Punonjësit e Shërbimit diplomatik shqiptar nuk kanë marrë ende pagat e muajit të shkuar. Denoncimi është bërë për mediat nga një punonjës në selinë diplomatike të Shqipërisë në Itali.
Sipas diplomatit shqiptar, arsyeja e vonesës së marrjes së pagave është bllokimi i llogarive bankare të ambasadës në një bankë italiane ku kalohet fondi për selinë diplomatike të Shqipërisë.
Vonesa e pagesave që duheshin bërë pak ditë më parë lidhet me detyrimet që shtetit shqiptar ka ndaj investitorit italian, Francesco Becchetti, i cili ka fituar të drejtën për të marrë një dëmshpërblim të majmë pasi fitoi gjyqin në Arbitrazh me qeverinë shqiptare.
Kjo nuk është hera e parë që llogaritë bankare të Shqipërisë jashtë vendit bllokohen për të paguar Becchettin. Gati një vit më parë Brukseli bllokoi 21 milionë euro të “Albcontrol”, pas konfliktit mes qeverisë shqiptare dhe investitorit italian, Francesco Becchetti, pasi investitori italian përfitoi në Qendrën Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve të Investimeve një kompensim prej 110 milionë eurosh.
Vendimi i formës së prerë i jepte të drejtë investitorit mbledhjen e parave në llogaritë që shteti shqiptar ka jashtë kufijve, ku një prej tyre është llogaria e Albcontrol në Eurocontrol në Bruksel.
Në 26 maj 2021, në Qendrën Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve të Investimeve (ICSID) u paraqit një tjetër kërkesë e Shqipërisë sa i takon përplasjes me investitorin italian Francesco Becchetti ku u regjistrua një kërkesë për korrigjim të vendimit për anulim të paraqitur nga Republika e Shqipërisë.
Zanafilla e përplasjes mes shtetit dhe investitorit nisi në qershor të 2015-ës, kur u bllokuan asetet e Francesco Becchetti-t. Bllokimi i tyre çoi edhe në mbylljen e televizionit Agon Channel pas së cilës u kap edhe thelbi i çështjes që shkoi në Arbitrazh.
Kryeministri Edi Rama deklaroi prillin e kaluar se Shqipëria “do të hapë probleme të mëdha” me këtë gjykatë, ndërsa shtoi se po analizohet edhe mundësia për të dalë fare nga juridiksioni i saj. Kreu i qeverisë theksoi se shteti shqiptar nuk ka paguar asnjë qindarkë dhe se beteja me biznesmenin italian do të vijojë deri në fund.
“Shqipëria deri më sot nuk ka paguar asnjë kokërr leku. Sepse është një botë shumë e komplikuar e me shumë procedura dhe po bëhemi gjithnjë e më të aftë për ta përballuar presionin”, u shpreh Rama./tpz.al/