Rrafshohet Drejtoria e Burgjeve për t’i hapur rrugën kullës tek Teatri

Ish-godina e Drejtorisë së Burgjeve është shembur nga Bashkia e Tiranës në sajë të punimeve që po kryhen për Teatrin e ri Kombëtar.

Aksioni është kryer gjatë orëve të natës, me pretendimin se në këtë hapësirë do të kalojnë mjetet e tonazhit të rëndë.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili inspektoi mbrëmjen e djeshme punimet për Teatrin e Ri, u shpreh se në këtë mënyrë të gjitha mjetet do të kalojnë përmes Unazës së Vogël të Tiranës, pa dëmtuar zonën e Pedonales apo Kalasë, mjaft të frekuentuara nga turistët që kanë mbushur edhe këtë verë kryeqytetin.

“Teatri Kombëtar është vërtet një bizhu për qytetin, por duhen marrë disa vendime që përputhen me rritjen e turizmit dhe të jetës së natës së qytetit. E gjithë zona e Kalasë, zona e Pedonales, ka pafundësisht jetë, përfshirë këtu edhe institucionet që kanë akses nga pedonalja “Murat Toptani”. Kemi vendosur që aksesin për kantierin e Teatrit ta kemi në rrugën e Unazës së Vogël të Tiranës. Kjo do të thotë se kemi dekomisionuar ndërtesën e ish-Drejtorisë së Burgjeve dhe me hapjen e atij kantieri, e me zhvendosjen e disa kabinave elektrike, mundësojmë që Pedonalja, Kalaja dhe kinemaja të përdoren; pra i gjithë “damari turistik” i Tiranës të vazhdojë në mënyrë të pandërprerë, kurse ne do të përdorim këtë akses këtu që të sigurohemi që kamionët që punojnë kryesisht natën të kenë hyrje-dalje në kantier”, u shpreh Veliaj.

Kreu i Bashkisë falenderoi të gjitha strukturat e bashkisë, por edhe të Policisë të angazhuara për mbarëvajtjen e projektit, ndër më të rëndësishmit në kantieret ku po punohet aktualisht në kryeqytet.

“Dua të falenderoj të gjithë për angazhimin, IMT-në, të gjithë kolegët që janë mobilizuar, nga Policia Bashkiake, Policia Rrugore, kolegët e Zjarrfikëses. Është një operacion që do të na zërë gjithë natën, por nesër kur Tirana gdhihet në mëngjes, secili do vazhdojë ta përdorë Unazën e Vogël, por ishte i vetmi moment ku ne mund të bënim një ndërhyrje të tillë. Kështu që, dua t’i falenderoj të gjithë ata që janë treguar mirëkuptues për këtë devijim të përkohshëm gjatë mbrëmjes”, u shpreh ai.

Nga ana tjetër, kryebashkiaku tha se ky është muaji kur Bashkia intensifikon punën në terren, ndihmuar më së shumti edhe nga çlirimi i trafikut në Tiranë, në mënyrë që kur qytetarët të kthehen nga pushimet, pjesa më e madhe e punimeve të ketë përfunduar.

“Gushti do të jetë muaji më i ngarkuar për ne. Duke qenë se një pjesë e madhe e qytetarëve janë buzë detit, do të sigurohemi që t’i përfundojmë në verë gjithë këto kantiere që kërkojnë hapje të mëdha të rrugëve, siç është kantieri i madh në Kinostudio, kantieri i Teatrit dhe 10 shkollave të reja, që po përgatisim të vlojnë gjatë Gushtit, në mënyrë që kur qytetarët të kthehen nga pushimet, pjesa më e madhe e punimeve të ketë mbaruar. Do shfrytëzojmë maksimalisht këtë kohë”, e mbylli Veliaj fjalën e tij./ CNA.al

About Redaksia

Check Also

Shqipëria ndeshje të madhe në Pragë, përmbys Ukrainën

Super rikthim i kombëtares shqiptare ndaj Ukrainës, nga disavantazhi 1-0, kanë arritur të fitojnë me …

Leave a Reply