Si e mbrojti Rama me Veliajn djegien e miliona eurove te djegësi i Tiranës

Me sekuestrimin e inceneratorit të Tiranës, prokurorët e SPAK nuk ndalin djegien e plehrave, sepse kjo nuk ka ndodhur asnjëherë, por kanë ndalur “djegien” e parave që paguheshin për gjoja djegien e plehrave. Shumat e parave të paguara deri tani nga buxheti i shtetit janë marramendëse.

Qytetarët e Tiranës paguajnë 29 euro për një ton të groposjes së plehrave. Pagesa është e lartë sepse llogarit kostot sikur plehrat digjen dhe sikur në Sharrë prodhohet energji, gjë që nuk ka ndodhur asnjëherë.

Që nga fillimi, pagesat progresive për të tre inceneratorët, Elbasanit, Fierit dhe Tiranës, kapin vlerën totale 11 miliardë lekë ose (103 mln euro) deri në fund të qershorit 2023, sipas të dhënave zyrtare nga Thesari i Ministrisë së Financave që janë raportuar nga “Open Data Albania”.

Financimi progresiv për inceneratorin e Tiranës ka arritur deri në fund të qershorit te këtij viti 5,6 miliardë lekë, ose 52.6 mln euro.

Disa muaj më parë, kur gazetarët e pyetën se përse nuk e sekuestronte inceneratorin, për të ndalur paratë që paguheshin, kreu i SPAK, Altin Dumani u përgjigj se nuk ishin identifikuar ende pronarët realë të inceneratorit. Një ndërhyrje e prokurorisë mund të kishte kosto në arbitrazh, sqaroi ai.

Por dosja për Arben Ahmetajn i ka dhënë përgjigje shumë enigmave mbi inceneratorin e Tiranës. Që në fillim, pas kësaj afere kanë qenë të njëjtët njerëz, Lefter Koka, Arben Ahmetaj, Klodian Zoto, Mirel Mërtiri etj. Gjatë procedurave shtohet edhe Erjon Veliaj që e nxit projektin edhe duke firmosur vetë një dokument kontrovers.

Gjetjet e prokurorëve për inceneratorin e Tiranës

Dosja e arrestimit të Arben Ahmetajt ka një kapitull të veçantë që trajton shkeljet e koncensionit për inceneratorin e Tiranës. Aty saktësohet se si devijoi kërkesa fillestare e Veliajt për ngritjen e një landfilli tek vendimi i përbashkët me Lefter Kokën për të ndërtuar një incenerator. Hetimet zbulojnë se si pas procedurave për ngritjen e inceneratorit të Tiranës ishte gjithnjë Klodian Zoto që mbante marrëdhënie të ngushta me Klodian Mërtirin dhe Arben Ahmetajn.

Dosja zbulon se Klodian Zoto ishte në komunikim fillimisht me vartësit e Lefter Kokës dhe më pas me vartësit e Erjon Veliajt për vendimet e Këshillit Bashkiak të Tiranës në lidhje me inceneratorin. Në dosje thuhet se drejtori i bashkisë, Taulant Tusha, bashkëpuntor i ngushtë i Veliajt komunikoi direkt me Klodian Zoton për procedurat e inceneratorit. “Më datë 17:5:2018 në orën 16:30 shtetësja Jonida Halili i ka përcjellë email shtetasit Taulant Tusha me titull “landfill” dhe ky email i është përcjellë nga Taulant Tusha shtetasit Klodian Zoto më datë 21:05:2018 ora 10.12. Bashkalidhur është një dokument tabelor me emërtimin “Plani i financimit të landfillit të Sharrës”.

SPAK trajton edhe firmën e Veliajt në dokumentin e Marsit të vitit 2017, me të cilën Kryetari i Bashkisë jep miratimin për të paguar 91 milion euro pa marrë më parë miratimin e Këshillit Bashkiak. Mbi bazë të atij dokumenti u bë edhe miratimi i kontratës.

Kur Ahmetaj mori dokumentin me firmën e Veliajt ai e kaloi konçensionin duke shkruar aty “pa koment”. Por në dosjen e SPAK, prokurorët kanë shkruar se “personi nën hetim, Arben Ahmetaj nuk e pengon këtë procedurë pavarësisht problemeve që ajo paraqiste”.

Në dosje trajtohet edhe procedura se si kompania e Klodian Zotos “Integrated Energy B.V sh.p.k” mori një bonus nga komisioni për koncensionin dhe ky bonus u miratua pastaj nga disa ministri, u miratua edhe me vendim të Këshillit të Ministrave edhe pse kompania nuk ekzistonte fare.

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka konstatuar se projekti i inceneratorit të Tiranës ka rezultuar që në fillim i papërballueshëm për buxhetin e shtetit, ndërsa Bashkisë së Tiranës nga viti 2018 i janë dyfishuar kostot e pastrimit të qytetit, pikërisht për shkak të pagesave që ajo duhet t’u bënte inceneratorëve.

Klodian Zoto, Klodian Mërtiri dhe Arben Ahmetaj janë shpallur në kërkim dhe kontratat e nënshkruara janë thyer tashmë pasi nuk i kanë zbatuar afatet për ndërtimin e impianteve. Kompanitë që deri dje paguheshin sistematikisht me taksat e shqiptarëve ka ngritur skema pastrimi krejtësisht të pasofistikuara kanë zbuluar hetimet e SPAK.

Si e mbrojti Rama dhe Veliaj vjedhjen tek inceneratori i Tiranës

Veliaj dhe Rama kanë qenë gjithnjë dakort se pagesat për inceneratorin e Tiranës duhet të vazhdojnë pavarësisht se dihej botërisht se kjo ishte një skemë korrupsioni. Kur deputetët e opozitës i kujtonin se paratë shkonin tek personat në kërkim, Rama mjaftohej duke thënë se “Tirana paguan shërbimin”. “Tirana është befasisht e pastër. Doni të bëjmë një provë. Është një provë që se bëjmë dot. Të ndalojmë pagesat për tre ditë e të shihni se ca ndodh me Tiranën. Sepse atje zhvillohet operacion i përditshëm i grumbullimit dhe trajtimit të mbetjeve. Paguajmë shërbimin”, shprehej Rama.

Kur Klodian Zoto, Mirel Mërtiri dhe Stela Gugallja u shpallën në kërkim, atëherë Ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku tha se pagesat do të vazhdojnë me arsyetimin se: “Në rast se ne nuk zbatojmë kontratat, nga ana e ligjit tregtar të kontratës, ne do t’i krijonim Republikës së Shqipërisë një dëm të tillë që me siguri do të përgjigjeshim në Arbitrazh”.

Ministrja e Financace Delina Ibrahimaj po ashtu ka thënë se pagesat do të vazhdojnë sepse nuk ka një vendim gjyqësor për përfituesit e inceneratorëve. “Pjesë e tyre kanë qenë edhe nënkontraktorë që janë në proces hetimi dhe nuk janë dërguar në gjykatë. Këto janë subjekte të hetimit. Nuk ka vendim përfundimtar. Ne respektojmë kontratën dhe do të vijojmë ta bëjmë” tha Ministrja e Financave Delina Ibrahimi.

Ndërkohë Erjon Veliaj ka qenë njësoj shpërfillës për faktin se paratë paguheshin por vidheshin sepse në Sharrë as nuk bëhej djegie e plehrave, as nuk kishte incenerator.

“Cili është në kërkim dhe kush është pronari s’është problemi im”, tha Veliaj. “Ka një supervizor privat, sot është në burg, se ai duhet ta kontrollonte. Kontratën ka detyrë supervizori ta monitorojë. A është Tirana më e pastër? A paguajmë më pak, kaq i intereson qytetarët”, shprehej Veliaj në prill të këtij viti në një emision televiziv.

Por vendimi i Altin Dumanit për të ndalur kalimin e parave për një shërbim që nuk paguhej, tashmë i ka vënë para faktit të kryer si Ramën dhe Veliajn, që duhet të shpjegojnë se përse e kanë mbrojtur kalimin e parave tek Klodian Zoto./LAPSI

About Redaksia

Check Also

Vendimi dhe firma që çon Ramën në burg

Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, ëngjëll Agaçi ishte në SPAK këtë të premte, …

Leave a Reply