firma kryesore e Doshit Aldosch u shfaqën në radarin e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve të Shqipërisë në vitin 2008. Autoriteti akuzoi kompaninë e Doshit se kishte fshehur nga bilancet e saj të ardhurat e krijuara kur shiti dy kompanitë shtetërore – një firmë qumështi dhe një firmë farmaceutike – që Doshi kishte blerë në vitin 2000. Autoriteti tatimor gjobiti Aldosch pothuajse 18 milionë dollarë, por gjoba u anulua më vonë në apel. (Në përgjigje të kërkesave për koment, Doshi shkroi se gjoba ishte hequr sepse “pas një auditimi 2-vjeçar të të gjitha financave të kompanisë dhe personale nuk kishte asnjë bazë për akuzat.”)
Doshi e bleu firmën farmaceutike nga pronarët e saj gjermanë disa vite më vonë.
Sot kjo kompani, Profarma, dominon industrinë farmaceutike shqiptare. Ai përfiton shumë nga programi i Shqipërisë për “barnat e rimbursueshme”, i cili u lejon pacientëve të marrin medikamente të caktuara me tarifa të subvencionuara nga qeveria. Mbi një e treta e 352 medikamenteve të mbuluara nga programi prodhohen nga Profarma.
(Doshi tha se kompania e tij ka qenë e suksesshme sepse kishin investuar për të modernizuar dhe automatizuar prodhimin dhe kishin vendosur metoda moderne të kontrollit të cilësisë. Kompania, tha ai, operon në nivelin më të lartë të integritetit dhe në përputhje të plotë me çdo rregullore dhe ligjin.)
Ndërkohë Doshi u aktivizua në politikë. Ai siguroi mandatin e tij të parë në parlament në 2005 si kandidat me socialistët, një nga partitë kryesore politike të Shqipërisë, për të përfaqësuar qytetin e tij të lindjes, Shkodrën. Në një incident skandaloz, u raportua gjerësisht 3 vjet më vonë, Doshi dyshohet se sulmoi një gazetar i cili kërkoi një intervistë për diplomën e tij të rreme të universitetit. Një kabllogram i ambasadës amerikane të asaj kohe përshkruante sesi kalimtarët në kafenenë e hotelit, thjesht e lanë sulmin të ndodhte.
Gazetari nuk ngriti akuza dhe ngritja politike e Doshit vazhdoi. Në vitin 2009, një kabllogram i ambasadës amerikane citoi një deputet të pakënaqur socialist, i cili u ankua se Doshi – të cilin ai e quajti “batak” – kishte fituar ndikimin mbi kreun e partisë, Edi Rama, pasi kishte investuar gjysmë milioni euro në fushatë.
Socialistët nuk fituan atë vit. Por në zgjedhjet e ardhshme në 2013, performanca e tyre e përmirësuar në Shkodër i ndihmoi ata të siguronin një fitore kombëtare. Fatos Lubonja, një shkrimtar dhe komentator politik shqiptar, e përshkroi Doshin si një aleat të fuqishëm të Partisë Socialiste “si për zgjedhjet e Shkodrës ashtu edhe për Tiranën”, duke iu referuar dy rajoneve të rëndësishme politikisht.
“Për shumë vite, [Doshi] ka qenë një nga aleatët më të rëndësishëm të partisë në pushtet të Edi Ramës, një parti që punon për dhe me një pakicë votuesish”.
Por ngritja e Doshit nuk ishte pa telashe.
Viza e tij në Australi u anulua në 2015 dhe ai nuk dihet të ketë qenë ndonjëherë në vend që atëherë. Dokumentet më të fundit të disponueshme publikisht tregojnë se një apel për vitin 2020 nga Doshi për të anuluar heqjen e vizës së tij, por procesi nuk ka qenë i suksesshëm. Ai u tha gazetarëve se vazhdon të kundërshtojë vendimin dhe “shpreson shumë për një rezultat pozitiv”. Zyrtarët Australianë të Punëve të Brendshme nuk iu përgjigjën pyetjeve në lidhje me statusin aktual të Doshit.
Në atdhe, viti 2015 gjithashtu “e gjeti” të përjashtuar nga Partia Socialiste pasi u grind me Ramën për të emëruarit politikë vendas. Për vite me radhë, Doshi dhe një aleat i tij parlamentar ishin nën hetim për pretendimin e rremë se kryetari i Kuvendit, asokohe Ilir Meta, kishte urdhëruar vrasjen e Doshit. Doshi më pas u shpall i pafajshëm.
Njeriu që u akuzua për akuza të rreme përkrah Doshit – dhe që njihet ndryshe si shoku i tij i fuqishëm, vuajti dënimin me burg për atë dhe krime të tjera – ishte Mark Frroku, një deputet që përfaqësonte po ashtu qarkun e Shkodrës. Marrëdhënia mes Doshit dhe Frrokut u acarua si pasojë e burgimit. Deri atëherë, Doshi dhe Frroku – i cili u gjykua për vrasje në Belgjikë – ishin bashkuar prej kohësh në krye si në politikë ashtu edhe në biznes.
Gjithashtu në vitin 2015, autoritetet shqiptare e akuzuan Doshin për fshehjen e pasurisë së tij në shumën prej 14 milionë eurove në deklaratat e tij zyrtare të pasurisë midis 2005 dhe 2013. Por megjithëse hetuesit gjetën pallate, magazina, apartamente, fabrika dhe makina luksoze të padeklaruara në Australi dhe Shqipëri, ai u shpall i pafajshëm. Një grup akuzash për pastrim parash në shumën prej 9 milionë eurosh u hoq. Doshi nuk u dënua për asnjë akuzë në lidhje me këtë rast. Pas depozitimit, prokurorja përgjegjëse kërkoi falje, duke përmendur si shkak për “ngatërresën” ngarkesën e saj të madhe.
Dy prokurorë të rinj ndanë dosjen për pastrimin e parave dhe fshehjen e pasurive. Hetimi për pastrim parash u pushua dhe përfundimisht Doshi u akuzua vetëm për fshehje të ardhurash. Për këtë vepër penale prokurorët pretenduan se Doshi kishte nënvlerësuar pasurinë në të paktën 26 raste midis 2005 dhe 2014. Por në prill 2019 çështja u pushua dhe Doshi u shpall i pafajshëm.
Në përgjigje të kërkesave për koment, ILDKPKI u tha gazetarëve se në vitin 2019 i kërkuan Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve të shqyrtonte nëse kompanitë e Doshit po ndiqnin ligjin e tatimeve. Autoriteti tatimor nuk iu përgjigj kërkesave për koment. Ndërkohë Doshi ishte bërë deputet i pavarur dhe më pas kryetar i një partie më të vogël nën siglën e së cilës fitoi mandatin e katërt parlamentar në 2017.
Një vit më pas, Shtetet e Bashkuara e sanksionuan Doshin për “përfshirje në korrupsion të rëndësishëm” dhe me afrimin e zgjedhjeve të prillit 2021, presioni në rritje – duke përfshirë deklaratat publike të ambasadores së atëhershme amerikane, Yuri Kim – e detyruan atë të jepte dorëheqjen nga mandati i tij si deputet. Por ai ende ka fuqi të konsiderueshme. Në videot e postuara në Facebook atë vit, teksa deklaronte mbështetjen për Partinë Socialiste të Ramës, ai tha se kandidatët e saj ishin zgjedhje, ishin të zgjedhur nga vetë ai.
Në maj 2021, opozita kërkoi që prokurorët të hapnin procedime penale kundër Doshit dhe një bashkëpunëtor të dyshuar për atë që ata e përshkruan si “korrupsion zgjedhor” – që përfshin blerjen e votave me para në dorë ose me favore të tjera – dhe të qenit pjesë e një “grupi të strukturuar kriminal”. Çështja u dërgua në kryeqytetin e Tiranës, ku një hetim ende po vazhdon– megjithëse prokurorët zgjedhin të mos hetojnë Doshin dhe bashkëpunëtorin e tij, duke u fokusuar në fenomenin e përgjithshëm të blerjes së votës në Shqipëri.
Në përgjigje të kërkesave për koment, bashkëpunëtori i dyshuar i Doshit, Pëllumb Gjoka, tha se ai nuk kishte “absolutisht asnjë lidhje me zotin Doshi, as personale dhe as biznesi, dhe … nuk ishte përfshirë kurrë në blerjen e votave apo frikësimin e votuesve”.
Gjoka u arrestua në Shqipëri më 26 korrik, por autoritetet ende nuk e kanë bërë të ditur arsyen. Në përgjigje të pyetjeve të gazetarëve, Doshi tha se “asnjëherë nuk është angazhuar në blerje votash – duke shtuar: Nuk kam nevojë”.
“Mbështetësit e mi janë besnikë pjesërisht për shkak të admirimit për familjen time,“-shtoi ai.
Ai e përshkroi përcaktimin e tij “non grata” nga Shtetet e Bashkuara si një “tronditje të jashtëzakonshme” duke pasur parasysh mbështetjen e tij të palëkundur për reformën gjyqësore të sponsorizuar nga SHBA dhe axhendën kundër korrupsionit, ndërsa shtoi se e gjithë akuza ndaj tij bazohej në “thashethemet e rreme mediatike” të mbjella nga kundërshtarët e tij politikë. Ai gjithashtu tha se ishte shpallur “non grata” edhe nga Mbretëria e Bashkuar, duke theksuar se po ndiqte rrugën për të kundërshtuar vendimin.
Një zëdhënës i kryeministrit Rama distancoi Partinë Socialiste nga Doshi.
“Partia më e re e Doshit asnjëherë nuk ka qenë në koalicion me Partinë Socialiste, as në nivel qendror dhe as në nivel lokal. Shqipëria është një vend model përsa i përket sistemit të ri të drejtësisë që ka ndërtuar. Sigurisht, Shqipëria ka ende shumë për të bërë dhe për këtë arsye ka hapur negociatat e anëtarësimit me Bashkimin Evropian, për t’u bërë një vend i denjë i familjes evropiane, duke vazhduar reformat dhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.”
Marrë dhe përkthyer nga occrp.org