Sherri në mbledhjen e qeverisë, çfarë tha Balluku që Rama bëri “kurban” Delina Ibrahimajn

Lapsi.al zbardh më shumë detaje nga shkarkimi i beftë një ditë më parë i ministres së Financave, Delina Ibrahimaj, shkarkim që më pas u mohua nga vetë ministrja dhe kreu i qeverisë Edi Rama. Por nëse shkarkimi formal i Ibrahimajt është mohuar, përplasja në mbledhjen e qeverisë është fakt.

Një burim qeveritar i tregoi Lapsi.al më shumë detaje për sherrin mes Belinda Ballukut dhe Delina Ibrahimajt. Zv.kryeminstrja i kërkoi llogari Ministrës së Financave për dy projekte që kishin ngecur. Fjala ishte për projektin e hekurudhës Vorë-Hani Hotit që financohet me fonde ndërkombëtare dhe për Bypassin e Tiranës. Delina Ibrahimaj i argumentoi kufizimet buxhetore zëvendëses së Edi Ramës, por Belinda Balluku reagoi ashpër ndaj saj dhe nuk e pranoi justifikimin. Pas përplasjes verbale në mbledhje qeverie, Balluku shkoi në zyrën e Ramës për të treguar çfarë kishte ndodhur.

Më pas ishte Rama që në inat e sipër thirri një mbledhje tjetër urgjente të qeverisë, ku iu komunikua shkarkimi Delina Ibrahimajt. Pas këtij momenti lajmi iu servir nga brenda qeverise mediave pranë Edi Ramës, fillimisht Albanian Post të Baton Haxhiut e më pas Top Channel. Por ndërsa mediat u mbushën me lajmin e shkarkimit, duket se Rama reflektoi në momentet e fundit me ndërhyrjen e njerëzve të tij të afërt, për të mos e komunikuar këtë vendim për shkak të jehonës në publik. Aq më tepër që vinte pak ditë pasi kishte shkarkuar në mënyrë demonstrative, Bledi Çuçin nga posti i Ministrit të Brendshëm.

Nisur nga kjo, Edi Rama dhe Delina Ibrahimaj u detyruan të mos e pranonin shkarkimin teksa u pyetën nga mediat kur po hynin në Asamblenë e PS-së. Por shkarkimi i Ministres së Financave është fakt, thjesht koha kur do të komunikohet ky vendim me sa duket është shtyrë për një afat tjetër. Edhe media që e publikoi fillimisht, në një shkrim të mëvonshëm i qëndroi lajmit të shkarkimit. Mbetet për t’u parë se çfarë do të ndodhë pas “ngujimit” dy ditor në Tepelenë, aty ku kabineti qeveritar është mbledhur për një retreat. A do t’i presë tani “kokat” e disa ministrave Edi Rama apo do të presë muajin shtator?!

About Redaksia

Check Also

Berisha, takim me diasporën në Londër me 17 nëntor

Kryetari i PD, Berisha do të takoje demokratët në diasporë. Takimi është planifikuar për diasporën …

Leave a Reply